Futbollistet e Kosovës, grupmosha U-19, kanë përfunduar paraqitjen në eliminatoret për “Euro 2020” në vendin e fundit të grupit të 12-të. Kosova U-19 ka luajtur në raundin e parë kualifikues, ndërsa ndeshjen e fundit e kishte të martën ndaj Turqisë.
Ndeshja e luajtur në Manavgat të Turqisë përfundoi me shifrat 2:2. Kosova e Turqia e mbyllën garën me nga një pikë, por për shkak të goldallimit më të mirë, Turqia u rendit e treta. Kosova ka pranuar gol në minutën e 91-të për të mbetur pa fitore në këtë cikël. Në të vërtetë, Turqia kaloi në epërsi që në minutën e tretë e më pas Kosova shënoi dy herë, përmes Albulena Fejzës në minutën e 36-të dhe Anjeza Rexhepit në minutën e 67-të.
Kosova U-19 fillimisht kishte pësuar 8:0 nga Danimarka e më pas 6:1 nga Hungaria. Danimarka e Hungaria avancuan tutje, shkruan Koha Ditore.
Ndërkohë përfaqësuesja U-17 e futbollistëve, të martën, ka udhëtuar për në Holandë, ku zhvillohet turneu i grupit të 12-të të raundit kualifikues për "Euro 2020".
Kosova të mërkurën takohet me Holandën vendase. Më 12 tetor luan me Slloveninë, ndërsa më 15 tetor me Uellsin.
"Jemi plotësisht të vetëdijshëm se në këtë rreth parakualifikues para vetes kemi rivalë të fortë e cilësorë. Por kjo nuk do të thotë se ne udhëtojmë me flamur të bardhë. Përkundrazi, djemtë janë të gatshëm të japin më të mirën e mundshme dhe në çdo ndeshje do të hyjmë me seriozitetin maksimal për rezultate të mira. Nuk ka skuadër të pamposhtur, secila ka anët pozitive dhe dobësitë e saj. Ne do të përpiqemi të kualifikohemi në rrethin tjetër", ka thënë përzgjedhësi i Kosovës U-17, Besnik Kollari. 14 prej 20 lojtarëve të ftuar bëjnë karrierë në vende evropiane.