Konsiderohet prej kryeveprave jo vetëm të tij, e shkruar në fillim të viteve ’70. Origjinali i saj mbetet i panjohur për Kosovën, ka pasur disa interpretime, por ai që vjen tash, në 100-vjetorin e lindjes së maestro Rexho Mulliqit, është konsideruar i veçantë. Dirigjenti Gregory Charette ka punuar në redaktimin e saj për ta risjellë të pastër. Me interpretimin e saj nuk është festuar vetëm 100-vjetori i Mulliqit, por edhe i një kapitulli unik në muzikën shqipe. Kontrasti i “Simfonisë kosovare” kanë qenë tingujt romantikë të Sibeliusit
Filharmonia e Kosovës ndonëse sjell çdoherë program unik për publikun, kur në repertor futen edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë, koncerti peshon edhe më. “Simfonia kosovare”, që njihet edhe si “Simfonia e Dytë” në krijimtarinë e Rexho Mulliqit, është luajtur për të dytën herë nga institucioni i muzikës klasike. Me të është shënuar 100-vjetori i lindjes së autorit të saj, kompozitorit ikonik të Kosovës.
Vepra që ishte interpretuar për herë të parë në vitin 2013 ka dalë të ketë gabime, gjë që dirigjentit të koncertit, Gregory Charette, i ka dalë punë në kombinimin e punës muzikore dhe redaktimin kritik. Koncerti ka qenë edhe vazhdimësi e eksplorimit muzikor nëpër veprat e finlandezit Jean Sibelius.
Në mars të këtij viti me një koncert madhështor do të nisnin aktivitetet në nderim të veprës së maestro Mulliqit. Aty institucioni më i lartë i muzikës edhe e kishte shpallur “Vit të Rexho Mulliqit” dhe kishte bërë të ditur se gjatë gjithë vitit do t’i kushtoheshin aktivitete. Ka edhe një tjetër pikë që i lidh këto dy ngjarje: pamja krejtësisht e njëjtë e hapësirës ku ka koncertuar, me përjashtim të ngjyrës së ndryshme të dritave që kanë dekoruar muret e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Orkestra kishte interpretuar “Bareshën” ikonike nën dirigjimin e zvicerano-francezit Antoine Marguier dhe “Simfoninë nr.1”.

Megjithatë nuk zbehet interesimi i publikut, që edhe të premten ka mbushur Atelienë, e koncertin e kanë ndjekur edhe nga korridoret përreth.
“Simfonia kosovare” e ka hapur koncertin me dinamizmin e theksuar që buron kryesisht nga frymorët, veçmas kornot, trumbetat dhe tubat. Loja e pianos ka pozicion të rëndësishëm në vepër, aq sa muzikantët vlerësojnë se “Simfonia kosovare” ngjan dhe mund të klasifikohet lehtë si koncert për piano dhe orkestër.
Një tërheqje me gishtërinj e krejt harkorëve njëkohësisht i paraprin një pushimi shumë të shkurtër për të nisur një tjetër ngjarje sa të këndshme, aq edhe me zhvillime dramatike. Kjo pjesë e trazon dhe tonin e pianos që ndjek tingujt e tyre. Vepra ka sjellë frymë tradicionale, veçmas kur luan klarineta, megjithatë ka qenë e theksuar edhe për nga vija melodike. Fragmente të veprës shpesh përsëriten nga instrumentet që luajnë të vetme dhe i njëjti tingull merr ngjyra të ndryshme deri në momentin kur nisin të tjera zhvillime.
Vepra për nga struktura është me shumë zhvillime që dallojnë krejtësisht nga njëra-tjera. Tingujt e pianos janë tejet të shpeshtë. Me ta është mbajtur ritmi derisa kanë dominuar ata më të zëshëm që kanë udhëhequr. Shumë herë piano zë vend qendror dhe interpreton si e vetme.

Pianisti Andi Duraku, që ka interpretuar si solist përkrah Orkestrës, ka thënë se vepra e Mulliqit ka kërkesa të mëdha teknike e muzikore.
“Kishte kërkesa të mëdha teknike, muzikale, bashkëbisedimi me Orkestër. Por ishte kënaqësi duke marrë parasysh se edhe Orkestra ishte ndihmuese. Sa i përket veprës, kur e kam dëgjuar për herë të parë kam qenë i impresionuar. Është shumë e rëndësishme të kemi një vepër të tillë në repertorin shqiptar. Është një kryevepër”, ka thënë Duraku.
Filharmonia e Kosovës edhe në koncertin e dy javëve më parë, në fund të tetorit, u kishte dhënë hapësirë talenteve të reja kur Orkestra e kishte luajtur veprën “Attempt” të kompozitorit të ri Ersan Januzi. Kësaj here, promovimi i artistëve të rinj është bërë në sektorin e muzikantëve. Pianisti i ri, Andi Duraku, ka thënë se ka qenë përvojë e rëndësishme bashkëpunimi me dirigjentin Charette dhe Orkestrën. Sipas tij, ky koncert i hap rrugë në karrierë.
“Ishte e jashtëzakonshme të interpretohej kjo vepër për herë të parë për mua dhe sidomos në një datë kaq të rëndësishme, në 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit të madh, Rexho Mulliqi. Gjithmonë është kënaqësi kur jepen këto hapësira për muzikantët e rinj. Për ne është shumë e rëndësishme të kemi paraqitje të tilla, pasi që gjithmonë janë inspirim dhe motiv për të zhvilluar më tutje”, ka thënë ai.
Duraku ka performuar në Gjermani, Zvicër, Francë, Turqi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Hungari dhe Itali. Aktualisht është mësimdhënës në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në Gjakovë derisa vazhdimisht bashkëpunon me Korin e Filharmonisë së Kosovës.
“Simfonia kosovare” shpërfaq edhe pasurimin e saj me tinguj nga laramania e instrumenteve. Veprën në “allegretto con fuoco” apo “grave”, siç e ka quajtur autori pjesën tingujt e lehtë të ksilofonit, e kanë bërë atë më harmonike, flautet i kanë dhënë ngjyra melankolie para se ajo të mbyllet me tinguj të fuqishëm.
Në “tempo andante, ma rubato” nis lehtë. Ajo që e bën interesante është se përkundër zhvillimeve, vëmendjen tërheqin ca tinguj të çakorduar në sfond. Rolet e instrumentistëve shpesh janë të ndara mes tyre dhe veprojnë si të vetme. Shpërthejnë papritur në këtë pjesë. Harqet nisin nga një pikë me të cilën burojnë dhe shkojnë tërthorazi duke u rritur derisa tupani dhe çinelet përnjëherësh i ndërpresin.
“Allegro molto” nis si pjesë shumë harmonike që zbret dhe mbeten veç tingujt e flauteve, njëra prej të cilave improvizon me lojë. Prej aty nis të shkojë drejt dinamizmit.
Dirigjenti amerikan Gregory Charette ka thënë se pos përgatitjeve për paraqitje, është dashur të punohet edhe me materialin e veprës.
“Është fantastike kjo vepër muzikore, ndihem shumë me fat që kam pasur mundësinë të punoj këtë javë në të. Kemi punuar në pika të ndryshme, kemi korrigjuar gabime. Duhej të bënim një version përfundimtar, sepse mendoj se është një vepër që ka lënë gjurmë në muzikë. Është simfoni mjaft e avancuar, ka teksturë interesante, ritëm harmonik”, ka thënë dirigjenti Charette derisa muzikën shqiptare klasike e ka vlerësuar kryesisht dinamike. Sipas tij, ajo luhet rrallë në Kosovë.
“Janë në nivel të lartë. Meritojnë të luhen, por në të njëjtën kohë mendoj se problemi këtu është se nuk luhet muzika e tyre. Shpresoj që Orkestra të fillojë të luajë vepra nga kompozitorët shqiptarë. Në koncertin e kaluar e patëm një pjesë nga Ersan Januzi dhe shpresoj që ata të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Kompozitorët kanë nevojë ta dëgjojnë veprën e tyre duke u interpretuar aty për aty”, ka thënë Charette, dirigjent dhe kurator programesh i përkushtuar në interpretimin dhe promovimin e muzikës së re.
“Një mik imi mbrëmë ka luajtur ‘Bareshën’ për mua, që është vepër e Rexho Mulliqit. Kurdo që jam këtu, dëgjoj muzikën shqiptare kurdo që mundem. Mendoj se është e mahnitshme, shumë harmonike, më pëlqen shumë”, ka vazhduar ai.
Charette është dirigjent kryesor i “Orkestr de Ereprijs” në Holandë dhe dirigjenti kryesor i ftuar i Filharmonisë së Kosovës. Gjithashtu është ligjërues dhe dirigjent i Ansamblit Akademik të Konservatorit Mbretëror të Hagës.
Bakim Jashari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se pikërisht puna e dirigjentit Charette ka qenë karakteristikë e koncertit të së premtes.
“Me shumë mundime është gjetur partitura e cila nuk ka qenë mirë e edituar dhe karakteristikë e performancës së sotme ka qenë puna e mrekullueshme që ka bërë dirigjenti amerikan Gregory Charette në redaktimin dhe përmirësimin e shumë lëshimeve teknike që kemi hasur në këtë material që kemi trashëguar nga burime të ndryshme, pasi dihet se origjinalin nuk e kemi pasur në dorë”, ka thënë Jashari derisa interpretimin e “Simfonisë kosovare” e ka konsideruar vlerë të veçantë, sikurse edhe versionin e redaktuar të materialit të veprës.
Sipas tij, vepra kishte filluar si koncert për piano dhe se gjatë zhvillimit, kompozitori Mulliqi i kishte dhënë formë më të madhe.
“Rexho Mulliqi këtë vepër e ka filluar si koncert për piano. Gjatë punës së tij në krijimin e kësaj vepre ka ndërruar mendje dhe e ka shndërruar në simfoni. Por siç vërehet, roli i pianos në këtë vepër është shumë dominues dhe praktikisht mund ta quajmë edhe si koncert për piano dhe orkestër, edhe pse formën muzikore e ka të simfonisë. Mendoj se kjo është një trashëgimi shumë e çmuar për të gjitha gjeneratat dhe natyrisht se jemi krenarë, pasi që te ne Rexho Mulliqi konsiderohet si kompozitori i parë i simfonisë në Kosovë”, ka thënë Jashari.

Tejet karakteristike e ka vlerësuar veprën e Rexho Mulliqit, koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi.
“Vepra e Rexho Mulliqit është shumë karakteristike nga këndvështrimi im si instrumentist. Nganjëherë më shumë duket si një koncert për piano dhe orkestër sesa si një simfoni. Për atë arsye edhe e kemi vendosur sonte pianon në qendër dhe si solist. Vepra në përgjithësi ka material shumë interesant përbrenda dhe ka një zhvillim që ndoshta nuk kemi dëgjuar prej veprave të tjera të Rexho Mulliqit”, ka thënë Kuçi.
Tjetri kapitull ka qenë “Simfonia nr.2 në D-dur, op.39” e kompozitorit finlandez Jean Sibelius. Në “allegretto”, vepra nis si një rrëfim përrallor harmonik me tinguj tejet të shpejtë të harkorëve. Në “tempo andante, ma rubato” hapet me tinguj të lehtë me gishtërinj të harkorëve, që më pas bëhen intensivë dhe shpërthejnë derisa shkojnë e ulen.
Në “vivacissino” një tingull i lehtë i tupanit u paraprin atyre të kontrabasëve që më pas i vazhdojnë violonçelat. Pak dinamikë shtojnë kornot. Fillimisht është pjesë më e pastër në tingull që përcjell në nota të larta krejt instrumentet dhe prapë kthehen në gjendjen fillestare, por me tingull më dominues. Është pjesë më serioze që karakterizohet me ndërhyrjen e papritur të frymorëve.
“Finale: Allegro moderato” nis me tinguj të shpejtë të harqeve që ndërpriten shpejt dhe për një moment instrumentet pushojnë. Ato nisin prapë lojën në zhvillimin e tematikave të reja. Një tingull i violonçelave ngjan se zhvillohet përbrenda. Ato më pas krijojnë situata harmonike dhe përcillen nga krejt instrumentet.
Dirigjenti Gregory Charette ka thënë se kompozitori Sibelius është prej të preferuarve të tij dhe se veprat e tij janë të vështira për t’u luajtur.
“E adhuroj Sibeliusin, ai është një nga kompozitorët e preferuar për mua. Kam studiuar veprat e tij qëkur kam qenë 18 vjeç dhe është shumë kënaqësi për mua të sjell muzikën e tij këtu. Shpresoj se Orkestra ka qenë e kënaqur pasi është shumë e vështirë të luhet. Ka më shumë të bëjë me shprehjen muzikore, është si pasion për natyrën, për shpirtëroren. Më shumë është objektive. Te Rexho Mulliqi ka shumë zjarr derisa te Sibelius ka shprehje të tjera, është më relaksuese”, ka thënë Charette. Ka qenë ai që e ka përzgjedhur repertorin e dy koncerteve të fundit.
“Dy javë më parë e zhvilluam koncertin ku u interpretua ‘Simfonia nr. 1’ e Sibeliusit, sonte e bëmë ‘Simfoninë nr.2’ dhe veprën e Rexho Mulliqit. Kemi qenë shumë të angazhuar, për shkak të repertorit dhe anës tjetër teknike. Kanë qenë të gjitha premiera ato që janë luajtur në këto dy koncerte. Edhe koncerti i kaluar ka treguar se potenciali është në nivel të lartë, është vetëm se ne vazhdojmë të sfidojmë audiencën dhe instrumentistët”, ka thënë ai derisa ka përmendur mungesën e sallës koncertale si ndikim në përjetimin dhe cilësinë e interpretimit.
“Më vjen keq që më duhet ta përsëris sa herë që jam këtu, por atyre u duhet një sallë koncertale dhe hapësirë për të zhvilluar provat. Kur e kanë atë, potenciali vjen edhe më dukshëm, sepse atëherë është shumë më e lehtë të krijojnë tingull kualitativ dhe të kenë një qëndrim pozitiv mental”, ka thënë dirigjenti Charette.
Filharmonia e Kosovës synon që në periudhën kohore prej tre vjetësh të realizojë të gjitha simfonitë e shkruara nga Sibeliusi. Nuk dihet nëse Orkestra do të ketë fatin ta interpretojë ndonjërën prej tyre në sallë të denjë koncertale, megjithatë madhështia dhe mjeshtëria e tyre vihen çdoherë në pah, pavarësisht kushteve e skenës ku interpreton.