Sport

Ish-futbollisti i Dritës i shënon gol Interit

Sulmuesi i Luganos, Leotrim Kryeziu, është ndarë i kënaqur me golin e shënuar të dielën në miqësoren ndaj Interit të udhëhequr nga trajneri italian, Antonio Conte.

Kryeziu e shënoi golin e vetëm për Luganon që pësoi disfatë nga skuadra e madhe italiane, Inter, me rezultatin 2:1.

Por, futbollisti i U19 të Kosovës në një intervistë dhënë “Sportit në KTV”, ka thënë se goli i shënuar ndaj një skuadre të madhe, e motivon për të ardhmen.

Kryeziu ka shpresa që në edicionin e ri të Superligës së Zvicrës, do të ketë më shumë hapësirë në ekipin e parë të Luganos. Ai edicionin e kaluar luajti vetëm shtatë minuta për ekipin zviceran, derisa në tre ndeshje tjera ishte në stol, derisa për ekipin e dytë të Luganos ka shënuar dhjetë gola në 11 ndeshje.

Kryeziu te Lugano u transferua në gusht të vitit të kaluar nga skuadra e Dritës së Gjilanit. Me ekipin elitar të Zvicrës ka kontratë deri në verën e vitit 2022, por synon shpejt të kalojë në ndonjë skuadër më të madhe evropiane.

Kryeziu shpreson që shumë shpejt të marrë një ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes.

20-vjeçari ka luajtur për U-19 e Kosovës, ku në gjashtë paraqitje ka shënuar pesë gola.