Ajo ishte një kameleon dhe jashtëzakonisht e talentuar. Por edhe në ekspozitën e saj të re mahnitëse në muzeun “Fotografiska”, Vivian Maier mbetet nën hije. Paradoksi i Vivian Maierit është se jeta e saj anonime që ka rrëmbyer imagjinatën e publikut, vazhdon në veprat që ka lënë pas. Kjo është një nga enigmat e shumta pa përgjigje në misterin që e shoqëron Maierin
Vivian Maier ishte një artiste e zhdukjes. Fotografët e rrugës zakonisht qëndrojnë të fshehur kur fotografojnë, por Maier u tërhoq në çdo aspekt të jetës së saj. Historia tashmë e njohur e fotografes që ka kontribuuar shumë në famën e saj pas vdekjes, është se kur ajo e siguronte jetesën duke punuar si dado, profesioni i saj i vërtetë ishte fotografia. Ajo realizonte kryesisht fotografi bardhezi në format katror, me një fotoaparat të markës “Rolleiflex”, i njëjti i përdorur edhe nga shumë prej fotografëve më të shquar si, Diane Arbus, Richard Avedon dhe Bill Brandt.
Fotografitë e saj hynë në sferën publike në vitin 2007 kur, John Maloof, atëkohë një agjent i patundshmërisë i pasionuar pas historisë së Chicagos, bleu atë që kishte nga garazhi i saj për ruajtjen e gjësendeve. Pas ekzaminimit të artikujve që ndodheshin brenda garazhit, ai gjeti edhe disa kuti të tjera, duke grumbulluar përfundimisht më shumë se 100,000 negativë si dhe rreth 3,000 fotografi të printuara. Prej atëherë, Maloof i është përkushtuar promovimit të trashëgimisë së saj dhe u bë bashkëregjisor i dokumentarit të nominuar për “Oscar” në vitin 2014, me titull “Finding Vivian Maier”. Maier, e cila vdiq në vitin 2009 në moshën 83-vjeçare, nuk e takoi kurrë njeriun që do të krijonte famën dhe reputacionin të cilin ajo sot e gëzon.

“Vivian Maier: Unseen Work”, ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 29 shtator në muzeun “Fotografiska” në New York, është e para e fotografes në këtë qytet dhe një nga më të mëdhatë të realizuara ndonjëherë me fotografitë e saj.
Organizuar nga Anne Morin, drejtoresha e kompanisë së menaxhimit kulturor “diChroma Photography” në Madrid, ekspozita vjen e rregulluar në mënyrë tematike dhe e instaluar në formë goxha atraktive, me më shumë se 200 vepra të ekspozuara – përfshirë fotografi me ngjyra dhe audioincizime – si dhe ofron një mundësi të pazakontë për të vlerësuar arritjet e Maierit në këtë profesion.
Fotografitë me ngjyra janë më pak interesante sesa ato bardhezi. Në fotot e realizuara me “Rolleiflex”, mprehtësia e syrit të saj është e pamohueshme. Në mënyrë të përsëritur, Maier kap me lentën e fotoaparatit të saj një detaj bindës, një fytyrë të pazakontë, një moment të mrekullueshëm dhe skena vizuelisht interesante. Ajo gjithashtu kishte një dhunti të veçantë për kompozim.
Se sa mirë e njihte ajo punën e fotografëve të tjerë me famë, është e pamundur të përcaktohet. Por, kjo gjë ka pak rëndësi. Pyetja nuk është nëse Maier ishte inspiruar nga të tjerët, por kush ishte vetë ajo. Një artist përdor fotoaparatin si mjet të vetë-shprehjes. Maier ishte një kameleon jashtëzakonisht e talentuar. Një pjesë e madhe e jetës së saj mbetet mister për publikun mbarëbotëror.
Autoportretet mund të jenë veprat e saj më intriguese. Shpesh përdorte pasqyrat në një formë që duket se adresonin mungesën e një personaliteti të integruar. Në një autoportret të jashtëzakonshëm, të realizuar në New York në vitin 1955, ajo shikon në vitrinën e një dyqani me xham; një pasqyrë rrethore kap fytyrën dhe kapelën e saj, ndërsa një tjetër reflektimin e duarve duke e mbajtur fotoaparatin e saj “Rolleiflex”.

Maier vetëm herë pas here kishte qasje në dhoma të errëta për zhvillimin e fotografive. Cilësia e printimeve të saj gjatë gjithë jetës është inferiore ndaj atyre të bëra kohët e fundit, por mënyra si kishte eliminuar elementet e jashtme i ka përmirësuar dukshëm fotografitë. Kjo i bën njerëzit të habiten se si ajo i ka përdorur të gjitha mundësitë e mundshme për të ndërhyrë me kujdes në punimet e saj.
Kjo është një nga enigmat e shumta pa përgjigje në misterin që e shoqëron Maierin. Artistët që nuk njiheshin gjatë jetës së tyre janë gjithmonë intrigues, në veçanti fotografët, pasi puna e tyre mund të dokumentojë aspekte të një ekzistence në hije dhe të lërë pas shenja magjepsëse.
Paradoksi i Vivian Maierit është se jeta e saj anonime që ka rrëmbyer imagjinatën e publikut, vazhdon në veprat që ka lënë pas. Nga fotografitë, nuk ka asnjë mënyrë për të konstatuar temperamentin e saj apo pikëpamjen që kishte për botën, pavarësisht nga diapazoni i saj i hapur. Ajo nuk e avancoi mediumin e fotografisë, duke kontribuuar me ndonjë gjë unike të sajën. Ky është ndryshimi midis një fotografi shumë të talentuar dhe një artisti të madh.
Pyetja që nuk merr përgjigje mbetet: “kush ishte në të vërtetë Vivian Maier?”. Padyshim fotografitë e saj më të mira dhe më origjinale janë autoportretet në të cilat ajo kërkon të kuptojë se kush është, duke aranzhuar fragmente që nuk bashkohen kurrë.
Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Edona Binaku
https://www.nytimes.com/2024/06/13/arts/design/vivien-maier-photography-fotografiska.html