SOT

Kultivimi i qershive, vishnjave, boronicave e mollëve në Junik

Të shtrira në natyrën e bukur të Junikut, janë këto plantacionet me mbi 30 hektarë ku janë të mbjella qershitë, vishnjat, boronicat dhe mollët.

Pemët me qershi mbulojnë rreth 8 hektarë të këtyre plantacioneve e edhe prej tyre ka lloje të ndryshme.

Për Jeton Mazrekajn, agronom me profesion, qershitë mbesin frutat më të preferuara të tij.

Këtë e tregon edhe fakti se kujdesi ndaj tyre më shumë është kënaqësi për të sesa punë.

Qershori njihet si muaji i qershive dhe fare pranë këtij muaji ato veçse e kanë filluar fazën e frytdhënies.

Por, kjo nuk do të thotë se qershitë nuk kanë nevojë për kujdes gjatë tërë vitit.

Kryesisht mirëmbajtja e tyre kërkon kujdesin ndaj insekteve dhe faktorëve të tjerë që mund t’i dëmtojnë.

Vishnjat dhe qershitë i takojnë të njëjtës familje e dallojnë vetëm për nga shija të cilën vishnjat e kanë më të thartë.

3 hektarë janë të mbjella me vishnja në këto plantacione.

Frutat e tyre e edhe të qershive kryesisht shiten të freskëta dhe tregu vendor është caku i kultivuesve.

Nga frutat të cilat veçse kanë filluar të dalin vërehet se ato janë të punuara mirë e nuk u ka munguar kujdesi.

E, edhe lloji i tokës në të cilin këto pemë kultivohen e luan një rol të rëndësishëm në rendiment.

Për Bekë Pepshin, më të veçanta janë boronicat.

Edhe nga mënyra se si kultivohen, edhe për nga kujdesi që e kërkojnë.

Toka për të kultivuar boronica kualitative duhet të jetë më acidike, tregon ai.

E një trung i tyre mund të ofrojë deri në 10 kilogramë rendiment.

Përkundër qershive dhe vishnjave, boronicat shiten më tepër në tregun ndërkombëtar.

Derisa frutat e mollëve piqen më vonë, me disa varietete të tyre janë të mbjella plot 17 hektarë.