Sport

Istogu synon titullin, Vushtrria të sigurojë ndeshjen e tretë

Istogu e ka fituar me shifrat 32:26 ndeshjen e parë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Skuadra që drejtohet nga Faruk Shala synon tjetër fitore të shtunën për t’u kurorëzuar me titull të kampionit.

Istogu përballë në finale të plejofit e ka Vushtrrinë. Ndeshja e dytë finale luhet të martën nga ora 17:00, në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.

Istogaset kanë fituar të gjitha 25 ndeshjet e këtij edicioni, ndërsa ndaj Vushtrrisë kishin fituar edhe dy ndeshje evropiane në fillim të edicionit. Me fitoren e 26-të synojnë ta sigurojnë titullin. Por te Vushtrria janë të vendosur që të barazojnë në 1:1 rezultatin e serisë finale dhe ta sigurojnë ndeshjen e tretë finale, që do të luhej në Istog.

Istogu stinorin e rregullt e mbylli në pozitën e parë, ndërsa Vushtrria në të dytën. Istogu ka “bankë më të gjatë”, ndërsa te Vushtrria telashe ka paraqitur numri i limituar i lojtareve, në të cilat aktualisht llogarit trajneri Arben Parduzi.

“Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë në Istog, ndonëse kemi bërë disa gabime. E kemi kontrolluar ndeshjen dhe e kemi mbyllur ashtu si kemi planifikuar. Ka qenë e rëndësishme për ne që të kemi paraqitje të mirë në ndeshjen e parë. Finalja e parë ishte rivalizuese, por shumë korrekte. Edhe pse jemi përballur shpesh këtë edicion, duke përfshirë edhe në gara evropiane, me Vushtrrinë gjithnjë ka pasur rivalitet dhe shumë korrektësi. Istogu po kalon formë të mirë dhe jam shumë i kënaqur me angazhimin e hendbollisteve në ndeshje dhe stërvitje. Nuk kemi pasur lëndime dhe të gjitha vajzat janë të përgatitura maksimalisht. Me padurim presin të paraqiten në ndeshje. Në Vushtrri udhëtojmë të kurorëzohemi me titullin e dytë të kampionit. Do të ishte nder për ne të shpallemi kampion në një qytet të hendbollit si Vushtrria dhe shpresoj që kjo të realizohet”, ka thënë trajneri i Istogut, Faruk Shala.

Në kampin vushtrrias presin paraqitje dukshëm më të mirë se në ndeshjen e parë në Istog.

“Pres një lojë të fortë nga të dy ekipet, në veçanti një lojë më të mirë nga ekipi im, Vushtrria. Jemi të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me një ekip mjaft cilësor. Do ta respektojmë kundërshtarin, por do të japim maksimumin që nesër të dalim fitues dhe të kërkojmë që në lojën e tretë, me pak fat, t’ia dalim dhe të bëhemi kampion. Loja e së martës ka rëndësi shumë të madhe për ekipin e Vushtrrisë”, ka thënë trajneri i vushtrriaseve, Arben Parduzi.