Shtojca për Kulturë

Valter Deshpali – kontribuues multidimensional i artit muzikor

Të qenët “Polymath” muzikor nuk është mirë vetëm për vetë muzicientin, por ka edhe impakt dhe kontribut shumë më të gjerë se sa një instrumentist i vetëm apo një kompozitor i vetëm. Këtu edhe shihet se sa i gjerë ka qenë kontributi i Valter Deshpalit, sidomos kur një profil komplet i ndryshëm prej instrumentit të tij siç përfitojnë gitaristët nga dija e tij muzikore. Pra, ky personalitet i kulturës tonë, i cili njihet po ashtu për sensin e fortë dhe krenarinë me kulturën dhe prejardhjen e tyre arbëreshe/shqiptare nga e tërë familja Deshpali, është shembull për të gjithë kulturën tonë muzikore dhe duhet të shërbejë si i tillë për gjeneratat e reja

Hyrja

E njoha Valter Deshpalin si emër dhe figurë me peshë në kulturën tonë muzikore. Emri tij dëgjohet qëmoti në shoqërinë tonë kulturore, natyrisht së bashku me familjen e tij kontribuuese dhe me personalitetet e familjes së tij, siç kontribuuan indirekt dhe direkt në kulturën tonë muzikore.

Kontributet e tij njihen botërisht andaj nuk do të përmend apo t’i shtjelloj faktet ekzistuese që nga edukimi i tij, që përfshin figurat eminente historike të violonçelit e muzikës, kolegët, bashkëpunëtorët e panumërt botërorë, performancat e tij, studentët e tij që tashmë kanë famë botërore e të tjerë. Këto veçse janë numëruar e përmendur në shumë mediume serioze të huaja e vendore.

Ndonëse nuk jam direkt i lidhur me sferat dhe fushat specifike që ai i ushtroi, nuk kisha rastin ta njihja shumë më afër apo të kisha detaje të tjera më specifike gjatë kohës sa ai ishte gjallë.

Por emri i tij përmendej, e kujtoj ta kem dëgjuar së pari rreth vitit 2004 a 2005 nga gitaristi, kolegu Drilon Çoçaj për transkriptimet e tij të suitave për vilonçel të J.S.Bach dhe sa mirë ishin të transkriptuara. Që prej atëherë, sa herë është përmendur Bachu në shumë instanca, e specifikisht te violonçeli dhe kitara përmendet emri i tij.

Pikërisht për këtë fakt, për të realizuar këtë shkrim modest vendosa të fokusohem më shumë në disa prej kontributeve të Valter Deshpalit dhe të ofroj sadopak informacion rreth rëndësisë dhe ndikimit që këto kontribute kanë për shoqërinë tonë artistike.

Për realizimin e këtij shkrimi modest po ashtu kam konsultuar në formë kualitative disa personalitete të ndryshme, përfshirë këtu edhe profesorin e violonçelistin Antonio Gashi dhe profesorin, gitaristin Drilon Çoçaj.

Figura komplete e muzicientit

Kështu e mbajnë në mend personalitetin e tij njerëzit e afërt me veprimtarinë e tij, si profesori Antonio Gashi, nxënës dhe dëshmitar i personalitetit kompleks artistik/ muzikor të tij nga i cili mësoi në vitet 1987–1991 në Zagreb.

Në diskutim me profesorin Antonio Gashi vërejmë re kontributin e madh të Valter Deshpalit si kontribuues indirekt në shkollën e violonçelit në Kosovë. Profesori A. Gashi na njofton për rrugën e tij të gjatë profesionale/edukative që prej shkollës fillore me violinë, pastaj me violonçel nga shkolla e mesme, me profesorët e shumtë që i ndërroi dhe me profesorët që jo patjetër e kishin instrument primar violonçelin, ngase shkolla e atëhershme nuk ofronte kushte më të mira. Një rrugë që shumë prej instrumentistëve të gjeneratës së tij në Kosovë e ndoqën ngjashëm.

Pra, me shkollimin e prof. Antonio Gashi mund të konsiderohet që Valter Deshpali është kontribuues indirekt i shkollës së violonçelit në Kosovë me kulturën muzikore dhe të violonçelit që e pasoi dhe vazhdon ta pasojë te studentët e Kosovës. Natyrisht, nga i cili mësojnë studentët tonë po ashtu për vetë Valter Deshpalin.

Si pedagog, Valter Deshpali inkorporoi të gjitha njohuritë e tij të shumta për të krijuar një përvojë të rrallë intelektuale për nxënësit e tij.

Ai kujtohet se sa herë kishte ligjërata grupore, interesimi ishte në nivel të fakultetit me çdo drejtim për ta ndjekur një ligjëratë me të, pavarësisht a ishe gitarist/e, violinist/e, pianist/e apo kompozitor/e etj., ligjërata grupore e Valter Deshpalit nuk ishte për t’u humbur.

Në mësim individual Antonio Gashi tregon për një rast specifik kur ai mësonte “Vocalise” nga Segei Rachmanninov me Valter Deshpalin.

Ai tregon se si Deshpali e luante “Vocalisen” në C-mol dhe jo në E-mol siç është tonaliteti origjinal, një gjë që e habiti atë. Por, Valter Deshpali kishte llogaritur mirë çdo gjë, duke hulumtuar tonalitetin më kumbues dhe më të përshtatshëm për ngjyrën specifike dhe për “zërin” dhe mendimin muzikor që e kërkonte vepra, duke studiuar dhe dëgjuar versione vokale të veprës dhe duke e adaptuar veprën specifikisht për violonçel në tonalitetin C-mol, që tingëllonte më denjë për idenë e kompozitorit.

Veprimet si këto, ndoshta të vogla, por me shumë peshë jo vetëm si ide të transkriptimit, por edhe si shembuj pedagogjik se si të punohet me një vepër si performues.

Nxënës të tij janë të shumtë, duke përfshirë gati çdo vilonçelist që ka famë botërore sot, nuk ka gati asnjë që madje nuk e ka kryer një masterkurs apo konsultuar njohuritë profesionale të tij në violonçel. Këtu mund të përmenden violonçelistët si Kiani, Lluka, Hauseri e të tjerë. Në klasën e Deshpalit ka pasur dhe vizitorë të instrumenteve të tjera, ku Antonio Gashi kujton të ketë pasur edhe kontrabasistë që kanë ardhur t’i ndjekin klasat e tij, edhe pse ai jepte violonçel e jo kontrabas.

Si njohës i literaturës dhe performancës kamertale ai kontribuoi dhe në formimin dhe në drejtimin e njërit prej ansambleve të para të violonçelave, të quajtur “Cro-Cellomania” me 8-12 violonçeli.

Deshpali kujtohet që ka pasur kujdes të shtuar ndaj studentëve të tij duke i tutoruar studentët e tij edhe jashtë orarit të zakonshëm me qëllim që t’i përgatitë sa më mirë ata në bazë të nevojës apo ndonjë rasti koncertal.

Ai konsiderohet si një prej pedagogëve më të mirë në bote në cello, në top-10, i rregullt si i ftuar e po ashtu në kongrese dhe ngjarje internacionale si performues dhe pedagog, si për shembull në Gjermani në “Kronberg Academy Festival”, si një prej festivaleve më të mëdha për violonçel dhe në Australi në Sydney e në shumë vende të tjera si pedagog dhe performues rezident.

Si performues ai luante edhe në piano dhe ishte me nivel të lartë duke shoqëruar me raste edhe vepra shumë të vështira pianistike kamertale.

Ai mbahet në mend nga nxënësit e tij, kolegët dhe profesionistët e rangut evropian dhe botëror si muzicient me sens të hatashëm të përshtatjes së materialit muzikor në instrument tjetër.

Transkriptimet e tij të shumta nga suitat e J.S.Bach nga violonçeli për gitarë, transkriptimet e shumta nga instrumente të tjera për vilonçelo dhe ansambël të violonçelave mbeten si vepra që padyshim do të kenë jetë shumë të gjatë dhe nga të cilat do të përfitojnë shumë gjenerata të muzicientëve sidomos gitaristëve e violonçelistëve në botë.

Në diskutim me profesorin, gitaristin Drilon Çoçaj ai kujton bisedimet e shumta me gitarsitin e njohur dhe profesorin Petrit Çeku dhe gitaristë të tjerë se sa besnik dhe i drejtë ishte Deshpali me materialin muzikor kur transkriptonte. Kishte një mentalitet ku “bën të shtohet material muzikor mbi veprën ekzistuese, por jo e kundërta – të hiqet – çka është e shkruar duhet të mbetet.

Gjenialiteti në transkriptimet e tij, siç citohet nga Antonio Gashi dhe kolegët e tjerë, qëndron në ruajtjen e idesë së veprës për instrumentin tjetër, njëkohësisht duke e begatuar veprën. Një vijë mjaft e hollë kur vjen te transkriptimi.

Shumë individë transkriptojnë, por shpeshherë rrugës duke transkriptuar i humb sensi i veprës prej asaj që autori ka pasur dëshirë ta paraqesë muzikalisht.

Kujtohen instanca të veçanta të punës së tij që tregojnë dedikimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin e një vepre si transkriptim, duke përmendur rastet kur vepra e njëjtë e transkriptuar është ribotuar pas shumë vjetësh disa herë me ndryshime të vogla në pak takte.

Sado të vogla ndryshimet në vepër, Deshpali mendonte gjatë se si funksionon më mirë ai material muzikor në një vepër të caktuar muzikore dhe nëse haste edhe në detajet më të vogla që do të mund ta përmirësonin veprën e transkriptuar, ai ndryshimet i pasqyronte në ribotim edhe nëse ishin vetëm katër takte ndryshim.

Shembull ky i punës që ka lënë mbresë te shoqëria e kolegëve gitaristë. Siç e cek gitaristi Drilon Çoçaj, gitaristët shpeshherë e konsiderojnë Bachun aq të afërt “si ta kishim familjar”, një figurë e pandryshueshme e solidifikuar, kurse Deshpali provonte të kundërtën: nuk e linte veprën të stagnojë duke menduar e duke e zhvilluar gjithnjë në momente të ndryshme në kohë. Pra, ai ishte kërkues për një version sa më të rafinuar gjithnjë të veprës muzikore, ku procesi kreativ nuk ndalon me një performancë, një botim apo një ligjëratë.

Në diskutim për Valter Deshpalin vjen në pah po ashtu një fakt shumë i rëndësishëm që mungon te shumë njerëz të artit/kulturës/muzikës.

Sensi i “Polymathit”, ky sens dhe kjo qasje apo formë e të kuptuarit të një forme artistike si tërësi. Aftësia dhe mentaliteti që muzicienti duhet të jetë kompozitor/instrumentist/dirigjent/menaxher artistik/instrumentist orkestral, kamertal/ transkriptues/pedagog e të tjera.

Nuk është se nuk bëjnë njëra pa tjetrën, patjetër. Natyrisht historia ka treguar që këto profile mund të ekzistojnë dhe ndaras, por një muzicient, i cili i ngërthen së paku dy prej këtyre profileve e shumë më mirë të gjitha (me raste më të rrallë) ka një njohuri shumë më të thellë dhe më kuptimplote të muzikës dhe më tej.

Të qenët “Polymath” muzikor nuk është mirë vetëm për vetë muzicientin, por ka edhe impakt dhe kontribut shumë më të gjerë se sa një instrumentist i vetëm apo një kompozitor i vetëm.

Këtu edhe shihet se sa i gjerë ka qenë kontributi i Valter Deshpalit, sidomos kur një profil komplet i ndryshëm prej instrumentit të tij siç përfitojnë gitaristët nga dija e tij muzikore.

Pra, ky personalitet i kulturës sonë, i cili njihet po ashtu për sensin e fortë dhe krenarinë me kulturën dhe prejardhjen e tyre arbëreshe/shqiptare nga e tërë familja Deshpali, është shembull për të gjithë kulturën tonë muzikore dhe duhet të shërbejë si i tillë për gjeneratat e reja.

Deshpali si transkriptues, transkriptimi si art dhe profil

Image
Këtu qëndron mjeshtëria. Një transkriptuesaranzhues i mirë si Valter Deshpali është gardian i materialit muzikor. E studion thellësisht, e njeh çdo cep të harmonisë, kontrapunktit, dinamikës, timbrit, artikulimit e të tjera dhe këto të gjitha i adapton jo vetëm duke përshtatur, por edhe gati duke “krijuar”

Ndonëse u përmend më lart kontributi i tij në transkriptim, një shtjellim i këtij profili paralel me një reflektim rreth kontributit të tij në këtë fushë, mund të na ndihmojë të kuptojmë më shumë impaktin e kësaj forme të artit në krahasim me profilet e tjera në shoqërinë muzikore.

Çka është të transkriptosh, aranzhosh, përshtatësh muzikë? Në hapësirat shoqërore/kulturore ka disa shtresa të paraqitjes.

Kemi shtresën e dukshme dhe më verbuesen, vezulluesen, performativën – performancën.

Performuesit janë shtresa më e dukshme e shoqërisë kulturore, ata ekspozohen dhe jetojnë për t’u ekspozuar, jetojnë për skenën, publikun dhe dritën.

Jetojnë për të jetësuar punën e tyre gjallë në skenë dhe për të jetësuar, transformuar, rijetësuar muzikën dhe veprimtarinë e të tjerëve po ashtu që janë krijues.

Shtresa tjetër e dukshme, por prapë më introverte sesa performuesit është e krijuesve, kompozitorëve, piktorëve, skulptorëve e të tjerë.

Krijuesit ekspozohen, por jetojnë për të dëgjuar, parë veprën e tyre më shumë sesa veten, për të parë ndikimin e veprës së tyre te shoqëria, janë në mes të ekspozimit dhe të gjendjes introverte.

Shumë prej tyre edhe mund të mos vijnë në performancat e veprave të krijimeve të tyre, ka shumë instanca ku krijuesit nuk janë prezentë as në premiera të veprave të tyre. Pra, kjo shtresë mjaftohet dhe vetëm me informacionin që puna e tyre po performohet. Ka edhe prej tyre që as ajo nuk u intereson.

Është edhe një shtresë e tretë apo e veçantë prej dy të tjerave.

Një shtresë fantazmë apo hije. Kush janë hijet e muzikës specifikisht dhe përse t’i quajmë hije. Roli i trankriptuesve, notografëve, aranzhuesve, përshtatësve, lektorëve notografikë shpeshherë është nën hije.

Nuk rri te performuesi sepse performuesi e mbulon me rolin e tij kryesor, nuk rri as te kompozitori sepse nuk është as te rangu i njëjtë me kompozitorin. Siç duket.

E vërteta është se kjo shtresë ka ndikim të madh dhe nuk krahasohet me asnjërën. Këtu vjen në pah kontributi i madh i personaliteteve si Valter Deshpali.

Çfarë bën një “transkriptues/aranzhues/përshtatës” nëse mund të quhet pra si shtresë/kategori?

Edhe këtu ka nivele të kontributit. Një aranzhim mund të jetë thjeshtë një përshtatje e një materiali muzikor nga piano për dy instrumente të tjera, ose nga violina në flaut për shembull.

Por çfarë sjell ky material? Sa i përshtatet instrumentit dhe mbi të gjitha sa është i vërtetë me muzikën transkriptimi.

Këtu qëndron mjeshtëria. Një transkriptues/aranzhues i mirë si Valter Deshpali është gardian i materialit muzikor. E studion thellësisht, e njeh çdo cep të harmonisë, kontrapunktit, dinamikës, timbrit, artikulimit e të tjera dhe këto të gjitha i adapton jo vetëm duke përshtatur, por edhe gati duke “krijuar”. Duke “krijuar” në thonjëza sepse vepra veç është krijuar, por një transkriptues si Valter Deshpali e mbron materialin muzikor duke e njohur shumë mirë dhe duke e kuptuar thelbin aq sa për ta pasur lirinë edhe ta “vazhdojë” veprën. Guxim i madh ky për shembull në rastin e transkriptimeve të Bachut që i ka bërë Valter Deshpali. Por natyrisht i justifikueshëm, siç edhe citohet nga njohësit e tij në gitarë, si Petrit Çeku, Drilon Çoçaj e të tjerë.

Janë këto shtresa të “hijeve” në muzikë puna e të cilëve rëndom mund të mos njihet nga publiku siç njihen performuesit dhe kompozitorët, por është me peshën gati të njëjtë.

Një paralele muzikore mund të bëhet me Ferucio Busonin, kompozitorin e njohur për transkriptimet e Brahmsit.

Një paralele tjetër për të ilustruar rëndësinë e punës që e ka bërë Valter Deshpali me Bachun në gitarë është edhe veprimtaria përkthyese e Fan. S. Nolit të veprave të W. Shakespeare.

Pra, transkriptimi është një lloj “përkthimi muzikor” në instrumentin tjetër dhe si i tillë ka peshën gati të ngjashme me përkthimin.

Një transkriptues i mirë dhe i denjë si Deshpali e sjell muzikën e një krijuesi në një frymë të re dhe e freskon materialin, e sjell muzikën ekzistente te një publik i ri, e njofton muzikën ekzistuese me një sferë të re instrumentistësh dhe krijuesish dhe mbi të gjitha e vazhdon veprimtarinë e kompozitorit jashtë konceptit të instrumentit për të cilin është shkruar.

Kështu duke kontribuuar në propagimin e muzikës, para së gjithash me transkriptim/ përshtatje po ashtu para instrumentit. Koncept ky pra me rëndësi – muzika para instrumentit.

Fundja në thelb është muzika, instrumentet janë vetëm pika timbrike në një univers të pakufi muzikor. Dhe kur kemi njohës dhe kontribuues si Valter Deshpali, muzika është në plan të parë gjithnjë.

Prof. assist. dr. Liburn Jupolli është kompozitor, pianist, profesor i kompozimit dhe inovacionit muzikor në UBT