Sport

Një Botëror jo i zakontë ku Kosova megjithatë kërkon suksesin

Në rrethana normale Kampionati Botëror i xhudos nuk do të mbahej në fillim të qershorit. Botërori i fundit i xhudos, ai i vitit 2019, ishte mbajtur prej 25 gushtit deri më 1 shtator. Prej 20 deri më 27 shtator ishte mbajtur Botërori 2018, ndërsa prej 28 gushtit deri më 3 shtator ai i vitit 2017.

Në xhudo, në vitet olimpike nuk mbahen Kampionatet Botërore. Për këtë arsye, nuk kishte Botëror vjet, ndonëse pas shtyrjes së Olimpiadës ishte shqyrtuar mundësia e organizimit të Botërorit. Megjithatë, për shkak të pandemisë, që edhe shtyu Olimpiadën, u hoq dorë edhe nga ideja e mbajtjes së Botërorit.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos vendosi që Botërorin ta mbajë këtë vit, ndonëse Olimpiada është shtyrë po ashtu për 2021. Dhe është vendosur që termini të zhvendoset prej 6 deri më 13 qershor.

Është pra një Botëror i pazakontë në një kohë jo shumë ideale. Të pazakontë e bëjnë masat ndaj përhapjes së COVID19, por edhe termini aspak i përshtatshëm.

Me Lojërat Olimpike që fillojnë më 23 korrik, fokusi i gjithë xhudistëve është te ngjarja që mbahet në Japoni. Të paktën në Tokio është fokusi i xhudistëve kosovarë dhe trajnerit Driton Kuka. Kuka në Budapest të Hungarisë, ku mbahet Botërori, dërgon një ekip të madh, por pa Majlinda Kelmendin e Loriana Kukën.

Përgatitjet e ekipit të Kosovës nuk janë si për çdo Botëror tjetër. Trajneri Kuka, i vlerësuar prej më të mirëve në botën e xhudos, ka tempuar formën në atë mënyrë që kulmin xhudistët e tij ta kenë në javën e fundit të korrikut, kur është turneu i xhudos në Lojërat Olimpike. Kjo nënkupton se në Botëror, xhudistët nuk do të jenë në formën më të mirë të mundshme.

Xhudistët për tri javë ishin në një kamp në Rogla të Sllovenisë, që përfundoi më 20 maj. Ngarkesa fizike në atë kamp ishte shumë e madhe. Në Rogla, xhudistët kanë bërë ushtrime bazike, në shërbim të Lojërave Olimpike. Dy javë pas kampit me ngarkesa të mëdha fizike, xhudistët ende nuk e kanë freskinë e duhur. Për këtë është i vetëdijshëm Kuka, por ai në një mënyrë ka sakrifikuar Botërorin që xhudistët të kenë formën më të mirë në Olimpiadë. Për shkak të kohës së limituar, periodizimi për të arritur kulmin e formës në Botëror e më pas në Olimpiadë është i pamundur.

“Të shohim se si do të kalojmë në Botëror. Momenti nuk është më i përshtatshmi, por të shohim. Në fakt, sistemi i punës para Botërorit ishte si për ndonjë garë Grand Slam. Nuk kemi mundur të veprojmë ndryshe, pasi do të rrezikonim që e gjithë puna të shkonte huq. Nuk kemi dalë prej kornizave, ndonëse bëhet fjalë për Botëror. Planifikimi është jashtëzakonisht i saktë. Por planifikimi është për Lojërat Olimpike, që është synimi kryesor i secilit sportist, pra edhe i gjithë ekipit tonë”, ka thënë Driton Kuka kohë më parë për KOHËN.

Ai po angazhohet që në Tokio të shpërblehet puna e jashtëzakonshme që e bëjnë xhudistët kosovarë. Ekipi i Kukës nuk ka ndërprerë punën as për një ditë të vetme gjatë pandemisë. Kuka është treguar mjaft kreativ, duke gjetur mënyra të ndryshme për të mbajtur xhudistët të bashkuar dhe të angazhuar me stërvitje kulmore.

“Kemi adutë për medalje në Botëror, ndonëse xhudistët nuk janë në gjendjen më të mirë. Pas kampit në Slloveni ishin shumë të lodhur, ngarkesat ishin shumë të mëdha. Druaj se mund të paraqitet lodhja në Botëror. Nuk janë në gjendjen më të mirë, por gjithsesi ne udhëtojmë për sukses. Cilësinë e kemi, punën e kemi bërë dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e deritashme”, ka shtuar Kuka, që shquhet për pritshmëritë e matura para garave, ndonëse garuesit e tij ka kohë që nuk kthehen pa medalje.

“Të gjithë xhudistët kanë punuar dhe punojnë me përkushtim maksimal. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Nuk kam asnjë vërejtje për përkushtimin e tyre”, ka theksuar Kuka.

Ai tashmë e ka të përcaktuar rrugën deri në Lojërat Olimpike. Ka caktuar të gjitha kampet dhe vendet ku ekipi do të ushtrojë. Flet edhe për detaje në rrugën deri në Olimpiadë. Natyrisht kontakti me publikun do të limitohet maksimalisht, që xhudistët të jenë të fokusuar për sukses në Tokio. I gjithë vendi pret medalje prej xhudistëve dhe Kuka e ka këtë parasysh.

Në Botëror garojnë 688 xhudistë nga 128 shtete, ka njoftuar IJF-ja të premten.

Kosovën e përfaqësojnë Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu e Flaka Loxha. Distria, Nora e Akili janë në mesin e bartësve dhe pretendent për medalje. Por rastin e kërkojnë edhe Laura e Flaka. Ka shumë faktorë që i bëjnë pretendentë xhudistët e Kosovës, ndonëse bëhet fjalë për një Botëror jo shumë të zakontë.