Shtojca për Kulturë

“Prishtina, Mish Mash” në kontrast përballë realitetit

Ekspozita “Prishtina, Mish Mash” e hapur të shtunën në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, nuk është vetëm shpalosje e punës pesëmujore të studentëve të Arkitekturës në Universitetin e Vjenës. Shkon përtej tek projekton vizionet për kryeqytetin

Jo rrallë edhe prej profesionistëve, arkitektura e kryeqytetit cilësohet si mishmash në kuptimin e plotë, por ekspozita “Prishtina, Mish Mash” sjell projekte që janë kontrast i gjendjes reale të saj. Studentë të arkitekturës në Universitetin e Vjenës nëpërmjet projekteve e vizioneve të tyre, e çlirojnë dhe e gjelbërojnë qytetin, “ndërhyjnë” edhe në Pallatin e Rinisë e në lagjen “Arbëria”, e Stacionin e Autobusëve e “shndërrojnë” në “Stacion të Kulturës”

Prishtina ka qenë objekt studimi i një grupi studentësh të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Vjenës. Me hulumtimet për aspektet arkitekturore e filozofike për ndërtimin e qytetit e rrëfimet e njerëzve për to, janë projektuar punimet finale akademike. Ekspozita “Prishtina, Mish Mash” vjen si version para dhe pas, i pikëpamjeve të studentëve se si do donin ta shihnin Prishtinën.

Ekspozita nuk është vetëm shpalosje e punës pesëmujore të studentëve të Arkitekturës në Universitetin e Vjenës. Shkon përtej tek projekton vizionet për kryeqytetin. Vjen edhe si pasqyrë se si arkitektët e rinj do të donin ta shihnin atë. Blloqe të ilustruara me grafika e shpjegime dhe punime makete ngërthejnë botëkuptimet e studentëve të huaj për Prishtinën nëpërmjet ekspozitës në katin përdhese të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në kryeqytet,

Projekt-propozime të dizajnit urban u dhanë në kuadër të punëtorisë së mbajtur në Prishtinë në tetorin e kaluar ku qëndruan për një javë. Prej tyre është edhe projektimi i atmosferës ku hapësirat publike kthehen në hapësira rekreacioni. Të tilla janë hapësirat publike boshe pranë ndërtesave që kthehen në parqe për fëmijë. Në njërin prej projekteve objekti i Stacionit të Autobusëve kthehet në “Stacion të Kulturës”. Rruga që dërgon deri aty mbushet me gjelbërim e hapësirë ku njerëzit shijojnë kafen. Projekti është quajtur “Prishtina Mobility Hub” si synim për t’i dhënë jetë të re kësaj pjese të kryeqytetit me anë të formave alternative të transportit lokal, rajonal e ndërkombëtar siç janë tramvajet nëntokësore.

“Shtigjet e shumta të këmbësorëve dhe biçikletave do të lidhnin këtë pjesë të qytetit me rrethet përreth. Megjithatë, ky vend nuk do të ishte i destinuar vetëm për udhëtarët”, shkruhet në përshkrimin e këtij projekti ideor.

Në kuadër të “Prishtina Mobility Hub” përfshihet edhe përshtatja e ish-Fabrikës së Tullave me qëllim që asaj zone dhe kryeqytetit në përgjithësi t’i sigurohet hapësirë për të krijuar, mësuar, argëtuar e eksperimentuar. Ajo është parë si vend me potencial për punë mes artistësh të cilët aty edhe do të ekspozonin e shisnin veprat e tyre. Të ilustruara me vizatime të thjeshta, në projektet e tyre paraqitet se si hapësirat e ish-Tjegullores do të mund të ktheheshin në hapësira punëtorie, për ekspozim, në qendra ditore e biblioteka.

Sipas përshkrimit që i bashkëngjitet këtij projekti, shkruhet se ndërhyrja është e nevojshme dhe se infrastruktura e funksionet në këtë pjesë të qytetit janë larg të qenit plotësisht efektive. Në një tjetër ku dizajnohet urbanistika e kryeqytetit paraqiten ndërtesa të organizuara me shumë gjelbërim rreth tyre, si për ta thyer monotoninë e ndërtimeve. Për hapësirat e zbrazëta rreth tyre përcaktohen se çfarë do të zërë vend aty, si kioskat për performanca muzikore, statuja moderne, sheshe publike e çerdhe të reja.

Nëpër blloqet me dimensione të mëdha jepet edhe transformimi i Pallatit të Rinisë në hapësirë që u shërben aktiviteteve të ndryshme bashkë me pjesën aty që shfrytëzohet si parking. Pikërisht kjo hapësirë e kryeqytetit ka qenë objekt studimi për studenten kosovare, Zana Veli, e cila është pjesë e ekspozitës bashkë me katër studentë të tjerë nga Prishtina dhe një tjetër nga Tirana. Ajo ka treguar se ekspozitës i ka paraprirë prezantimi i punimeve në Vjenë.

“Kemi studiuar aspekte të ndryshme prej atij historik deri te komunikacioni, hapësirat e lira, hapësira publike. Jemi munduar të krijojmë hapësira për rininë, për aktivitete jashtëshkollore. Kemi bërë edhe intervista te bibliotekat dhe hapësira të ndryshme dhe të gjithë studentët kanë thënë se do të donin të kishte vende që mund të zhvillojnë vetveten dhe të ndihmojnë të tjerët, por që qyteti nuk u ofron këtë mundësi”, ka thënë Zana Veli, studente e Arkitekturës në Universitetin e Vjenës.

Lagjja “Arbëria” është shpalosur në tjetër dimension nga studentët. Shumë gjelbërim e shtigje për këmbësorë, çerdhe e shkollë, bashkë me sheshin, e përbëjnë projeksionin e studentëve për këtë pjesë të kryeqytetit. Nëpër tavolina e në korniza të varura, projektet e tyre janë edhe më të qarta ku ndërtesat janë punuar prej druri e letre.

Studentja Paulina Piliszewska nga Polonia ka vlerësuar hulumtimin për Prishtinën si tejet të këndshëm, por edhe sfidues.

“Ishte përvojë e këndshme, për mua personalisht ishte hera e parë në Prishtinë. Mendoj se Prishtina është si çdo kryeqytet tjetër evropian, në njërën anë për shkak të arkitekturës së veçantë prej asaj që jemi mësuar të shohim dhe në anën tjetër për shkak të energjisë. Nuk ishte aspak i mundimshëm hulumtimi për Prishtinën, ishte shumë i këndshëm”, ka thënë ajo derisa ka treguar se është marrë me projeksionet në përgjithësi të kryeqytetit. “Ishin detyra të ndryshme për të gjithë ne pasi nuk kishim një pjesë të caktuar të qytetit a temë specifike. Secili nga ne morën drejtime të ndryshme, disa nga ne gjithë kohën u morëm me pjesën qendrore, disa nga ne me pjesët përreth”.

Gjatë fazës së analizës në kuadër të punëtorisë në tetor të 2022-s në kryeqytet, studentët ishin takuar me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Kishte kërkuar që puna më pas të ekspozohej në qytetin për të cilin janë bërë dizajnët urbanistike. Me rastin e hapjes së ekspozitës ka treguar se i ishte dashur të intervistohej nga profesorët austriakë për ta shënuar ceremoninë e së shtunës.

“Mund të shoh reflektimin e energjisë shumë të mirë dhe veçse shohim frytet e saj. Është kënaqësi t’i kemi këtu studentët, shumë prej tyre i kam takuar në tetor. Jam i lumtur të shoh ide dhe projekte dhe të diskutojmë aspektet akademike e filozofike se si studentët e shohin qytetin”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i Institutit të Dizajnit Urban, Markus Tomaselli, njëherësh edhe mentor i studentëve ka qenë i pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

“Në kuadër të semestrit qëndruam për një javë në Prishtinë në muajin tetor ku zhvilluam propozime e ide për projektet në Prishtinë së pari për Pallatin e Rinisë e më pas edhe për hapësirat më tej”, ka thënë Thomaselli para të pranishmëve.

Me studentët ka punuar edhe Mamica Burda nga Tirana, profesoreshë e Arkitekturës në Universitetin e Vjenës. “Ideja nisi përgjatë hapjes së ‘Manifestës’. Unë dhe kolegia Adea Buza menduam se duhet patjetër të bëjmë diçka t’i sjellim studentët të shohin”, ka thënë Burda.

Ekspozita “Prishtina, Mish Mash” do të qëndrojë e hapur për një javë në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani”. U organizua nga Ambasada e Austrisë në Kosovë dhe u mbështet nga Komuna e Prishtinës.