“Rrobaqepësi mund të bëhet çantapunues, por çantapunuesi nuk mund të bëhet rrobaqepës”, thotë Jakup Çeshmexhiu, i cili i ka të dyja këto zanate.
Atë të rrobaqepësit tregon se e ka nga dëshira e të çantapunuesit nga nevoja pasi që u largua nga puna si kostumograf në Teatrin Kombëtar në vitet ‘90.
Ka thuajse 60 vjet që e ka këtë punë, e cila edhe në ditët e sotme mbetet e dashur për të.
Këta 60 vjet përvojë Çeshmexhiut i kanë krijuar kujtime të shumta.
Si më të veçantin kujtim e përmend atë kur i ka qepur disa çanta, të cilat më vonë e ka kuptuar se ishin për pjesëtarë të UÇK-së.
Rastet e tilla gjatë jetës së tij si rrobaqepës e çantapunues ia kanë shtuar vullnetin e dashurinë për profesionin që e ka zgjedhur në rini.
Pak muaj e ndajnë nga ditëlindja e 72-të, tregon ai, e pavarësisht moshës çdo ditë, në kohë të saktë e hap dyqanin e i pret myshterinjtë.
E që ata të jenë të kënaqur me punën e tij është qëllimi që e ka tash e 60 vjet.
As të dielat nuk e ndajnë nga makina e qepjes.
Sa të ketë jetë thotë se do ta vazhdojë zanatin e rrobaqepësit dhe çantapunuesit.
Mjeshtër Jakupi, siç e njohin klientët e kamotshëm, e sheh si problem shuarjen e zanateve në vend, e rrobaqepësinë e ka trashëguar vetëm te njëri djalë i tij.