Sport

Mitrovica kërkon fitoren e radhës në "Champions"

Futbollistet e Mitrovicës kthehen të shtunën (sot) në stadiumin e qytetit në Nikshiq me shpresë për sukses të ri, që mund të jetë vendimtar për të bërë hap të madh në Ligën e Kampionëve.

Të mërkurën, Mitrovica fitoi 2:1 ndaj Olimpia Clujit të Rumanisë, po në Nikshiq. Ishte kjo fitorja e parë e skuadrave kosovare në Ligën e Kampionëve për futbolliste, në pjesëmarrjen e katërt.

Cluji është vlerësuar favorit i grupit, ndërsa pas fitores Mitrovica ka gjasat më të mëdha për të fituar grupin dhe kështu të kalojë në raundin nokaut, që do të ishte sukses i madh.

Para se të niste turneu i grupit të dytë të raundit kualifikues, kampiones kosovare nuk i janë dhënë shumë gjasa për sukses. Por pas fitores ndaj Clujit të favorizuar, rrethanat kanë ndryshuar. Në favor Mitrovicës i ka shkuar edhe barazimi në ndeshjen tjetër ndërmjet Breznicas së Malit të Zi me NSA Sofia të Bullgarisë (4:4). Tani Mitrovica luan me NSA Sofian, të shtunën (sot) nga ora 17:30 në Nikshiq të Malit të Zi. Në ora 18:00 luhet ndeshja në mes të Clujit dhe Breznicas, në Budvë. Mitrovica me fitore eventuale rrit shumë gjasat për kalim tutje. Nëse eventualisht ndeshja tjetër përfundon baras dhe Mitrovica fiton, atëherë skuadra kosovare qysh sot do të siguronte kualifikimin historik. Në raundin nokaut presin skuadrat më të mëdha evropiane. (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)