Veprimet e saj e kishin bërë portret shprese për kosovarët që po përballeshin me agresionin serb. Po jo vetëm kaq. Ajo është portret edhe i lirisë. Për shqiptarët po se po. Akademik Luan Mulliqi, autor i bustit të Medeline Albright në Prishtinë, i përuruar në të gjallë të saj në qershorin e 2019-s, kujton bisedën me të ashtu sikurse edhe dirigjenti Baki Jashari kur e takoi në koncertin e 20-vjetorit të çlirimit. Studiuesi e ish-diplomati, Muhamet Hamiti, zbërthen edhe peshën e nderimit të figurës e të trashëgimisë së saj
Ata që kishin mundësi të shikojnë e të dëgjojnë lajme në kohë lufte, prisnin se çfarë do të deklaronte ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright. E kur i rrëfej për ndonjë edicion të lajmeve të tjerëve që nuk ishin informuar, para së gjithash u tregohej se çfarë kishte thënë Albright. Midis zyrtarëve të botës që sidomos në fillim të vitit 1999 merreshin me luftën në Kosovë, Albright zinte kryevendin. Veprimet e saj e kishin bërë portret shprese për kosovarët që po përballeshin me agresionin serb. Po jo vetëm kaq. Ajo është portret edhe i lirisë. Për shqiptarët po se po.
Qëndrimin e kishte të rreptë. Bash sikurse është paraqitur në bustin e saj në Prishtinë, të inauguruar në të gjallë të saj, më 12 qershor 2019. Përderisa bashkëbiseduesit e saj rreptësinë e përjetonin rëndë, te shqiptarët e Kosovës ajo ngjallte gëzim. Aso gëzimi që një ditë do të vinte koha t’iu ktheheshin shtëpive të tyre.
“Po bëjmë gjënë e duhur”
Të mërkurën u dha lajmi se Albright vdiq në moshën 84-vjeçare. Për Kosovën qe një kumt i rëndë. E në Serbi pati edhe marshime me mbishkrime ku urohej që sekretarja e 64-të e SHBA-së të përfundojë në ferr. Realisht, ferr për shqiptarët Kosovën e kishte bërë regjimi serb gjatë viteve ’90 e sidomos më 1998 dhe 1999. E Albright nuk e duronte ferrin. As te një popull me të cilin e ndante Atlantiku.
Jo veç zyrtarët, por edhe qytetarët të enjten gjatë ditës bënë homazhe te busti i saj i vendosur në qendër të Prishtinës. Hapësira është shndërruar në sheshin që bart emrin e Albrightit, e lindur më 15 maj 1937 në Çeki.
Qe shumë mirënjohëse kur në 20-vjetorin e çlirimit në Prishtinë u përurua busti i saj. Më 12 qershor 2019 Albright së bashku me presidentin amerikan, Bill Clinton, qëndruan në Prishtinë. Qenë të ftuar të veçantë që të kremtonin bashkë me popullin e Kosovës dy dekadat e lirisë që pa ata zor se do të ishin të mundura. Qysh më 1999 kur edhe falë kontributit të saj të madh NATO-ja vendosi që t’i bombardojë caqet ushtarake serbe në Kosovë e Serbi, Albright ishte e vendosur se po bëhej më e mira e mundshme brenda rrethanave. Më 2019, në ceremoninë solemne të 20-vjetorit të lirisë së Kosovës në foltore kishte rrëfyer se në mbrëmjen e 24 marsit 1999 presidenti Bill Clinton do ta telefononte pasi kishin nisur bombardimet dhe do t’i thoshte se janë duke bërë gjënë e duhur.
“I thashë: Po president, po bëjmë gjënë e duhur. Ne gjithmonë bëjmë gjënë e duhur”, rrëfente ajo. Luftën në Kosovë e shihte si përballje midis tiranisë dhe demokracisë. Përballë tiranisë ishte e rreptë, ashtu siç e ka paraqitur në bust skulptori Luan Mulliqi.
Takimi me idealisten pragmatike
Në ditën e përurimit, akademik Mulliqi nuk ndihej edhe aq rehat. Kishte pak drojë se si do t’i dukej Albrightit busti. Por ish-sekretarja si në humor do t’i thoshte: “Më ke bërë të gjatë”.
“I thashë: jo të gjatë, por të lartë. Dhe, pastaj më tha: ‘Përshtypja e parë është se jam paraqitur shumë serioze. Në këtë moment reagoi presidenti Clinton dhe tha: ‘A ke harruar se e gjithë Shtëpia e Bardhë frikësoheshin kur vinit te unë në zyrë’”, ka treguar Mulliqi. Portreti i Albrightit në bronz ka një siluetë të rreptë. Por, pos personalitetit të saj sa ishte sekretare, akademiku Mulliqi, konceptin e ka çuar edhe te një tjetër rrafsh. Ka treguar qëndrimin e saj në bust që ua tërheq vërejtjen edhe politikanëve vendorë që të jenë të kujdesshëm në qeverisje.
“Njihet si një zonjë idealiste pragmatike. Të gjitha diskutimet e saj duke filluar nga krimi njerëzor në Ruandë pastaj te ndalja e luftës në Bosnjë-Hercegovinë, procesin e Rambouillet dhe momentin që të bombardohet Serbia, bota e ka njohur të rreptë. Jam munduar ta paraqes brendësinë e saj, rreptësinë në shikim e qëndrim”, ka thënë ai.

“Lufta e Madeleineit”
Para rreptësisë ajo kishte ftohtësinë prej diplomateje. Diplomacinë e kishte brenda familjes. I ati i saj, Josef Körbel, qe diplomat. Familja e saj ishte hebreje dhe prindërit për t’u mbrojtur ishin konvertuar në katolicizëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në luftë ishin zhvendosur në Britani të Madhe e pas saj ishin kthyer në atë që ishte Çekosllovaki. I ati do të shërbente si ambasador edhe në Jugosllavinë komuniste. Nuk ia kishte marrë mendja që të bijën ta shkollonte në Beograd shkaku i frikës se do t’i bëhej komuniste. Do ta transferonte në Zvicër bashkë me emrin e ri, Madeleine. E më vonë SHBA-ja ishte bërë shtëpia e tyre. Albright as që mund të binte pre e mashtrimeve serbe. E kishte të qartë historinë e shtetit që në vitet ’90 qe agresor në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e në Kosovë.
“Gjatë konfliktit të Kosovës kisha probleme me Slobodan Milosheviqin dhe ai mendonte se mund të më mashtrojë me historinë e vuajtjeve të Serbisë. E kishte zgjedhur njeriun e gabuar, babai im me vite s’më kishte folur për diçka tjetër. ‘As mos provoni’, i thashë Milosheviqit. Nuk ishte i entuziazmuar. Njerëzit nuk mund ta marrin me mend sa vështirë është të fillosh një diskutim diplomatik”, do të rrëfente Albright. Për të populli i Kosovës ishte nën tiraninë që duhej flakur.
Profesori i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Hamiti, thotë se Kosova e Albrightit ishte vendi që kërkonte liri e demokraci dhe madje këtë e bënte me mjete paqësore e institucionale në vitet e nëntëdhjeta, në periudhën e lëvizjes për liri e pavarësi që e drejtonte presidenti Rugova dhe në kohën kur Serbia okupatore shtypte këtë vullnet me mjete mizore.
“Ajo kuptoi dhe mirëkuptoi rezistencën politike, por edhe ushtarake në fund në gjakimin e shqiptarëve për liri e mëvetësi. Kritikët e saj luftën e Kosovës e kanë quajtur “Lufta e Madeleineit”. Ajo ishte përkrahësja e madhe e intervenimit të Perëndimit, drejtuar nga SHBA-ja, nën ombrellën e NATO-s në pranverën e vitit 1999”, thotë Hamiti. Sipas tij, ajo asnjëherë nuk ndërroi mendje për drejtësinë e kauzës se kosovarëve as të intervenimit ndërkombëtar për të shpëtuar popullin e Kosovës prej agresionit të Serbisë së Milosheviqit, që donte t’i shfaroste shqiptarët e këtij vendi.
Duke u bazuar në veprimet e Albrightit e sensibilizimin që i bëri ajo çështjes së Kosovës, Hamiti thotë se me punë të mençur, shteti duke ruajtur miqtë që ka dhe duke krijuar miq të rinj, mund të gjejë njerëz me ndikim në botë dhe njohës të kontekstit ballkanik.
“Kjo është më e lehtë sot, sesa që ka qenë para tridhjetë vjetësh, kur pakkush në botë dinte për ne. Trashëgimia e Albrightit do të jetojë për aq kohë sa të ketë njerëz që besojnë në njerëzi e në drejtësi”, thotë ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe.
Sipas tij, populli i Kosovës është mirënjohës ndaj njerëzve, popujve e shteteve që iu gjetën në kohët më të rënda, atëherë kur pa ndihmën e tyre mbijetesa ishte në rrezik, pa folur për realizmin e gjakimit për liri, demokraci e pavarësi. Hamiti thotë se duke nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e Madeleine Albrightit, Kosova dëshmon drejtësinë e kauzës së vet që u realizua edhe me kontributin e saj, vlerat e demokracisë e të lirisë.
“Nëna e të gjithë kosovarëve”
Qytetarët e Kosovës pos që kujtojnë trashëgiminë e Albrightit, nderimet që i kanë bërë dhe i bëhen asaj janë të formave të ndryshme. Ka prej atyre që fëmijëve u kanë vënë emrin e saj. Madeleine Albright Geci e Madeleine Albright Bardhi janë veç dy prej tyre.
Kur bëhet fjalë për nderim të Albrightit, njerëzit nuk kursejnë asgjë. Bile janë në gjendje që të dirigjojnë koncert ku ajo është mysafire nderi edhe pak orë pasi nënës t’ia japin lamtumirën e fundit. Ky është rasti i Baki Jasharit, drejtorit të Filharmonisë së Kosovës.
Midis aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës ishte edhe koncerti solemn i Filharmonisë. Ishte një program i përzgjedhur me vepra kulmore vendore e aso ndërkombëtare që bënin thirrje për paqe, përfshirë një pjesë të veprës “Njeriu me armë: Meshë për paqe” të kompozitorit uellsian, Karl Jenkins, që është shkruar pikërisht për luftën në Kosovë.
Baki Jashari ishte edhe në rolin e dirigjentit. Por, papritur do t’i vdiste nëna dhe pak orë para koncertit. Pasi ishte interpretuar programi, Albright ishte ngritur në këmbë për të shkuar te skena. Nuk ishin paraparë fjalime, por ajo thjesht donte t’i falënderonte Jasharin e institucionin.
“Mu ofrua dhe më uroi për programin. I pëlqeu shumë. Unë u emocionova shumë. Shkëmbyem përqafime dhe në atë rast nga emocionet i thashë: ‘Zonja Albright ju jeni nëna e të gjithë kosovarëve. Pa ju ne nuk do të ishim këtu’. Edhe ajo u emocionua shumë”, kujton Jashari atë moment. Thotë se pavarësisht situatës jo të lehtë në familje shkaku i ndarjes nga jeta të së ëmës, megjithatë vendosi të dirigjojë pasi ishte ditë e rëndësishme dhe aty qe një prej njerëzve kryesorë që shteti më i ri i Evropës është një vend i lirë e demokratik. Sipas Jasharit, Albright qe njeri i shpresës.
“Kur e shihnim atë, e shihnim personin që na jepte shpresë në kohë të vështira e më pas njeriun që na e mundësoi lirinë”, thotë ai.
Kundër idesë së çmendur për Serbinë e Madhe
Maestro Jashari as që do të mund të paramendonte se njerëzit mund t’i dëshironin ferrin Albrightit. Por në Serbi marshuan me këtë urim. Vetë Albright ishte e vetëdijshme se urrehet në Serbi.
“Kjo nuk më befason. Edhe Arafati më ka quajtur gjarpër. Serbët më urrejnë edhe më shumë. Ata, me sa duket, ende besojnë se unë jam fajtore për mjerimin e tyre dhe jo Slobodan Milosheviqi dhe ideja e tij e çmendur për perandorinë serbomadhe. Unë kam qenë në Vukovar, kur qyteti ende ishte në duar të serbëve, dhe kam dashur të përzihem mes popullit të thjeshtë. Por njerëzit iknin. Meqë unë e kuptoj gjuhën (serbishten v.j.), kam dëgjuar se si më quanin kurvë. Më kanë gjuajtur me gurë”, kishte treguar Albright. Por kur populli serb të denazifikohet, do t’i jenë mirënjohës asaj. Pasi dha kontribut të madh edhe për serbët, duke u munduar t’ua hap sytë se shteti i tyre po bënte krime. E për kosovarët do të ngelet përherë portreti i shpresës. Dhe i lirisë.