Me sesionin “Albanologjia – studime dhe këndvështrime” të shtunën ka përmbyllur punimet edicioni i 19-të i “Javës së Bibliotekës në Kosovë”. Stefan Çapaliku ka shpalosur kapitujt jo fort të njohur deri më tash për Ernest Koliqin e për veprimtarinë e tij. “Albanologjia në Sicili: pasuritë arkivore tek arbëreshët e Sicilisë”, ka qenë tema e albanologut të shquar arbëresh Matteo Mandalà
Kanë qenë 242 mësues që shkrimtari, studiuesi dhe publicisti i njohur Ernest Koliqi i kishte dërguar në “Tokat e lirueme”: Kosovë, Maqedoni e sotme e Veriut dhe Mal të Zi, gjatë kohës sa kishte qenë ministër i Arsimit në Shqipëri. Vetëm një vit më vonë ky numër kishte shkuar në gati 300 vetëm në Kosovë. Nga të dhënat që kishte nxjerrë nga arkivi i familjes së Ali Hashorvës, kryeinspektor i atëhershëm në Kosovë, akademiku, shkrimtari e njohësi i letërsisë dhe kulturës shqiptare, Stefan Çapliku ka bërë të ditur se në atë kohë, në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 226 nxënës shqiptarë.
Me sesionin “Albanologjia – studime dhe këndvështrime” drejtuar nga Çapaliku dhe Anxhela Hoxha - Çikopano të shtunën u përmbyll edhe edicioni i 19-të i “Javës së Bibliotekës në Kosovë”. Për gjashtë ditë “Java...” ka sjellë studiues fushash të ndryshme. “Dokumentimi i kulturës së emigracionit”, ka qenë tema qendrore e edicionit të sivjetmë.
Në këtë seancë, përveç Çapalikut e Hoxha - Çikopanos kanë referuar edhe Matteo Mandalà, albanolog i mirënjohur, historian dhe studiues i letërsisë arbëreshe dhe shqipe, Durim Taçi, shkrimtar e përkthyes dhe Lekë Tasi piktor, shkrimtar e violonçelist.
“Ernest Koliqi dhe imigrimi i dijes shqiptare”, ka qenë tema në të cilën Çapaliku ka mbledhur të dhëna të shumta të jetës dhe veprës së Koliqit, duke pasur në fokus veçmas rolin e tij të madh në dërgimin e mbi 200 mësuesve në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare të mbetura jashtë territorit të Shqipërisë.
Kumtesën e tij e nisi duke treguar një thashetheme shkodrane se si Koliqi vendosi të bëhej ministër i Arsimit të Shqipërisë, edhe pse fillimisht nuk i kishte pëlqyer ideja.
“Ekziston ende një thashetheme në Shkodër se kur Shefqet Vërlaci e ftoi ta emëronte ministër Arsimi, Koliqin, ai erdhi në Shkodër dhe bëri një takim me padër Gjergj Fishtën. Thuhet se Fishta e inkurajoi ta merrte këtë detyrë të rëndësishme duke i thënë tekstualisht se: ‘Dikush do ta marrë atë pozicion, ajo karrige nuk do të rrijë bosh. Është më mirë ta marrësh ti se dikush tjetër’. Kësisoj Koliqi pranoi”, ka cituar Çapaliku.
Aksioni më i rëndësishëm i bërë nga Koliqi gjatë kohës sa ishte ministër i Arsimit është ai i filluar në shtator të vitit 1941 dhe që ka të bëjë me dërgimin e mbi 200 arsimtarëve drejt Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare të ashtuquajtura “Tokat e lirume”.
“Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma ai i vë vetes përgjegjësinë morale. Koliqi nisi drejt tokave të liruara ekzaktësisht 242 mësues dhe profesorë me synimin e qartë të vendosë themelet e arsimit shqiptar në këto anë. Pra, të emigrimit të dijes”, ka thënë Çapaliku.
Përveç të dhënave të shumta që Çapaliku solli me këtë kumtesë, ka përmendur një nga një të gjitha shkollat, institutet dhe licetë që Koliqi kishte hapur gjatë kësaj kohe në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi.
“Më datën 12 nëntor të vitit 1941 shkollave të mesme ekzistuese të mbretërisë iu shtuan: një shkollë normale në Prizren, një lice në Prizren, një lice në Tetovë, një institut teknik-agrar për djemtë në Pejë, një institut teknik tregtar në Gjakovë, një shkollë profesionale në Tetovë, një shkollë profesionale në Kërçovë, një shkollë profesionale në Dibër, një shkollë profesionale në Gjilan, një në Ferizaj, një në Strugë, në Gostivar, Ulqin dhe një shkollë profesionale femërore në Prizren”, ka bërë të ditur ai.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Në një periudhë njëvjeçare Koliqi kishte bërë edhe hapjen e dy konvikteve në të cilat do të banonin vetëm studentët shqiptarë.
“Në të njëjtën kohë është interesant, sepse konvikteve ekzistuese iu shtuan edhe një konvikt për djem me 200 shtretër në Prishtinë dhe një konvikt për djem me 100 shtretër në Tetovë, të aneksuara pranë shkollave profesionale agrare. Konviktet u ndërtuan posaçërisht për studentët e nacionalitetit shqiptar që vinin nga shkollat e mbyllura jugosllave të cilëve iu dha prioritet absolut”, ka shpjeguar Çapaliku.
Duke hulumtuar për punën që Koliqi kishte bërë gjatë dërgimit të mësuesve në këto treva, Çapaliku kishte gjetur edhe disa të dhëna të cilat dëshmonin për mungesën e madhe të studentëve shqiptarë nëpër gjimnazet e atëhershme të Kosovës.
“Ali Hashorva kryeinspektor në Kosovë i dërgon Koliqit një raport mbi gjendjen arsimore të Kosovës. Këto të dhëna gjenden në arkivin personal të familjes Hashorva të Gjirokastrës. Sipas tij, në atë kohë kishte 2012 shkolla fillore me njëzet e nëntë mijë nxënës dhe 490 mësues. Kishte tri gjimnaze: në Prizren me 579 nxënës, prej të cilësive 73 shqiptarë; i Pejës me 998 nxënës, prej të cilëve 71 shqiptarë, i Prishtinës me 871 nxënës, prej të cilëve 25 shqiptarë. Në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 226 nxënës shqiptarë”, ka thënë ai.
Kështu, sipas Çapalikut, Koliqi së bashku me Ali Hashorvën në Kosovë dhe në grupet e tjera deri në fund të vitit shkollor të vitit 1943-4, numrin e mësuesve e ofruan në 292 mësues.
Por Koliqi nuk ishte mjaftuar me kaq. Shumë prej studentëve të këtyre shkollave i kishte dërguar të studionin në universitetet e Italisë, me çrast Çapaliku bëri të ditur emrat e disa prej tyre.
Matteo Mandalà, përgjegjës i Seksionit të Albanologjisë në Universitetin e Palermos, ka sjellë para publikut kumtesën e titulluar “Albanologjia në Sicili: pasuritë arkivore tek arbëreshët e Sicilisë”, ku foli për punën e madhe të intelektualëve arbëreshë dhe katedrave të Palermos dhe Kalabrisë.
“Historia e ngulimeve arbëreshe në Sicili zë fill nga fundi i shekullin XV. Vetëm në provincën e Paleromos më 1482-1520 u themeluan katër fshatra: Palac Adriano, Hora e arbëreshëve, Meco Juzo dhe Kuntisa të cilave në fund të shekullit XVII iu shtua edhe Sëndastina”, ka shpjeguar Mandalà.
Sipas tij, gjatë shekujve secili nga këto komunitete u ka dhënë një kontribut të rëndësishëm zhvillimeve arbëreshe, formimit të gjuhës shqipe, si dhe formimit të një paradigme identitare që gjatë Periudhës së Romantizmit hodhi bazat e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Veprimtaria dhe puna e madhe e intelektualëve të hershëm arbëreshë kishin lënë për pasardhësit e tyre një thesar të çmuar që i ndihmon të ecin edhe më tej sot.
“Mund të skicoje një kuadro të visareve historiko - kulturore që na kanë lënë trashëgim intelektualët e çmuar arbëreshë, biblioteka, dorëshkrime, arkiva, fonde të veprave figurative dhe ikonografike të cilat të gjitha së bashku përbëjnë hallka konkrete që sot na krijojnë mundësi neve studiuesve të kuptojmë dhe vlerësojmë edhe më mirë prestigjin e madh intelektual”, ka thënë ai. Në këtë sesion ai bëri të ditur edhe punën dhe projektet e dy katedrave më të rëndësishme arbëreshe në Itali: asaj të Palermos dhe asaj të Kalabrisë, sikurse edhe nismën për grumbullimin dhe dokumentimin e materialeve të rëndësishme për kulturën arbëreshe.
“Tash së fundi kemi hapur edhe këndin e arkivit në një marrëveshje mes Departamentit të Kulturave të Universitetit tonë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, kemi ngritur gjithashtu edhe një qendër dokumentimi të mbledhim materiale librare, dorëshkrime dhe objekte me vlerë kulturore. Deri më sot kjo qendër ka siguruar në fondin privat dorëshkrimin e familjes Dara, arkivin e pasur të poetit rilindës Zef Skiroi, si dhe shumë vepra të botuara e të pabotuara prej intelektualeve të tjerë arbëreshë”, ka thënë ai.
Nga Italia në Kosovë për të marrë pjesë në “Javën e Bibliotekës në Kosovë” dhe për të treguar për të folur për “Leximin në emigrim - akt kujtese reflektive” ka qenë shkrimtari dhe përkthyesi Durim Taçi
“Pas dhjetëvjeçarësh të jetesës në emigrim, zgjidhjes së problemeve të saj ekzistenciale, diaspora i kthehet pasurimit të jetës shpirtërore, vetorganizohet, veprimtaritë e saj rriten në nivel, nga ku merr rëndësi edhe libri, që do të thotë leximi”, ka thënë Taçi.
Sipas tij, veprimtaria lexuese e mërgimtarit është akt reflektimi e pasurim i traditës.
“Jo vetëm prej faktit se mërgimtari lexon shqip. Procesi do të ishte i ngjashëm, pavarësisht nga teksti e gjuha. Shumë më tepër nga se leximi është akt individual: është ballafaqim e përfshirje me dhe në një sistem kompleks simbolesh. Pra, mrekullia qëndron në faktin se mërgimtari në rolin e lexuesit është i aftë të mendojë simbolikisht për të ndërtuar kuptimin e gjetur orientim, është i shënjuar fort nga përvoja e tij e jetës”, ka thënë ai bazuar edhe nga përvoja e tij si pjesë e mërgatës shqiptare në Itali.
Për emrat e rinj të shkrimtarëve shqiptare në mërgim, emra si: Elvira Dones, Durim Taçi, Ervis Malaj, Ardian Vehbiu, Anisa Markarian, që sot jetojnë në vende të ndryshme si: Zvicër, Itali, Shtete të Bashkuara dhe Francë ka folur Anxhela Hoxha-Çikopano, studiuese për teatrin në Departamentin e Studimeve të Artit, Akademia e Studimeve Shqiptare në Tiranë.
“Studimet e kujtesës janë një lëmë shumë e gjerë, me të cilat shkencat humane merren prej kohësh, duke prodhuar koncepte që hidhen poshtë, që plotësohen, që përplasen, që shkojnë më tej e që ende mbeten në zhvillim të vazhdueshëm, ashtu si mbetet në zhvillim të vazhdueshëm edhe hulumtimi ynë mbi qenien njerëzore e bashkëjetesën e saj në komunitet si qenie sociale”, ka thënë Hoxha-Çikopano, duke lexuar kumtesën e titulluar, “Zonat e Kujtesës e Kujtesa Reale në Prozën e Diasporës”.
Në këtë sesion me pak fjalë u paraqit edhe nëntëdhjetetrevjeçari Lekë Tasi, i cili shkurtimisht ka folur për veprimtarinë e babit të tij, Koço Tasi, si inspektor i përgjithshëm i Kryeministrisë në Prizren dhe për jetën e veprën e tij në përgjithësi.