Sport

Me vetëm dy vjet në boks dhe pak meçe, Brahimi lufton për të artën në Evropian

Alnera Brahimi pati rrugë të shkurtër deri në finale të Kampionatit Evropian për juniorë në boks, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Brahimi 15-vjeçare, në gjysmëfinale, ku u kualifikua pa ndonjë luftë, të martën e mposhti estonezen Aleksandra Meliss me rezultat bindës, 5:0.

Në finale, që zhvillohet të mërkurën, ajo përballë do ta ketë boksieren nga Rusia, Zukhro Umarbekova. Në fakt ishin vetëm pesë garuese në kategorinë deri 70 kilogramë në Evropianin për boksierë të rinj, 15 e 16-vjeçar. Në boks, Evropiani i kësaj grupmoshe njihet si i juniorëve.

Brahimi nuk ka përvojë të gjatë, por ajo thotë se do ta japë maksimumin për të shpresuar në medalje të artë.

“Unë do ta jap atë që di në boks. Para katër javësh kisha një lëndim në dorën e majtë dhe për këtë arsye nuk jam në formën që duhet të jem. Por do të jap gjithçka nga vetja për t’u bërë e para në Evropë”, ka thënë Brahimi të martën për KOHËN.

Brahimi me boks merret qe dy vjet. Brenda këtyre dy vjetëve tregon se ka dy meçe dhe dy parameçe.

“Jam shumë e lumtur me këtë sukses, sepse nuk jam shumë kohë në ring. Por unë kam punuar maksimalisht në stërvitje. Kjo e arritur, pavarësisht se çfarë do të bëj në finale, është e madhe. Përballë do ta kem një kundërshtare të fortë, por nuk do të hyj me flamur të bardhë. Do ta jap maksimumin që ta fitoj të artën. Por edhe kjo e arritur për mua është e madhe”, ka theksuar Brahimi, që është pjesë e klubit Gollaku.

Trajneri i saj, Besim Brahimi, nuk ka pritur që boksierja e re do të arrijë në finale të Evropianit. Megjithatë, ai është ndarë i kënaqur që nxënësja e tij ka siguruar paraqitjen në meçin kryesor. Në finale pret meç të vështirë.

“Jam shumë i gëzuar që tashmë është në zonën e medaljeve. I kam thënë se për mua është me rëndësi të hyjë në zonën e medaljeve, sepse si e para, e dyta apo e treta është njësoj. Unë jam shumë i kënaqur me boksin që ka bërë. Ishte një meç i mirë i zhvilluar nga ana e saj si 15-vjeçare, e cila nuk ka shumë kohë që merret me boks. Është qe dy vjet aktive dhe është një sukses i mirë ky. Ajo nuk ka përvojën e duhur, sepse ka vetëm dy meçe dhe dy parameçe. Por, asaj i ka ndihmuar shumë sparingu që ka bërë me kampionen tonë Donjeta Sadiku, Shpëtim e Bashkim Bajokun, Leunit Gubetinin, Luar Aliun, Jeton Berishën, Drilon Arifin dhe shumë të tjerë që janë me përvojë shumë të madhe në ring. I ka ndihmuar shumë sparingu me kolegë dhe kolege të klubit”, ka thënë trajneri i klubit Gollaku, Brahimi. Brahimi është edhe përzgjedhës i Kosovës në boks (femrat).

Në fakt, boksierëve u mungojnë sukseset e mëdha në ngjarje të mëdha. Viteve të fundit janë vlerësuar disa boksierë, por ende nuk kanë ndonjë sukses madhor te të rriturit. Në Federatën e Boksit të Kosovës kanë shpresë për suksese në të ardhmen.

Në Evropianin e 15 dhe 16-vjeçarëve mori pjesë edhe Dalmat Salihaj. Ai humbi meçin e parë në kategorinë deri 57 kilogramë.

Në Evropianin e të rinjve (17, 18-vjeçar), medalje të bronztë fitoi Remzo Mustafiq. Ai medaljen e siguroi me vetëm një fitore.