Shtojca për Kulturë

Vlera dhe doktrinat aksiologjike në shkencën letrare shqiptare

Në shkencën letrare shqiptare çështja e vlerësimit të përvojës estetike (të vetive të objektit bashkë me aktin estetik) është lënë në diskrecionin e teorive dhe metodave, të cilat orientohen nga koncepti teorik i estetikës kantiane të “mosinteresimit

Në shkencën letrare shqiptare çështja e vlerësimit të përvojës estetike (të vetive të objektit bashkë me aktin estetik) është lënë në diskrecionin e teorive dhe metodave, të cilat orientohen nga koncepti teorik i estetikës kantiane të “mosinteresimit

Ka vepra artistike që kanë vlerë estetike; ka vepra artistike me veti joestetike (shembull: arti avangardë) ashtu siç ka vepra jo artistike me veti estetike (objekte të ndryshme: një rrotë karroce e vendosur në murin e një kafeneje etj.). Zotërimi i kuptimit të veprave artistike me vlerë estetike është i mundshëm përmes shijes artistike. Shija artistike nuk është ndjenjë subjektive vlerësimi, por një nga aftësitë më të larta intelektuale, e cila qëndron mbi aftësitë perceptuese. Përmes shijes, si të tillë, ne arrijmë të bëjmë dallimin dhe vlerësimin e vetive të objekteve të vërteta estetike nga ato joestetike brenda një vepre artistike

Hyrje

Sintagmat terminologjike “vlerë estetike”, “vlerë artistike”, “natyra specifike e artit letrar”  janë nga më të përdorurat në shkencën letrare shqiptare. Këto sintagma terminologjike kuptueshmërisht merren si të mirëqena. Në debatet shkencore për letërsinë, sidomos pas rënies së komunizmit në Shqipëri, mbitheksueshëm thuhet se arti letrar duhet trajtohet vetëm për vlerën estetike e artistike që ai ka. Ç’është vlera? Çfarë e përcakton një vepër letrare që të ketë vlerë estetike? Çfarë e përcakton një vepër letrare që të ketë vlerë artistike? A e kanë të njëjtën përmasë semantike togfjalëshi terminologjik “vlerë estetike” me togfjalëshin terminologjik “vlerë artistike”? Nëse po, ku qëndron njëjtësia e tyre? Nëse jo, ku qëndron dallimi midis tyre? A janë vetitë estetike të objektit ato që e përcaktojnë një përvojë estetike? Çfarë e bën të dallojë një përvojë estetike nga përvojat tjera të perceptimit dhe të të kuptuarit?

Vlera dhe vlerësimi i artit është një kategori tejet e gjerë kuptimore për t’u futur brenda kornizave të kategorive metodologjike e epistemologjike të shkencës për letërsinë. Vlerësimi përbën aftësinë më të lartë reflektive për zotërimin e kuptimit të asaj që është e rëndësishme për emancipimin e vetëdijes për ekzistencën njerëzore dhe për përcaktimin e orientimeve domethënëse për ekzistencën e individit, shoqërisë, kombit dhe të njerëzimit. Pa dimensionin aksiologjik, epistemologjia nuk është e aftë ta ngritë kuptimin dhe funksionin e letërsisë në shkallën e një veprimtarie të rëndësishme sociale dhe të një disipline humane. E vetme, ajo vetëm sa i ndihmon uljes së prestigjit dhe statusit kulturor e social që ka arti letrar. Është aksiologjia e cila na mundëson të kuptojmë mënyrat se si letërsia i intensifikon kuptimet e përbashkëta kulturore, të cilat janë të ngulitura në marrëdhëniet njerëzore e shoqërore universalisht të pranueshme.

Në këtë trajtesë do të merremi me konceptin për vlerën dhe me pikëpamjet aksiologjike në shkencën letrare shqiptare, si një dimension njohës (bashkë me ontologjinë dhe epistemologjinë), roli i të cilave është tejet i rëndësishëm për strukturimin dhe normativizimin e shkencës letrare.

Vlera si çështje e filozofisë së artit

Në shkencën letrare shqiptare çështja e vlerësimit të përvojës estetike (të vetive të objektit bashkë me aktin estetik) është lënë në diskrecionin e teorive dhe metodave, të cilat orientohen nga koncepti teorik i estetikës kantiane të “mosinteresimit”. Për rrjedhojë, një vepre me natyrë, fund e krye, teologjike, përmes trajtimeve strukturaliste, postrukturalise e semiotike, artificialisht i atribuohet natyra dhe intencionaliteti i ekzistencës së saj si vepër me vlerë artistike në vete. Logjika e hulumtimit aksiologjik të praktikës së veprave artistike brenda shkencës letrare shqiptare vetitë materiale të objektit estetik (veçoritë stilistike-gjuhësore, narratologjike, kompozicionale-fabulative etj.) të perceptueshme empirikisht, do t’i trajtojë si vlerë estetike në vete dhe për vete.          Për shkencën letrare shqiptare, as dje e as sot, nuk ka qenë problem përkufizimi i askiologjisë dhe objektit të saj, por i asaj se çfarë është aksiologjike, çfarë e përcakton vlerën e një vepre që ajo i nënshtrohet vëmendjes dhe procesit të vlerësimit. Objekti i aksiologjisë është vlera, si masë për matjen e standardeve të nevojave shpirtërore e materiale të një shoqërie, si dhe vlerësimi, si proces sistematik më i rëndësishmi intelektual, i cili i bën të justifikueshme epistemikisht besimet për cilësitë, efektet dhe meritën e vlerës së diçkaje. Vlera dhe vlerësimi, edhe pse nuk janë identike, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Gjykimi vlerësues përcaktohet nga koncepti që kemi për vlerën. 

Një nga problemet e rëndësishme që ka tërhequr, në mënyrë të vazhdueshme, vëmendjen e  mendimit aksiologjik për artin, është përvoja estetike, struktura, funksioni dhe qëllimi i saj. Çështja kruciale e këtij problemi është se ekzistenca e përvojës estetike a duhet të vlerësohet për hir të saj, apo për hir të diçkaje tjetër, si një përvojë instrumentale? Pra, a duhet konsideruar atë si një realitet i pavarur, apo si një përbërës që ndërvepron me realitetet tjera dhe u shërben atyre? Çfarë është ajo që e përcakton identitetin e përvojës estetike dhe që e dallon atë nga përvoja artistike dhe nga përvojat tjera njohëse? Cili është thelbi i vlerës që një përvojë estetike e bën të dallojë nga përvoja tjera?

Sipas filozofit të artit, Robert Stecker, përvoja estetike është një entitet autonom e cila vlerësohet për hir të vetive estetike të një objekti që është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me përvojën të cilën ne e vlerësojmë për hir të saj, e jo për ndonjë qëllim praktik e utilitar, siç ndodh me përvojat tjera. Vlerësimet estetike janë vlerësime të aftësisë që ka një objekt për të ofruar përvoja, të tilla kur ai perceptohet dhe kuptohet saktë (Robert Stecker, “Aesthetics and the Philosophy of Art”, “Rowman & Littlefield Publishers, Inc.”, New York, 2010, fq. 69). Pra, një përvojë estetike dallon nga përvojat tjera për shkak të natyrës së përgjigjes jo utilitare që ajo shkakton te përjetuesi kundrejt objektit. Por, një parim i tillë a vlen edhe për përvojën artistike? Sipas Robert Stecker vlera estetike dhe vlera artistike, edhe pse janë të lidhura me vlerën, ato dallojnë mes vete. Procesi i perceptimit të veprave të artit nuk bazohet vetëm në aftësitë e përjetimit estetik dhe në kapacitetet e përvojës estetike. Sipas Steckerit, përvoja dhe vlera artistike janë një koncept më i gjerë se sa përvoja dhe vlera estetike. Ka vepra artistike që kanë vlerë estetike; ka vepra artistike me veti joestetike (shembull: arti avangardë) ashtu siç ka vepra jo artistike me veti estetike (objekte të ndryshme: një rrotë karroce e vendosur në murin e një kafeneje etj.). Zotërimi i kuptimit të veprave artistike me vlerë estetike është i mundshëm përmes shijes artistike. Shija artistike nuk është ndjenjë subjektive vlerësimi, por një nga aftësitë më të larta intelektuale, e cila qëndron mbi aftësitë perceptuese. Përmes shijes, si të tillë, ne arrijmë të bëjmë dallimin dhe vlerësimin e vetive të objekteve të vërteta estetike nga ato joestetike brenda një vepre artistike (R. Stecker, fq.69).                                                                                          

Vlera artistike brenda vetes e përfshin si vlerën estetike ashtu edhe vlera të tjera njohëse etike, historike, sociale, kulturore, të cilat janë të lidhura me interpretimin. Një vepër arti është artistikisht e vlefshme nëse përmban veti, të cilat nxisin nevojën e kapjes së kuptimit të veprës përmes interpretimit. Vlera artistike gjithnjë është e lidhur me kuptimin e veprës, ndërsa vlera estetike mund të vlerësohet pa një kuptim të tillë interpretues. Vetitë estetike të objektit janë fakticitet, “ajo që është”; vlera artistike ka karakter normativ, sepse nga “ajo që është” kërkon se si “duhet të jetë”. Në fakticitet nuk ka kërkesë; në vlerë artistike gjithnjë banon një nevojë për diçka përtej fakticitetit (shih, Ivan Focht, “Uvod u estetiku”, “ZIU”, Sarajevo, 1972, 231). Vlera artistike është konservuesja e fakticitetit. Kjo do të thotë: në vlerën artistike banon një nevojë, një kërkesë.

Aksiologu Cyril Arnaud, duke qenë kundërshtar i koncepteve që cilësitë i lidhin me vetë konceptin e vlerës, në propozimin e tij për një metodë të re të aksiologjisë, nevojën apo kërkesën –  si banore të vlerës –  e sheh në kategorinë e dashurisë. Ai thotë: “...të kesh vlerë do të ishte të jesh ‘i denjë për dashuri’”, apo edhe “të zësh një vend të lartë në hierarkinë e qenieve” (Cyril Arnaud, “Axiologie” 4.0, 2012, fq.181, në https://www.axiologie.org/probleme-valeurs/fondement-valeur/valeurs.html [12.03.2025]. Dhe: “Dashuria...përfshin dallimin e objektit të dashur nga të tjerët, vendosjen e tij në një piedestal, vendosjen e tij në një ‘lartësi’ që të tjerët nuk e kanë.” (Cyril Arnaud, fq.184). Nga këtu del çështja e ndërlidhjes reciproke që ekziston midis natyrës së vlerës dhe natyrës dhe funksionit të hierarkisë. Arnaud thotë: “Për të zbuluar këtë hierarki vlerash së pari duhet të kuptojmë se si funksionon një hierarki, të identifikojmë kushtet thelbësore që rregullojnë çdo hierarki, me pak fjalë, të përcaktojmë se çfarë është hierarkia...Para së gjithash na duket se për çdo hierarki, ka diçka që parashtrohet si termi më i lartë i kësaj hierarkie, dhe diçka tjetër që parashtrohet si termi më i ulët” (Cyril Arnaud, fq.184).

Kaosi aksiologjik në shkencën letrare shqiptare është rrjedhojë e logjikës empirike, e cila karakterin ontologjik të natyrës të vlerës dhe hierarkisë e zhvendos në nivelin e një koncepti përceptimor –  përvojor, duke prodhuar efektin e vendosjes së vlerës në shumës (e jo në njëjës) dhe mungesën totale të hierarkisë, si koncept strukturues dhe normativizues i vlerave. Procesi i vlerësimit të vlerës artistike gjithnjë mbetet i pjesshëm e jo i saktë, për aq sa nuk merret parasysh statusi ontologjik i vetë vlerës. Vetë aksiologjia, në mënyrë eskplicite apo implicite, orientohet nga ontologjia. Shkenca jonë letrare, në njërën anë, gamën e marrëdhënieve midis ontologjisë, epistemologjisë dhe aksiologjisë, do ta reduktojë brenda funksionit dhe qëllimit epistemologjik (teorive dhe metodave letrare), ndërsa, nga ana tjetër, ontologjinë do ta nxjerrë jashtë fushëpamjes së vet mendimore si një dimension i parëndësishëm për vlerësimin e artit letrar.        

Shpërfytyrimi i marrëdhënies reale që ekziston midis ontologjisë, epistemogjisë dhe aksiologjisë, në shkencën letrare shqiptare është shndërruar në një bazament për konsolidimin e ngrehinës së kaosit aksiologjik.  

Marrëdhënia e ontologjisë, epistemologjisë dhe aksiologjisë

Përcaktimi i vlerës së një gjëje (aksiologjia) është i kushtëzuar nga përcaktimi i natyrës së vetë gjësë (ontologjia) dhe i mënyrës si na jepet një gjë (epistemologjia). Ndërsa ontologjia, si disiplinë filozofike, merret me studimin e qenies, me ligjshmëritë objektive se si ekzistojnë gjërat, dhe orientohet në çështjen se a ekziston një botë reale “atje” dhe cila është natyra e saj; epistemologjia na orienton në pyetjen se çfarë dhe si mund të dimë për atë botë, askiologjia, ndërkaq, na orienton te pyetja se cila është vlera e gjësë që njohim. Në shkencën tonë letrare, sidomos pas rënies së komunizmit, me aplikimin teorive strukturaliste e postmoderniste, në praktikën e hulumtimit të logjikës së praktikës letrares shqiptare mbizotërueshëm ekziston prirja për përjashtimin e ontologjisë nga fushëveprimi i vetëdijes reflektive për letërsinë, si dhe për shkrirjen e aksiologjisë në epistemologji.        

Ontologjia është në marrëdhënie ndërsubjektive me epistemologjinë dhe aksiologjinë dhe kushti i tyre.  Pra, ajo ka rol parësor në këtë marrëdhënie. Një pikëpamje e tillë, e cila i jep përparësi ontologjisë në raport me epistemologjinë, për postrukturalistët dhe posmodernistët është i papranueshëm, sepse për ata ontologjia është një subjekt mendimor jolegjitim për faktin se në qendër e ka të vërtetën. Të parat, në mënyrë implicite apo eksplicite, i japin orientim të dytave. Ontologjia është një disiplinë e përgjithshme, por meqenëse ka sfera të ndryshme qeniesh, ontologjia ndahet në fusha të ngushta të specializuara. Në këtë mes bën pjesë edhe ontologjia e artit (letrar), si një nga format e vetëdijes reflektive. Ontologjia e artit merret me vetë qenien e veprës së artit dhe me qenien që realizohet në veprën artistike. Ajo përpiqet të shpjegojë se “si ekziston arti, çfarë i duhet për të ekzistuar dhe çfarë lloj vetjeje është kur ai ekziston” (Ivan Focht, “Istina i biće umjetnosti”, “Svjetlost”, Sarajevo,1959, fq.113). Në të tri këto pyetje të ontologjisë së artit në mënyrë implicite janë të përfshira pyetjet epistemologjike dhe aksiologjike. Përcaktimi i pozicioneve ontologjike në shkencën letrare shqiptare është kusht për përcaktimin e pozicioneve aksiologjike.

Paul Furlong dhe David Marash dallojmë dy pozicione të gjera ontologjike: fundamentalizmin, që shihet më shpesh si objektivizëm ose realizëm; dhe anti-fundamentalizmi, që shihet më shpesh si konstruktivizëm ose relativizëm (Paul Furlong and David Marash, “A Skin Not a Sweater: Ontology and Epistemology”, në Theory and Methods in Political Science (3rd edition), England, fq. 189). Pozicioni ontologjik fundamentalist edhe pse e pohon ekzistencën e një bote të pavarur nga shqisat tona, megjithatë konsideron se ajo botë mund të njihet përmes ndërmjetësimit të shqisave dhe arsyes sonë. Përkundër saj, pozicioni ontologjik antifundamentalist e problematizon radikalisht çështjen e mundësisë së njohjes së ekzistencës së një bote të pavarur nga shqisat tona, sepse sipas këtij pozicioni, ne nuk mund të kemi qasje të drejtpërdrejtë me botën, por kemi qasje të drejtpërdrejtë vetëm me ndjesitë tona, të cilat mund të ndryshojnë sipas dëshirës së imagjinatës sonë (shih, Alan Sokal & Jean Bricmont, “Intelektualët mashtrues: Abuzimi me shkencën nga filozofia postmoderne - Marrëzia në mode”, (përktheu Greta Avdyli), “Albas”, Tiranë, 2022, fq.89).        

Ndërsa pozicioni ontologjik fundamentalist/objektivist/realist theksin e vë në shpjegimin e fenomeneve, pozicioni antifundamentalist/subjektivist/relativist theksin e vë mbi të kuptuarit të fenomeneve. Në qoftë se pozicioni ontologjik fundamentalsit konsideron se, përmes shpjegimit induktiv, është i mundur të vendosen marrëdhënie shkakësore midis fenomeneve që ekzistojnë në kohë dhe hapësirë, pozicioni ontologjik antifundamentalist, me theksin e vet hermeneutik, e mohon një mundësi të tillë. Megjithatë, ekzistojnë dallime edhe midis trajtës pozitiviste dhe trajtës realiste të pozicionit ontologjik. Ndërsa pozitivizmi ontologjik e privilegjon vëzhgimin e drejtpërdrejtë të faktit, të realitetit, pozicioni realist “beson se ekzistojnë marrëdhënie të thella strukturore...të cilat nuk mund të vërehen drejtpërdrejt, por që janë thelbësore për çdo shpjegim” (Paul Furlong & David Marash, fq.192)

Shkenca letrare shqiptare dhe doktrinat aksiologjike

Prej ecurisë së zhvillimit të kritikës letrare shqipe pas Luftës së Dytë Botërore e këtej, gjithnjë duke u bazuar në kriterin e problemeve me të cilat ajo do të merret, dallojmë tri sisteme epistemike:

1) Sistemin epistemik pozitivist (me përfaqësues Dhimitër Shteriqin), i cili degëzohet në dy lloje: a) në llojin natyralist-esencialist, dhe b) në llojin historiko-shoqëror; 2) Sistemin epistemik imanentist (me përfaqësues Sabri Hamitin), i cili, po ashtu, degëzohet në dy lloje: a) në llojin tematik – subjektivist; b) në llojin struktural – objektivist (me përfaqësues Bajram Krasniqi); dhe 3) Sistemi epistemik integralist (me përfaqësues Rexhep Qosja)

Në qoftë se gjatë etapës së parë të gjysmës së dytë të shekullit XX, zhvillimin e shkencës letrare shqiptare do ta përcaktojë sistemi epistemik pozitivist, në etapën e dytë, shkenca letrare shqiptare do t’i zgjerojë mundësitë e veta njohëse duke përdorur edhe burime të tjera epistemologjike, si: sistemin epistemik imanentist të llojit tematik-objektivist dhe sistemi epistemik integral.

Në shkencën letrare janë pozicionet ontologjike ato që do t’i përcaktojnë përmbajtjet e doktrinave aksiologjike. Cyril Arnaud identifikon tri doktrina aksiologjike (dhe llojet e tyre). E para është doktrina aksiologjike objektiviste, e cila konsideron se vlera ekziston në objektin, pavarësisht subjektit, dhe e përcakton gjykimin vlerësues e këtij të fundit. Metoda e doktrinës aksiologjike objektiviste është empirizmi. Kjo doktrinë aksiologjike orientohet kah pozicioni i ontologjisë fundamentaliste të tipit objektivist/realist dhe, në shkencën tonë letrare i përgjigjet sistemit epistemik pozitivist të llojit historiko-shoqëror. E dyta është doktrina aksiologjike formale e llojit: a) intuicist, dhe b) formale-logjike. Metoda e llojit të parë është intuicizmi, sipas të cilit vlera e gjësë jepet në drejtpërdrejtshmërinë e tanishme të intuitës, pa ndërmjetësimin e asnjë metode. Sipas doktrinës aksiologjike imanentiste/subjektiviste, gjërat në vetvete nuk kanë vlera, por janë subjektet që iu atribuojnë ato. Kjo doktrinë aksiologjike orientohet nga pozicioni i ontologjisë antifundalemtaliste/relativiste, dhe, në shkencën tonë letrare, i përgjigjet sistemit epistemik imanentist/subjektivist të llojit tematik. Arnaud dallon edhe doktrinën aksiologjike subjektiviste të a) llojit klasik, premisë e së cilës është nihilizmi, dhe b) llojit krijues, e cila, brenda vetes, e integron nihilizmi për ta tejkaluar atë (Cyril Arnaud, fq.153). Duke qenë se gjërat nuk kanë vlerë në vetvete, për subjektivizmin klasik (me karakter nihilist), vlera nuk është një problem mendimor që kërkon zgjidhje. Ndërkaq, metoda e llojit të dytë të doktrinës aksiologjike formale-logjike, konsideron se nuk është e nevojshme që vlera të njihet sipas përmbajtjes që ajo ka, por mjafton që ajo të vendoset brenda rregullave të formale-logjike. Metoda aksiologjike formale-logjike bazohet në pikëpamjen e ontologjisë antifundamentaliste/relativiste, duke e vënë theksin mbi të kuptuarit të fenomeneve formale/objektive të veprave artistike (shembull: Bajram Krasniqi, “Poetika e prozës së Ismail Kadaresë”). Doktrina e tretë aksiologjike bazohet në metodën aksiologjike integraliste, e cila, për ndryshim nga metoda e parë dhe e dytë, nuk bazohet as vetëm në objektin e as vetëm në subjektin, por në marrëdhënien midis tyre.          

Pozicionet aksiologjike, përpos se të ndërlidhura me pozicionet ontologjike, janë të ndërlidhura (qoftë në mënyrë eksplicite qoftë në mënyrë implicite) edhe me pozicionet epistemologjike. Pozicioni intepretivist i epistemologjisë do ta mbështesë një pozicion interpretivist të aksiologjisë. Epistemologjisë subjektiviste do t’i përgjigjet doktrina aksiologjike e subjektivizmit klasik; epistemologjisë pozitiviste (objektiviste), e cila faktet i sheh të ndara nga vlerat, i përgjigjet doktrina aksiologjike e subjektivizmit të llojit formal-logjik, e cila vetë vlerën e zbraz nga përmbajta e saj.

Përfundim

Shkalla e zhvillimit të një shkence përcaktohet prej masës dhe cilësisë së zgjidhjes së problemeve me të cilat ajo përballet. Megjithatë, zhvillimi nuk përcaktohet vetëm prej akteve të shtruarjes së problemeve, por prej vlerësimit dhe përkufizimit objektiv që i bëhet natyrës dhe rëndësisë së vetë problemit, të zgjidhur në raport me perspektiven e zhvillimit të shkencës. Në filozofinë e shkencës aksiologjia është disiplina orientuese për zgjedhjen e problemeve, për metodat dhe teoritë, si dhe për vlerësimin e argumenteve epistemike. Vlerësimi në të menduarit shkencor përfaqëson aktivitetin më të lartë intelektual. Pa një konceptim ontologjik të vlerës, procesi i “vlerësimit” degradon në përshkrim të fakteve empirike lehtësisht të perceptueshme. Kaosi aksiologjik në shkencën letrare shqiptare është pasojë e kolonizimit të aksiologjisë nga epistemologjia, me ç’rast vlera dhe vlerësimi identifikohen me lëndën e hulumtimit bashkë me teoritë dhe metodat. Në shkencën letrare shqiptare mjafton që një autor (apo grup autorësh) të jetë i patrajtuar dhe menjëherë të bëhet objekt i ”rëndësishëm” për hulumtim; monografitë që për objekt duhet t’i kenë fenomenet letrare (vlerën që ato përfaqësojnë për kulturën letrare shqiptare), reduktohen në grumbullim emrash autorësh, duke i renditur ata, pa asnjë kriter vlerësimi, brenda kaptinave të librave, si fishekë pushkësh të kalibrave të ndryshëm brenda një karikatori. Mjerë ushtari që, në fushën e betejës, shpresën e vet për mbijetesë e bazon në atë pushkë!