Romani grafik njëqind për qind në shqip, “T’Namunit”, me tekst të Valdet Gashit e ilustrime nga Shpend Kada, në epilog ka triumfin e shqiptarëve ndaj osmanëve, por botimi i tij e i veprave të këtij zhanri është një triumf i radhës i romanit grafik në shqip. Është botimi i “GranFestit”, i cili përditë e më shumë po e dëshmon rikthimin e këtij zhanri. Vepra vjen edhe si kujtim për Valdet Gashin, tashmë të ndjerë, pionier i stripit në Kosovë. “Sa më shumë botime prej autorëve tanë, që të shihet se ne i kemi vizatuesit tanë. Sigurisht ky botim besoj se do të ndikojë edhe te gjeneratat e reja, që të merren me këtë lloj arti”, ka thënë maestroja Shpend Kada
Jeta e malësorëve në Bjeshkët të Nemuna nën sundimin osman, si dhe grabitja e vajzave shqiptare nga pushtuesi, është tema që trajton romani më i ri grafik, “T’Namunit”. Rrëfenja klasike e karakterit dramatik arrin që nëpërmjet ilustrimeve të sjellë të gjallë rrëfimin për jetën tradicionale dhe kulturën e shqiptarëve të asaj kohe.
Strip-artisti Valdet Gashi, tashmë i ndjerë, e kishte lënë të përfunduar skenarin e këtij romani, i përuruar të premten mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Pjesa ilustrative e romanit është realizuar nga strip-artisti Shpend Kada.
Në hyrje të sallës në tavolinë secili nga mysafirët ka mundur të marrë “T’Namunit’. Aty ka qenë edhe “Kthimi në Kosovë” i Gani Jakupit, ilustruar prej Jorge Gonzales, botuar dy muaj më parë. Festivali i romanit grafik “GranFest”, botues e organizator i përurimit, me këtë dëshmon vazhdimësinë dhe kapituj të rinj të romanit grafik në shqip. “T’Namunit” në epilog ka triumfin e shqiptarëve ndaj osmanëve, por botimi i tij e i veprave të këtij zhanri është një triumf i radhës i romanit grafik në shqip.
Pas një sërë përkthimesh të autorëve të njohur ndërkombëtarë, “T’Namunit” është romani i nëntë grafik i botuar nga “GranFest”. Megjithatë pas “Kthimi në Kosovë”, i cili fillimisht ishte shkruar në frëngjisht, “T’Namunit” është romani i parë origjinal i botuar nga “GranFest”. Ajo që e karakterizon nga botimet e tjera është koloriti dhe fryma shqiptare e cila në thelb lidhet me traditën e kombit. Ngjarja karakterizohet nga dramaticiteti dhe shpërthimet e përplasjet e shumta midis shqiptarëve dhe turqve. Pavarësisht kësaj, ngjyrat e hapura me të cilat janë punuar faqet e tij ngjallin plot shpresë e optimizëm. Më së shumti bie në sy ngjyra e kaltër, ndërsa ajo që e bën edhe më të veçantë janë veshjet e personazheve dhe një sërë detajesh të tjera të cilët e plotësojnë në mënyrë të përpiktë dhe profesionale ngjarjen. Dallimin midis turqve dhe shqiptarëve lexuesi do të mund ta bëjë pikërisht në veshje. Burrat shqiptarë janë veshur me tirq, brezin e kuq, jelekun, opingat, teksa djemtë e rritur e burrat mbajnë në kokë edhe plisin. Me veshje tradicionale, fustane të bardhë e shami të kuqe vijnë vajzat e Bjeshkëve të Nemuna.

Autori i skenarit të romanit, Valdet Gashi, vdiq në shkurtin e vitit 2020, në moshën 58-vjeçare. Qysh në fillim të viteve ‘90 ai kishte bërë hapat e parë konkret me veprat që lanë gjurmë në art. “Cullët” – me skenar e skicuar me laps prej tij, botuar më 1994 në revistën “Hareja”, për t’u ribotuar në vitin 2000 në “Koha Ditore”, realizuar me tush nga Binjamen Haxha – është një prej novelave të para grafike, me të cilën e njohu më së shumti publiku. Stripat e tij gjetën hapësirë në botime të veçanta të “Rilindjes” si: “Zëri i Rinisë”, “Thumbi”, “Rilindja për fëmijë” e shumë të tjera. Para se të vdiste ai kishte përfunduar shkrimin e “T’Namunit”, por që kishte mbetur pa u botuar.
“Historia e këtij romani ka nisur fillimisht si ide para shumë vjetësh mes meje dhe Valdetit. Fillimisht Valës nuk i ka pëlqyer shumë ideja. Për ata që e njihnin ai ka qenë shumë shkrues i mirë, veçmas në satirë dhe në komedi. Ideja për ta bërë një dramë dhe një lloj standardi të stripave franko-belg që kërkonin dyzet e gjashtë faqe iu duk fillimisht shumë. Por ndërkohë, kur është ndezur Valdeti, libri i ka shtatëdhjetë e tetë faqe”, ka bërë të ditur ilustratori i romanit Shpend Kada.

Kada ka treguar para të pranishmëve edhe për karakteristikat dhe mënyrën se si Valdet Gashi e kishte shkruar skenarin e këtij romani.
“Është një skenar që unë nuk e di nëse dikush ka shkruar më profesionalisht, nga ata profesionistë që kam mundur të shoh deri më sot. Është i shkruar në mënyrë perfekte dhe ndoshta do të ishte interesant edhe të botohej si skenar. Secila pamje, secili kuadër është i përshkruar në çdo detaj që për mua ka qenë një lehtësim i madh, sepse e kam pasur më të lehtë ta vizatoj”, ka thënë Kada.
Teksa ka folur për punën e vështirë të ilustratorit, Kada ka treguar se dashuria e tij për stripat kishte lindur qysh në moshë të re.
“Më ka marrë shumë kohë. Mbi dy vjet, gati tre vjet vetëm punë: laps, tush edhe ngjyrosja që është më e vona. Por është entuziazmi, të cilin gjithmonë e kam pasur qysh si fëmijë, ndaj kësaj lëmije. Unë s’kam ditur tjetër vetëm të vizatoj stripa dhe ende e kam atë pasion dhe ia dolëm sepse përndryshe është profesion shumë i rëndë. Kërkon shumë angazhim, ka shumë vizatime, shumë detaje dhe plus kur je në një vend ku nuk paguhet, për atë edhe nuk ka shume ilustrues. Krejt çka mbetet është entuziazmi dhe dashuria”, ka shpjeguar ai në rolin e artistit.
Kada ka thënë se shpreson që botimi i “T’Namunit” do t’i shtyjë gjeneratat e reja që të merret me këtë formë të artit.
“Sa më shumë botime prej autorëve tanë, që të shihet se ne i kemi vizatuesit tanë. Sigurisht ky botim besoj se do të ndikojë edhe tek gjeneratat e reja, që të merren me këtë lloj arti. Forma më e mirë që të ekzistojë kjo lami është edhe etablimi i revistës speciale në formë speciale. Edhe pse tani nuk kemi revista në formë fizike por të paktën të jetë në formë elektronike. Ndoshta edhe një herë në muaj”, është shprehur Kada.
“Sui generis” e ka quajtur skenaristin Valdet Gashi, autori i romaneve grafike, Gani Jakupi, udhëheqës e bashkëthemelues i “GranFestit”
“Unë në të vërtetë Valdetin e kam takuar vetëm më herët sepse vitet e fundit të jetës së tij unë kam jetuar jashtë dhe nuk më ka rënë të takohemi. Megjithatë të them të drejtën qysh atëherë më ka fascinuar edhe pse kishte probleme me të pamurit. Më kujtohet kur Suzi ia mbante dorën, ai jo vetëm që shkruante, por edhe vizatonte. Çka është shumë sui generis”, ka vlerësuar Jakupi.
E pranishme në sallë ka qenë edhe e bija e Valdet Gashit, Berta Gashi, e cila pasi ka falënderuar “GranFestin” për botimin e këtij romani teksa ka kujtuar kohën kur babai i saj shkruante skenarin për “T’Namunit”.
“Babi ka punuar shumë gjatë në këtë skenar. Mund të them se ka qenë edhe njëra ndër veprat më të dashura të tij. Skenari është shkruar në një kohë kur shikimi i tij ka qenë mjaft i dobët, por me ide shumë të qarta që ai vazhdimisht i ka projektuar në mendjen e tij. Ai ka pasur vetëm pengesa fizike por asnjëherë mungesa idesh dhe vizionesh. Çdo imazh, çdo skenë, çdo dialog, secilin pozicion të personazheve dhe edhe secila shkronjë e këtij romani, ka qenë mirë e menduar”, ka kujtuar ajo.
Ca fjalë para të pranishmëve i ka thënë edhe ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. Me një fjalim jozyrtar ministra Gërvalla-Schwarz ka kujtuar kohën kur në Shqipëri stripat futeshin në mënyrë ilegale.
“Në moshën dhjetëvjeçare në vitin 1982 me nënën dhe dy vëllezërit kemi shkuar në Shqipëri. Unë shkoja nga Gjermania ku ishim mësuar me stripat e Mickey Mouseit dhe në Shqipëri një gjë e tillë nuk ekzistonte. Erdhën vitet 1985–87 dhe filluan të vinin herë pas here disa gazetarë, disa artistë nga Kosova dhe ndër produktet e para që hynë në tregun ilegal të librave në Shqipëri, ishin stripat. Në atë kohë kam qenë nxënëse e shkollës së mesme dhe shtyheshim se cili t’i marrë. Madje kishte kaq pak sa që disa nga ne, që ishim më të talentuar, i kopjonim me dorë dhe i shpërndanim, por gjithmonë me kushtin që të mos zihesh”, ka kujtuar ajo plot nostalgji.
Ka folur edhe për zhvillimin që arti në Kosovë kishte pasur gjatë viteve 70-a.
“Jam e vetëdijshme që, edhe pse s’kam jetuar këtu, në vitet 70-90-të ka pasur një skenë të jashtëzakonshme artistike në Kosovë. Një skenë artistike e cila ka qenë avangardë në rajonin tonë. Duke qenë vajza e një gazetari i cili për ‘Rilindjen’ i ka përcjellë aktivitetet kulturore e di që gjithçka e ka diku një burim, një vullnet të caktuar se përse ndodhin gjëra. Ne që jemi pak më në moshë e dimë që sendet nuk ndodhin rastësisht, gjithmonë e kanë një shtysë, një motor. Dhe kur sheh zhvillimin artistik të viteve 70-ta të të gjitha fushave, jo vetëm në letërsi, por edhe në muzikë e të gjitha tjerat e sheh që ka pasur një vullnet të domosdoshëm për të treguar identitetin tonë, për të krijuar arti me vulën e identitetit tonë”, është shprehur Gërvalla.
Promovimi i romanit të Valdet Gashit e Shpend Kadës, “T’Namunit”, ka shënuar dhe përmbylljen e aktiviteteve “GranFestit” për sivjet, i cili në maj mbajti edicionin e tretë.