Sport

Ish-reprezentuesi i Spanjës është i gatshëm të luajë për Kosovën

Ish-reprezentuesi i Spanjës në hendboll, Victor Alonso Garcia, është i gatshëm të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Alonso është 30-vjeçar dhe luan me dorë të majtë, ndërsa vlerësohet se do t’i shërbente shumë përfaqësueses. Ka pak lojtarë që konkurrojnë për pozitën e bekut që gjuan me dorën e majtë te Kosova.

Alonso në të kaluarën ka luajtur për Spanjën dhe thotë për KOHËN se asnjëherë nuk ka menduar të luaj për një përfaqësuese tjetër. Por ai tani ndihet në Pejë si në shtëpinë e tij dhe ka folur me bashkëlojtarët për mundësinë që të luaj për Kosovën. Dhe është i gatshëm, nëse përfaqësuesja e Kosovës shfaq interes për të. Alonso është pjesë e skuadrës pejane, Besa Famgas.

“Është e vërtetë (se jam i gatshëm të luaj për Kosovën). Pasi kam ardhur këtu, po ndihem shumë i lumtur. Nuk e kam njohur këtë vend, por po ndihem si në shtëpi këtu. Dhe nëse i duhem Kosovës, unë jam i gatshëm”, ka thënë Alonso për KOHËN.

“Asnjëherë nuk kam menduar të luaj për ndonjë përfaqësuese pos për Spanjën. Por po e përsëris, ndihem si në shtëpi. Kam raporte të mira me bashkëlojtarët. Kam folur me ta dhe kam ndryshuar mendim”, ka shtuar Alonso.

Kosova të mërkurën pësoi 32:25 nga Mali i Zi në Podgoricë. Të dielën luan ndaj Suedisë, një superfuqi evropiane e hendbollit. Më 10 mars të vitit të ardhshëm Kosova e luan ndeshjen e tretë, ndaj Rumanisë në Prishtinë. Në FHK kanë thënë se pasi të bisedojnë me lojtarin dhe nëse shtabi teknik vlerëson se ai është i vlefshëm, mund të nisin procedurat për pajisje të Alonsos me shtetësi të Kosovës, me shpresë që ai të jetë në dispozicion për ndeshjen e marsit.

Kryetrajner i përkohshëm i Kosovës është spanjolli Javier Cabanas, që po ashtu e udhëheq skuadrën pejane Besa Famgas. Cabanas, një legjendë e hendbollit spanjoll, ka vlerësuar se Alonso do të ishte shumë i vlefshëm për Kosovën. Por sipas tij duhet që federata e lojtari të vendosin për këtë çështje.

Victor Alonso po shquhet me lojëra të mira te Besa Famgas, por kampionia e Kosovës ende nuk është sfiduar këtë edicion. Priten ndeshjet e forta për të konfirmuar cilësinë e Alonsos, që në Spanjë në edicionin e kaluar ishte realizatori i katërt më i mirë i ligës elite. Ai kishte shënuar 96 gola në 19 ndeshje për skuadrën Angel Ximenez.

Ai ka luajtur gjatë në elitën e Spanjës për skuadra si: Portland San Antonio, Oviedo, Valladolid, BM Nava, Atletico Madrid, Ademar Leon. Ishte edhe në Francë te skuadra Creteil dhe te skuadra rumune Stiinta Dedeman Bacau.

Për Spanjën ka luajtur që nga mosha 15-vjeçare. Kur ishte 22-vjeçar debutoi te seniorët. Ka pak ndeshje zyrtare.

“Kam luajtur në të gjitha kategoritë e përfaqësueses së Spanjës. Po ashtu kam luajtur në ekipin e parë të Spanjës, në Ligën e Kampionëve dhe po ashtu në ekipin më të mirë në Spanjë. Gjëja e vetme që mund të them është se unë jam i gatshëm”, ka theksuar Alonso.

Ai beson se me trajnerin Cabanas do të mund të bënte punë të mirë. Në të vërtetë Cabanas është emëruar kryetrajner vetëm për dy ndeshjet e kësaj jave, në pamundësi që selektori Taip Ramadani të udhëtojë nga Australia. Është vlerësuar se Cabanas ka bërë punë të mirë ndaj Malit të Zi.

“Jam këtu që nga muaji gusht. Familja ime dhe unë po ndihemi shumë mirë këtu. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe na ndihmojnë me të gjitha gjërat që na duhen. Nuk mund të shpjegoj se si po ndihemi këtu më mirë se të tregoj që fëmija ynë i dytë do të lindë këtu në Kosovë”, ka theksuar Alonso.

Ai ka thënë se ka pesë vjet që nuk është ftuar nga Spanja. Pra, nuk ka pengesa që të ndërroj përfaqësuesen. Fillimisht duhet të pajiset me pasaportë të Kosovës dhe kjo jo gjithnjë është procedurë e lehtë. Por fakti se një lojtar me të kaluar te Spanja, që është superfuqi e sportit, dëshiron të luajë për Kosovën, vlerësohet se i bën nder edhe përfaqësueses së vendit.