Krahas titullit të kampionit, skuadra e Prishtinës këtë edicion e synon edhe Kupën e Kosovës në futboll.
Në fakt, Prishtina po synon ta mbrojë këtë trofe që e fitoi sezonin e shkuar, për të vazhduar dominimin e saj në garën për Kupë.
Për sukses eventual në Kupë, Prishtina fillimisht në gjysmëfinale duhet ta kalojë skuadrën e Llapit. Skuadra nga Podujeva gjithashtu e synon Kupën, për të siguruar daljen në kupat e Evropës për herë të parë në histori. Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës shtatë herë.
Ndeshja e parë gjysmëfinale mes Prishtinës e Llapit do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 15:00. Kurse ajo e kthimit luhet pas dy javësh në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Te Prishtina fokusin e kanë në ndeshjen e parë dhe po shpresojnë se mund të marrin një rezultat pozitiv përpara duelit të kthimit. Këtë e ka pranuar kapiteni i Prishtinës, Besnik Krasniqi, në një prononcim për KOHËN, të martën. Krasniqi ka theksuar se Prishtina po lufton në dy fronte, por triumfi në kupë është rruga më e shkurtër deri te suksesi i parë në këtë sezon.
Prishtina po ashtu mbetet skuadra që më së shumti e ka përfaqësuar Kosovën në Evropë. Në katër sezone ka marrë pjesë në parakualifikime dhe në rundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.
“Vijmë pas një ndeshjeje shumë të fortë ndaj Ballkanit që e fituam dhe mbajtëm hapin për titullin e kampionit. Kështu që jemi maksimalisht të motivuar për ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Llapit. Përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, por ne jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje”, është shprehur mbrojtësi i krahut të djathtë, Krasniqi.
“Duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm. Të shënojmë por mos të pësojmë asnjë gol për shkak se e luajmë edhe ndeshjen e kthimit. Do ta japim maksimumin për të kaluar në finale të Kupës së Kosovës, pasi ky edhe është synimi ynë”.
Prishtina deri më tani është kualifikuar nëntë herë në finalen e Kupës së Kosovës, pas luftës, kurse po e kërkon finalen për herën e dhjetë. Në pesë sezonet e fundit Prishtina e ka fituar këtë trofe tri herë – 2015/16, 2017/18 dhe 2019/20
Për ndeshjen e së mërkurës Prishtina është e kompletuar dhe futet pas fitores që e arriti në Suharekë kundër Ballkanit. Prishtina është e treta në tabelën e Superligës me 54 pikë, një më pak se Ballkani që është i dyti dhe katër më pak se Drita, që është lidere pas 27 xhirove të zhvilluara. Këtë edicion në Superligë, Prishtina dhe Llapi janë përballur tri herë. Prishtina e ka mposhtur dy herë Llapin, në shtëpi dhe udhëtim me rezultatin 2:0, derisa një duel ka përfunduar pa gola.
“Ne jemi në garë në dy fronte dhe nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Megjithatë, deri te suksesi në kupë nuk jemi shumë larg por duhet të sigurohemi që të kalojmë në finale. Është e rëndësishme t’i marrim ndeshjet një nga një dhe në fund të jemi të suksesshëm. Prishtina është ekip që gjithmonë lufton për trofe dhe këtë edicion jemi në rrugë shumë të mirë”, insistoi Krasniqi.
Sa u përket garave në Kupën e Kosovës, këto dy skuadra janë takuar tri herë. Në vitin 2015, Llapi, që atëbotë ishte anëtar i Ligës së Parë, e kishte eliminuar Prishtinën (2:1) në 1/8 e finales. Mirëpo në dy përballjet e tjera kishte triumfuar Prishtina. E kishte eliminua Llapin në gjysmëfinale në vitin 2016 përpara se ta eliminonte sërish dy vjet më vonë, por në çerekfinale.
Llapi prej të hënës është zhvendosur në Prishtinë për t’u përgatitur sa më mirë për këtë duel, kurse të martën ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së parë gjysmëfinale, në stadiumin e Kizhnicës. Llapi, që e ka humbur garën për titull herët, po synon që sezonin ta shpëtojë me triumf në Kupë. Aktualisht Llapi renditet i gjashti në tabelë me 33 pikë të tubuara.
“Atmosfera te Llapi është shumë e mirë. Të gjithë po punojmë për ta mbyllur këtë sezon me trofeun e Kupës. Fokusi është te Kupa dhe dalja në Evropë. Jemi të gatshëm dhe të motivuar për të arritur një rezultat pozitiv qysh në ndeshjen e parë”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, që në duelin e parë ndaj Prishtinës do të jetë pa kapitenin Mentor Zhdrella. “Ne do të kërkojmë rezultat pozitiv. Nëse arrijmë të nxjerrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, atëherë pothuajse 60 për qind të punës do ta kryenim dhe do të na mbetej edhe pak në ndeshjen e kthimit. Për mua si trajner dhe për Llapin në përgjithësi, dy duelet me Prishtinën janë ndër më të rëndësishmet deri më tani. Kalimi në finale dhe fitimi i Kupës do të ishin për ne sukses i madh në këtë sezon”.
Të mërkurën, në të njëjtën kohë do të luhet edhe gjysmëfinalja tjetër. Përballë janë ekipet e Ligës së Parë, Dukagjini dhe Istogu, që gjithashtu po luftojnë për inkuadrim në elitë. Ndeshja e parë do të zhvillohet në stadiumin “Demush Mavraj” në Istog, kurse ajo e kthimit në Klinë. Si Dukagjini ashtu edhe Istogu garojnë në Grupin A të Ligës së Parë. Pas 21 ndeshjeve të zhvilluara, Dukagjini është lider me 43 pikë të mbledhura, katër më shumë se Istogu që renditet i treti në tabelë.
Në fakt, këto dy skuadra do të takohen mes vete edhe të shtunën por në kuadër të kampionatit, ku Dukagjini do të jetë vendës.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë pasi me Istogun jemi rivalë edhe për inkuadrim në Superligë, kështu që e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Na penalizon pak fusha për shkak se nuk është në gjendje të mirë, dhe ndoshta nuk mund të luhet një ndeshje e pëlqyeshme. Mirëpo ne jemi përgatitur dhe të gatshëm për ta dhënë maksimumin. Synimi është të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, në mënyrë që të jemi më të relaksuar për ndeshjen e kthimit”, është shprehur trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, që sezonin e shkuar e fitoi këtë trofe me skuadrën e Prishtinës.
Istogu ndodhet në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës për herë të parë në histori të klubit, kurse Dukagjini për herën e tretë. Dukagjini ka qenë dy herë në finale të Kupës, por nuk e ka fituar asnjëherë trofeun e çmueshëm të futbollit kosovar.
Gjysmëfinalet e Kupës
E mërkurë (15:00)
Prishtina – Llapi
(Arbitra: Sh. Murtezi, F. Berisha, B. Selimaj, S. Isufi)
Istogu – Dukagjini
(Arbitra: G. Nuza, E. Zeqiri, B. Morina, B. Kasumi)