Të dielën, më 18 gusht 1991, Gorbaçovi ishte me pushime në Foros, një zonë turistike e Detit të Zi në Gadishullin e Krimesë. Ai po ia jepte dorën e fundit një fjalimi të rëndësishëm rreth një traktati të ri bashkimi që do të transferonte pushtet të konsiderueshëm nga Kremlini te 15 republikat e vendit, të cilat do të fillonin nënshkrimin e dokumentit të martën. Pastaj, pa paralajmërim, një delegacion i linjës së ashpër të Kremlinit nga ushtria dhe KGB-ja mbërriti në derën e shtëpisë së tij, pasi i kishte këputur linjat telefonike. Ata kërkuan që ai të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të jepte dorëheqjen
Perestrojka e Mihail Gorbaçovit u demonstrua grafikisht kur, në një kapitull mahnitës të historisë, regjimet komuniste të Evropës Lindore ranë njëri pas tjetrit.
Gjatë disa muajve me zhvillime të vrullshme në vitin 1989, arkitektura politike e Evropës u transformua nga kërkesa popullore për demokraci. Shtatë vende që ishin mbyllur pas Perdes së Hekurt për më shumë se katër dekada shijuan edhe një herë pavarësinë. Disa historianë e kanë renditur për nga rëndësia vitin 1989 krahas 1789-s, viti i fillimit të Revolucionit Francez, dhe 1848-n, një vit trazirash politike në të gjithë Evropën, shkruan Merilyn Berger në “New York Times”.
Katalizator ndryshimesh radikale
Nuk ka dyshim se Gorbaçovi ishte katalizatori i atij ndryshimi. Çfarëdo që do të ndodhte brenda Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov do të kujtohej si njeriu që e riktheu Evropën në atë që ishte përpara Luftës së Dytë Botërore, një kontinent shtetesh të pavarura kombëtare.
Para ardhjes së tij në krye, Bashkimi Sovjetik kishte përqafuar atë që Perëndimi e quajti doktrinën e Brezhnjevit, sipas së cilës Kremlini ia njihte vetes me arrogancë të drejtën për të ndërhyrë në punët e regjimeve të lëkundura komuniste të Traktatit të Varshavës.
Brezhnjevi iu referua kësaj të drejte në vitin 1968, kur dërgoi forcat sovjetike për të shtypur lëvizjen e liberalizimit në Çekosllovaki, që u bë e njohur si Pranvera e Pragës, dhe Hrushovi e bëri këtë në vitin 1956, kur ushtria e tij shtypi revoltën në Hungari.
Gorbaçov i dha fund kësaj politike. Nëse një regjim dështon, tha ai, ai regjim,– dhe vetëm ai – do të duhej të krijonte një lidhje të vërtetë shoqërore me njerëzit e tij.
Gennadi I. Gerasimov, zëdhënësi i Gorbaçovit, e shqiptoi epitafin gjatë një vizite në Finlandë në tetor 1989. "Unë mendoj se doktrina e Brezhnjevit ka vdekur", tha ai.
Rënia që nisi në Poloni
Muaj më parë Polonia ishte bërë vendi i parë i Traktatit të Varshavës që rrëzoi komunistët dhe i dha fund pushtetit të tyre monolit. Në zgjedhjet demokratike të 4 qershorit, Lëvizja Solidarnosti arriti fitore mahnitëse ndaj kandidatëve komunistë.
Më 29 korrik, gjenerali Wojciech Jaruzelski, njeriu që në vitin 1981 kishte vendosur ligjin ushtarak për të shtypur Solidarnostin, dha dorëheqjen si udhëheqës i Partisë Komuniste, por mbeti president. Muajin tjetër ai emëroi zyrtarin e lartë të Solidarnostit, Tadeusz Mazowiecki, si kryeministrin e parë jokomunist që nga vitet e para të pasluftës.
Vendet e Evropës Lindore e pasuan shpejt, duke rrëzuar regjimet e tyre komuniste me shpejtësi marramendëse.
Në Pragë, në tetor, mijëra marshues u mblodhën në sheshin Wenceslas, skena e një goditjeje të përgjakshme në vitin 1968, dhe u përballën përsëri me oficerët e policisë së trazirave. Të nesërmen, dhjetëra mijëra njerëz zunë vendin e tyre në shesh.
Ndërsa demonstratat e përditshme rriteshin, Aleksander Dubçek, udhëheqësi reformist i Pranverës së Pragës të vitit 1968, u brohorit nga 250.000 njerëz teksa bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit Gustav Husak dhe liderit të partisë, Milosh Jakes. Tri ditë më vonë, Jakes u zëvendësua. (Në kthesën më mahnitëse në një vit trazirash, Vaclav Havel, dramaturgu që ishte censuruar dhe burgosur nga komunistët dhe që ishte bërë simbol i opozitës, u zgjodh president në dhjetor.)
Shembja e Murit të Berlinit
Në Gjermaninë Lindore, dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, po largoheshin nga vendi duke shkuar drejt Perëndimit, kryesisht përmes Çekosllovakisë dhe Hungarisë. Hungaria nënshkroi një marrëveshje që zotohej të mos i kthente refugjatët në vendet e tyre, më pas filloi të priste telat me gjemba që ndanin Lindjen nga Perëndimi në kufi me Austrinë.
Në Leipzig, qindra mijëra gjermanolindorë u mblodhën për marshime javore të lirisë duke kërkuar zgjedhje demokratike, sindikata të pavarura të punës dhe shpërbërjen e policisë sekrete.
Trazirat shpejt arritën në Berlinin Lindor, kryeqytet dhe simbol i zymtë me tela me gjemba të tensioneve të Luftës së Ftohtë. Më 7 tetor, Gorbaçovi, duke vizituar qytetin për të përkujtuar 40-vjetorin e sundimit komunist, i paralajmëroi udhëheqësit komunistë që të mos përdorin forcën kundër popullit të tyre. "Vetë jeta i ndëshkon ata që vonojnë”, tha ai.
Deri në nëntor, rrugët ishin mbushur me demonstrues. Qeveria e Gjermanisë Lindore u përpoq të frenonte ikjen drejt Perëndimit duke publikuar një projektligj që lejon çdo qytetar të udhëtojë jashtë vendit ose të emigrojë.
Më 9 nëntor, Muri i Berlinit ra dhe valët e gjermanëve vërshuan drejt Perëndimit.
Të nesërmen, diktatori Todor I. Zhivkov dha dorëheqjen si president i Bullgarisë dhe shef i Partisë Komuniste, pasi sundoi për 35 vjet, më shumë se çdo lider tjetër i Evropës Lindore.
Në Rumani turmat u rritën në rrugët e Bukureshtit në dhjetor, duke detyruar Nikolae Çausheskun, më represivin dhe më të urryerin nga të gjithë udhëheqësit komunistë, të tërhiqej. I arrestuar brenda ditës, ai dhe gruaja e tij po aq e përbuzur, Elena, u gjykuan nga ushtria dhe u ekzekutuan nga një skuadër pushkatimi. Zgjedhjet ishin caktuar.
Shqipëria, përjashtim në bllokun komunist
Me përjashtim të Shqipërisë, çdo regjim totalitar komunist në Evropë kishte rënë para vitit të ri dhe dekadës së re.
Me kujtimet e Luftës së Dytë Botërore ende të freskëta, Moska kishte dyshime të forta se mund të arrihej ribashkimi dhe ringjallja e fuqishme e Gjermanisë. Megjithëse shumë vende të Traktatit të Varshavës ishin të kënaqura duke parë Gjermaninë të ribashkuar brenda NATO-s, Bashkimi Sovjetik e hodhi poshtë atë propozim, duke sugjeruar në vend të kësaj që Gjermania të ishte anëtare e NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Kjo ide u refuzua nga Shtetet e Bashkuara.
Negociatat për bashkimin e Gjermanisë u mbajtën në ato që u quajtën bisedimet "dy plus katër", duke përfshirë ministrat e jashtëm të dy Gjermanive dhe fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania.
Gorbachovi kërkoi "sinkronizim" të dy çështjeve, unitetit gjerman dhe sigurisë evropiane. Më në fund, më 16 korrik 1990, u arrit një marrëveshje për futjen e Gjermanisë së bashkuar brenda NATO-s. Gorbachev do të deklaronte: “Ne po lëmë një epokë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe po hyjmë në një tjetër, një periudhë, mendoj unë, e paqes së fortë dhe të zgjatur”.
Festa e përgjakur
Megjithatë paqja nuk mbisundonte kudo. Nëse glasnosti i dha një dorë të lirë debatit publik në Bashkimin Sovjetik dhe hodhi dritë mbi gabimet e së kaluarës dhe problemet aktuale, ai gjithashtu ringjalli aspiratat nacionaliste, rivalitetet fetare dhe urrejtjet etnike që ishin zier në republikat e largëta sovjetike që përpara Stalinit, Leninit dhe Marksit.
Në Gjeorgji më 9 prill 1989, 19 persona u vranë kur trupat e Ministrisë së Brendshme përdorën tanke dhe ndoshta gaz helmues për të sulmuar separatistët gjeorgjianë ndërsa po këndonin dhe kërcenin në rrugë në atë që gjeorgjianët thanë se ishte demonstratë paqësore. Demonstrata të ngjashme nacionaliste pati në Uzbekistan, Kazakistan dhe Taxhikistan.
Armenët e morën gjithashtu liberalizimin e ri si licencë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra, duke i kthyer sytë kah Nagorno-Karabahu, territor gjysmautonom i populluar kryesisht nga armenë, por i administruar nga Azerbajxhani.
Azerbajxhani, i cili kishte shumicë dërrmuese myslimane, ishte përfshirë në hakmarrje shekullore ndaj Armenisë, e cila është kryesisht e krishterë, dhe për më shumë se një vit nacionalistët azerë kishin sulmuar trafikun rrugor dhe hekurudhor në territor.
Më 20 janar 1990, Gorbaçovi ndërhyri, duke dërguar trupa në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, qytet prej dy milionë banorësh në Detin Kaspik. Në luftimet midis Ushtrisë Sovjetike dhe një organizate paraushtarake të njohur si Fronti Popullor, u vranë më shumë se 140 njerëz, të paktën 30 prej tyre ushtarë sovjetikë.
Konfrontimi, duke përballur Ushtrinë Sovjetike kundër popullit sovjetik, ishte aq i papëlqyeshëm në të gjithë vendin, sa nënat demonstruan në rrugë për të mos lejuar që djemtë e tyre të dërgoheshin në Azerbajxhan. Mijëra rekrutët dogjën kartat e tyre dhe shkalla e dezertimit ushtarak u rrit.
Tërheqja e parë “e turpshme”
Në Baku, ndërsa turmat u revoltuan, pati raportime se më shumë se 500 ushtarakë u larguan me armët e tyre. Gorbaçovi më në fund u dorëzua dhe u tërhoq. Askush nuk mund të kujtonte një lider sovjetik që të ishte tërhequr ndonjëherë në atë mënyrë përballë kërkesës publike.
Sfida ndaj autoritetit qendror në Moskë u forcua kur azerët dhe armenët ndërluftues ranë dakord të takoheshin jo në Kremlin, por nën kujdesin e liderëve separatistë të tri shteteve baltike, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Palët u takuan në Riga, kryeqyteti i Letonisë, dhe në shkurt 1990 ranë dakord për armëpushim.
Por trazirat po arrinin pikën e vlimit. Lituania votoi me shumicë dërrmuese për pavarësinë më 25 shkurt dhe shpalli pavarësinë e saj më pak se një muaj më vonë. Ndarja me Moskën kërcënoi të shpërbënte Bashkimin Sovjetik.
Ishte gjithashtu poshtëruese për Gorbaçovin. Lituania kishte ecur përpara pavarësisht lutjes personale të Gorbaçovit për t'i qëndruar besnike partisë qendrore dhe Kremlinit.
Përtej shpalljes së pavarësisë së saj, Lituania filloi ta pohonte atë, duke vendosur të lëshonte kartat e saj të identitetit të shtetasve. Kur Gorbaçovi paralajmëroi sanksione të ashpra nëse masa nuk do shfuqizohej, Lituania refuzoi. Ajo bojkotoi thirrjen pranverore të ushtrisë sovjetike dhe ngriti pretendime për pronat në Lituani që Moska tha se ishin në pronësi të Qeverisë sovjetike dhe Partisë Komuniste Sovjetike.
Gorbaçovi përdori taktika më të forta, duke ia mohuar Lituanisë furnizimet kritike të naftës, gazit natyror dhe qymyrit, dhe duke vendosur embargo ndaj ilaçeve dhe ushqimit për fëmijë. Si hakmarrje, lituanët filluan të ndërpresin eksportet e ushqimit dhe të arrinin marrëveshje të veçanta transporti me qytetet sovjetike në të cilat komunistët ishin votuar.
Efekti domino
Gorbaçovi u rrek gjithashtu të parandalonte lëvizjet e Estonisë dhe Letonisë drejt pavarësisë. Megjithëse çdo republikë sovjetike supozohej se kishte të drejtë kushtetuese për t'u shkëputur, Gorbaçovi kishte një ligj të ri të shkruar që kodifikonte procedurat e gjata për tërheqje.
Ligji, i kundërshtuar nga shtetet baltike, kërkonte referendum në mbarë republikën për pavarësi, një periudhë negociuese pesëvjeçare dhe një votim përfundimtar në legjislaturën kombëtare. Shtetet baltike këmbëngulën se për shkak se ishin aneksuar ilegalisht në vitin 1940, ligji nuk zbatohej për to.
Problemi baltik ishte kriza më e rëndë e Gorbaçovit dhe vetëm maja e ajsbergut të ndjenjave secesioniste në të gjithë Bashkimin Sovjetik. Sfida e tij ishte të mbante kombin të bashkuar pa përdorur forcën duke mbajtur programin e tij liberal të reformës në rrugën e duhur pas një viti pavendosmërie.
Kjo ishte klima në të cilën rendi i vjetër u thye.
Të dielën, më 18 gusht 1991, Gorbaçovi ishte me pushime në Foros, një zonë turistike e Detit të Zi në Gadishullin e Krimesë. Ai po ia jepte dorën e fundit një fjalimi të rëndësishëm rreth një traktati të ri bashkimi që do të transferonte pushtet të konsiderueshëm nga Kremlini te 15 republikat e vendit, të cilat do të fillonin nënshkrimin e dokumentit të martën. Pastaj, pa paralajmërim, një delegacion i linjës së ashpër të Kremlinit nga ushtria dhe KGB-ja mbërriti në derën e shtëpisë së tij, pasi i kishte këputur linjat telefonike. Ata kërkuan që ai të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të jepte dorëheqjen.
Shkarkimi i papritur
Ajo që u shpalos ishte një zinxhir ngjarjesh që disa e quajtën tri ditët që tronditën botën. Në orën 6 të mëngjesit të së hënës, agjencia zyrtare e lajmeve Tass njoftoi se Gorbaçov ishte shkarkuar, duke përmendur "paaftësinë e tij për arsye shëndetësore" për të kryer detyrat e tij. Nënkryetari Gennadi I. Yanayev mori pushtetin nën një njësi të re, Komitetin Shtetëror të Emergjencave.
Një orë më vonë u shpall një dekret urgjent për pezullimin e partive politike dhe mbylljen e shtypit të opozitës. Vendndodhja e Gorbaçovit nuk dihej. Boris N. Jelcin, president i asaj që tani quhej Republika Federale Ruse, e quajti marrjen e pushtetit grusht shtet.
Gorbaçovi dhe Jelcini kishin pasur shpesh mosmarrëveshje, por tani Jelcini ishte bërë aleati i tij më i rëndësishëm dhe më i dukshëm. Nga ora 11:00, trupat dhe tanket sovjetike kishin rrethuar ndërtesën e Qeverisë së njohur si Shtëpia e Bardhë, dhe në orët e hershme të pasdites qindra demonstrues kishin rrethuar tanket.
Jelcini iu bashkua atyre. Duke u ngjitur në majë të një tanku T-72, me megafon në dorë, ku bëri thirrje për grevë të përgjithshme. Krahas tij ishte gjenerali Konstantin Kobets, ministër i Mbrojtjes i Republikës Socialiste Federative Sovjetike Ruse, i cili i urdhëroi forcat e armatosura të largoheshin. "Asnjë dorë nuk do të ngrihet kundër popullit apo presidentit të zgjedhur siç duhet të Rusisë”, tha gjenerali Kobets.
Goditja kritike
Trazirat u përhapën shpejt në kryeqytetet e republikave të tjera. Të nesërmen Jelcini kërkoi të takohej me Gorbaçovin dhe këmbënguli që mjekët e huaj ta ekzaminonin, dhe turmat jashtë Parlamentit rus u rritën në 150.000.
Të mërkurën, me kthimin e valës kundër forcave të linjës së ashpër, trupat sovjetike u tërhoqën nga qendra e Moskës dhe udhëheqësit e grusht shtetit u larguan. Të enjten, Gorbaçovi u kthye në Moskë për të rivendosur kontrollin.
Grushti shtet ishte shpartalluar, por goditja politike ndaj Gorbaçovit ishte kritike. Jelcini e kishte zëvendësuar atë si simbolin e demokracisë në Rusi. Më 24 gusht, Gorbaçovi dha dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe shpërndau Komitetin Qendror të saj. Më 25 dhjetor fundi zyrtar i perandorisë sovjetike u vulos kur ai dha dorëheqjen si president i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.
Jelcini ia siguroi atij një vilë, truprojë, një pension dhe atë që zoti Remnick, në "Varri i Leninit", e quajti "një pjesë e mirë e pasurive të paluajtshme - ish-instituti i Partisë", të cilin Gorbaçovi do ta përdorte si bazë për kërkime, por jo për opozitën politike. Megjithatë, shumë shpejt do të kapeshin fytafyt.
Perandori që shkonte në punë me biçikletë!
Ndihmësit e Jelcinit filluan të heqin dorë nga marrëveshja e daljes në pension të Gorbaçovit, - shkroi Remnick, - së pari ia morën limuzinën dhe e zëvendësuan me një makinë më modeste, më pas duke shkuar edhe më larg. "Së shpejti", shkroi një gazetë, "Mihail Sergejeviq do të shkojë në punë me biçikletë".
Raisa Gorbaçov, e cila pësoi goditje në tru gjatë grusht shtetit, vdiq nga leukemia në vitin 1999 në moshën 67-vjeçare, dhe Gorbaçovi filloi të kalonte më shumë kohë jashtë vendit duke mbajtur fjalime dhe duke udhëtuar në qarkun diplomatik ndërkombëtar.
Gorbaçovi vazhdoi të ishte popullor në Perëndim (ai u zgjodh edhe për një fushatë reklamuese për Louis Vuitton në 2007), por në Rusi soji i tij i të menduarit doli mode pasi korrupsioni kundër të cilit kishte luftuar arriti majat e reja, me miliarda që derdheshin në duar të oligarkëve dhe më pas jashtë vendit.
Në vitin 2009, Anatoly B. Chubais, ekonomist i kthyer në politikan i cili personalisht përfitoi shumë nga privatizimi, tha se "Gorbaçovi është njeriu më i urryer në Rusi".
Në intervistat e tij të herëpashershme me mediat perëndimore, Gorbaçovi numëronte gabimet që mendonte se kishte bërë, duke thënë se duhej të kishte formuar një parti të re politike dhe ta hidhte Partinë Komuniste në koshin e plehrave të historisë; se ai duhej të kishte gjetur një shteg për të liruar ish-republikat sovjetike më butësisht; edhe se ai nuk duhej të kishte shkuar në ato pushime që çuan në grusht shtet.
Jelcini, dikur aleati dhe kundërshtari i tij i shpeshtë, dha vlerësimin e tij për Gorbaçovin në vitin 1991: “Ai mendoi të bashkonte të pamundurën: komunizmin me tregun, pronën publike me pronën private, pluralizmin politik me Partinë Komuniste. Këto janë çifte të papajtueshme, por ai insistoi në to dhe aty qëndron gabimi i tij themelor strategjik”.
Vitet e fundit Gorbaçovi do të peshonte mbi çështjet e ditës, por zëri i tij kishte humbur rezonancën. Ai paralajmëroi kundër zgjerimit në lindje të Bashkimit Evropian, i shqetësuar publikisht për mundësinë e një lufte të re të ftohtë dhe përshëndeti votën parlamentare ruse për aneksimin e Krimesë.
Putini i mirë, Putini i keq!
Ai u tregua i butë dhe i sertë me presidentin Vladimir Putin, një antitezë virtuale me pothuajse gjithçka që Gorbaçovi ishte përpjekur të arrinte. Në fillim e lavdëroi Putinin për rivendosjen e stabilitetit, madje edhe me çmimin e autoritarizmit, por kundërshtoi goditjen e Putinit ndaj lirisë së medias dhe ndryshimet e tij në ligjet zgjedhore në rajonet e Rusisë.
Putini, tha ai, e shihte veten si "i dyti pas Zotit" dhe nuk kërkoi kurrë këshillën e tij.
Gorbaçovi la të bijën Irina Mikhailovna Virganskaya, dy nipa e mbesa dhe dy stërnipa.
Pavarësisht vështirësive që hasi, Gorbaçov ia doli të përmbyste përgjithmonë karakterin politik, ekonomik dhe social të asaj që dikur ishte Bashkimi Sovjetik, si dhe të gjithë hartën e Evropës Lindore. Por ai, më shumë se kushdo, e dinte se sa kishte dështuar.
Në një intervistë gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë, ai do të deklaronte për “New York Times”: "Me të gjitha gabimet, llogaritjet e gabuara - ose, përkundrazi, për të gjitha kërcimet e mëdha – ne ia dolëm të kryenim punën tonë kryesore përgatitore politike dhe njerëzore".
"Në këtë kuptim", shtoi ai, "nuk do të jetë kurrë e mundur të kthejmë shoqërinë mbrapa".
Bazuar në shkrimin e “The New York Times”. Përgatiti: Rexhep Maloku