Sport

18 sportistë të Kosovës sivjet në Festivalin Olimpik në Baku

Descriptive Text

18 sportistët e Kosovës pritet të kthehen me medalje nga Festivali Olimpik “Baku 2019” që këtë vit mbahet në Baku të Azerbajxhanit nga data 20 deri 28 korrik.

Kështu u tha në një konferencë për media të Komitetit Olimpik të Kosovës, ku u prezantua ekipi prej 18 sportistësh, prej tyre 10 femra dhe 8 meshkuj. 

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, tha se është e rëndësishme që në këtë festival olimpik që po mbahet në një vend që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, kjo e fundit po prezantohet e barabartë sikurse vendet e tjera.

Hasani: Në Baku marrim pjesë me 18 sportistë që presim të kthehen me medalje.

“Pavarësisht se nuk jemi njohur, ne jemi të barabartë sikurse edhe 49 shtete të tjera. Pra, gjithsej jemi 50 shtete që do të marrim pjesë në Baku, në festivalin olimpik. Sportistët që po i shihni përpara, janë 18. Prej tyre, 10 femra e 8 meshkuj, nga 5 sporte të ndryshme, të cilët janë përgatitur që ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme... KOK është përkujdesur që t’iu mundësojë këtyre të rejave e të rinjve për sfidën në Baku, dhe besoj se do të japin maksimumin”, tha ai. 

Trajneri Ziber Gjoni bëri të ditur se është bërë përgatitja e të gjithë sportistëve, që sipas tij do të mundësojë rezultate mbresëlënëse. 

Gjoni: Rruga për medalje është e hapur: “Konsideroj se rruga për medalje është e hapur. Erza veç është medaliste. Do të thotë Kosova ka rrugën e hapur, gjithçka është e mundur tash. Varet puna e gjithë sportistëve dhe trajnerëve sesa do të tregojnë punën e tyre, të cilën e kanë bërë nëpër klube”, tha Gjoni. 

Sportisti Muhamet Ramadani që do të përfaqësojë Kosovën në atletikë, gjegjësisht në disiplinën e hedhjes së diskut dhe gjyles, u shpreh i lumtur që do të marrë pjesë në festival. 

Ramadani: Shpresoj që do të kthehemi me medalje

“Jam shumë i lumtur që do të marrim pjesë në Festivalin Olimpik evropian që do të mbahet në Baku të Azerbajxhanit.  Shpresoj që do të kthehemi edhe me medalje”, tha ai. 

Edhe Vesa Gjinaj, e cila përfaqëson Kosovën në tenis, tha se beson që do të kthehen me medalje. 

Ndryshe, Kosova në Festivalin Olimpik “Baku 2019” do të garojë më 18 sportistë në 5 sporte të ndryshme.

Nga Federata e Xhudos, vendi do të përfaqësohet nga Erza Muminoviq, Fationa Kasapi dhe Festim Beqiri, të tre këta me trajner Fatos Tabakun; në fushën e atletikës vendi do të përfaqësohet nga Muhamet Ramadani, Leon Thaçi, Albina Bojaxhiu dhe Diellza Selaci, me trajner Xhavit Tahirin.

Në mundje vendi do të përfaqësohet  nga Urim Qili dhe Njomëza Krasniqi me trajner Ziber Xhonin; në not do të garojnë Vigan Bytyqi, Olt Kondinolli, Hana Fejzullahu, Jona Macula dhe Elona Zhugolli me trajner Ardian Hamitin ndërsa janë sportistët Melos Nallbani Fresk Sylhasi, Vesa Gjinaj dhe Forta Morina, që të shoqëruar nga trajneri Festim Ibrahimi, do të përfaqësojnë Kosovën në tenis.