Sport

Mbrojtja e Kosovës “çalon” për arsye josportive

Mbrojtësi Loret Sadiku vazhdon të shprehë zhgënjimin në intervista të ndryshme që nuk po mund të përfaqësojë Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.

Ai është shëndosh e mirë dhe i gatshëm të luajë, por përfaqësimin e vendit prej nga vjen nuk ia lejon rregullorja e FIFA-s. Në të, si mbrojtësin më të mirë "në treg" tash për tash, Kosova kishte llogaritur shumë, por ende nuk është dorëzuar plotësisht.

Për çështje që nuk kanë të bëjnë me sportin, reparti i mbrojtjes i përfaqësueses së Kosovës po vuan mungesën edhe të një mbrojtësi tjetër, që ishte vlerësuar perspektiv - Bajram Jashanica. Edhe atë nuk po e lejon FIFA të luajë, madje as për klubin e tij, Skënderbeu.

Derisa Sadikut nuk po i lejohet të luajë për Kosovën, me arsyetimin e FIFA-s se tashmë ka bërë një ndërrim të përfaqësueses, nga Suedia në Shqipëri, Jashanica është i suspenduar për shkak të dopingut. Pak muaj i ka vuajtur dhe i ka mbetur edhe një vit e gjysmë.

Kosova në ndeshjet e fundit ka pranuar pak gola, por edhe rivalët ishin të nivelit të saj apo më të dobët. Në rastin e parë kur iu paraqit një mungesë, mbrojtja ra./Faton Polisi.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).