“Unë nuk kam qëllime të caktuara që janë konstante. Së pari punoj për të shuar etjen që kam ndaj krijimit, pastaj merrem me atë që unë e shoh të arsyeshme, por asnjëherë i orientuar në parimet e tregut apo faktorëve të tjerë që më rrethojnë”, kishte thënë Mentor Ejupi – Toro, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Biseda me të, e botuar në “E diela me Kohën Ditore” më 24 prill të vitit 2016, ribotohet me rastin e vdekjes së tij të enjten e 30 marsit, në moshën 56-vjeçare. Sot, (e diel) piktorit do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e fshatit Sekiraqë në Komunën e Podujevës
Prishtinë, 24 prill 2016 – Pikturimin e portretit të Nënë Terezës nuk e ka fort në qejf. Jo se nuk i pëlqejnë portretet, por thotë se tashmë kjo është punë e fotografëve. Ka dëshirë që si artist të hyjë pak më thellë. Në raste të tilla merret me studimin e personalitetit. Njëjtë ka vepruar me nobelisten shqiptare Nënë Tereza. Mentor Ejupi, i njohur me emrin artistik Toro, e ka studiuar gjatë veprimtarinë dhe anën shpirtërore të Nënë Terezës.
“Unë pikturoj shpirtin e saj”, thotë Ejupi nga Prishtina, që tash 22 vjet jeton në Gjermani. “Për të punuar një figurë siç është Nënë Tereza ka qenë shumë vështirë, edhe pse me vite të tëra kam përcjellë mediat dhe veprimtarinë e saj, duke parë e lexuar reagime të ndryshme, nisur nga ato pozitive dhe nga teoritë negative nga teoricienë të ndryshëm, të motivuar nga ndikimi i fesë dhe nga faktorë të tjerë e deri te reagimet apo agimet më laike rreth figurës së saj”, thotë ai.
Me veprimtarinë e tij thotë se ka një mision. E pranon se “arti s’mund ta ndryshojë botën”, por maksima që ndjek ka edhe një vazhdim.
Ngjyrat e shpirtit të Nënë Terezës
Ejupi thotë se me kohë e kishte marrë vesh se veprat e tij do të bëheshin ushqim për dy taborët, por kjo nuk ishte e mjaftueshme ta ndalte për egon që ka, pikturën.
“Nuk punova portrete klasike, ngase për atë kemi fotografët, andaj punova formate të mëdha në pop-art dhe në stilin që unë preferoj, duke ikur nga klasicizmi dhe abstrahimi në temporane, unë ekstrahova figurën e të lumes Nënë Terezë, që vështruesi të gjejë vetë atë çka vetë dëshironte”, thotë Ejupi. E donte Nënë Terezën në punime, ashtu e kishte parë që nga fëmijëria të mbështjellë në të bardha, të rraskapitur e të lodhur, por shumë stoike. Këtë muaj (prill, 2016) në qytetin e Hamburgut në Gjermani ka hapur ekspozitën personale “The Year of the White Spirit“ (Viti i shpirtit të bardhë). Me ngjyra të lehta, por me shumë kombinime, ka portretizuar nobelisten. Thotë se motivin nuk e ka nga fakti që Nënë Tereza pozonte me shumë njerëz që kishin ndikim në botë.
“Ishte vepra e të madhes Nënë Terezë që më fascinonte me vite radhazi, ishte humanizmi i saj, gatishmëria e saj për të ndihmuar nevojtarët gjithandej. Ashtu si ky vit (2016 v.j.) që është viti i saj, viti i të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, thotë ai. Veprat e realizuara për nobelisten shqiptare të shenjtëruar nga Papa Françesku nuk kanë të bëjnë me patriotizëm folklorik, por me personazhin stoik e shpirtin e saj të vuajtur.
“Unë po pikturoja një anë që për mendimin tim, që në shumicën e rasteve është lënë anash, duke ikonizuar prezencën e saj në media, ishim mësuar të shihnim të madhen në krah të të tjerëve. Shihnim vetëm prodhimet finale të humanizmit të saj, na u mohua tërë kohën qasja në jetën e shpirtin e saj”, thotë artisti, që studimet në pikturë i ka përfunduar më 1989 në Universitetin e Prishtinës. Në veprat e tij Nënë Tereza nuk qesh, nuk sheh, ajo paraqitet e mbuluar me shumë kolorit. E artisti thotë se shamia e saj e bardhë definon personalitetin, ashtu siç ishte edhe shpirti i saj.
“Vijat e kaltra ishin ato që simbolizonin jetën e saj në rrugëtimin e ftohtë të veprës, por kjo ngjyrë u shndërrua në ngjyrën më të ngrohtë që do ketë njerëzimi nga shekulli i kaluar”, thotë Ejupi.
Vepra e lumit
Piktura nuk është i vetmi stil i artit ku Ejupi shkrin talentin. Prej vitit 1993 jeton në Port të Hamburgut. Thotë se jeton i rrethuar nga “Elbe e Fan Nolit“, kur flet për lumin që zuri vend midis vargjeve të poezive të shkrimtarit, përkthyesit e politikanit shqiptar. Ejupi tregon se ka pikturuar shumë portin dhe është marrë me vite të tëra me ujin si frymëzim krijues. Kur i hyn kësaj teme veçon projektin “Das Wasser Projekt“ (Projekti i ujit), të cilin e ka realizuar në vitin 2006, ku puna e tij u ekspozua në selinë e organizatës “Kunstverein Harburger Bahnhof” në Hamburg. Këtë projekt e veçon. Thotë se kjo ishte puna që ia dha vizën në skenën e artit në Evropë.
“Instalacioni në fjalë ishte një nga punët më të mundimshme që kam realizuar ndonjëherë. Për tre vjet hulumtova dhe eksperimentova në lumin e Elbes”, thotë ai. Kishte vendosur pëlhura gjigante në kanalet e Elbes. Tregon se pëlhurat kishin dimensione 10 me 2 metra, ku pjesa dërrmuese ishte e zhytur në ujë, që të regjistrojë lëvizjet e botës nënujore.
“Duke parë kujdesin për ujërat, që thuhej se ishte më se i kënaqur, unë zbulova vende ku nuk ishte ashtu. Vende që kishin dalë jashtë vëmendjes, ishin harruar nga zhvillimi i jetës urbane të qytetit”, thotë Ejupi. Qëllimi i tij ishte që të tërheqë vëmendjen e popullatës për t’u kujdesur për ambientin.
“Në fakt që të kujdeseshin ndaj emblemës së qytetit të Hamburgut, lumit Elbe”, tregon ai. Kur kishte nxjerrë pëlhurat nga uji doli një vepër, që ai e quan gjigante, e krijuar nga vetë natyra.
“Po pikturoja pa pikturuar, ngase kisha dhënë vetëm rekuizitat në dispozicion. Ishte natyra ajo që më nxori në arenë, ishte lumi që po pikturonte me të gjitha mjetet që kishte, nga mbeturinat e mbetura e deri tek peshqit që linin gjurmët në kanavacë”, thotë artisti. Temat sociale e kanë tërhequr gjithnjë. Në vitin 1997, nëpërmjet pikturës “Refugjatët”, ka paraqitur fytyrat e ngrysura të të tre personave.
Qëndrojnë. Edhe pse me ngjyra të lehta, fytyrat e tyre janë të ngrysura dhe të vendosura njëra mbi tjetrën. Sytë nuk u shkëlqejnë fort dhe duket sikur refugjatët kanë humbur shpresat. Ejupi në listën e tij të ekspozitave rendit dhjetëra sosh. Më 1991 kishte marrë pjesë në Sallonin e Karikaturës në Prishtinë, më 1994 kishte hapur ekspozitën e parë në Hamburg e prej këtij viti deri më sot numëron më se 30 ekspozita personale nëpër Evropë. E prej vitit 2013 është pronar i galerisë për art bashkëkohor “Mytoro“ në Hamburg.
“Unë nuk kam qëllime të caktuara që janë konstante. Së pari punoj për të shuar etjen që kam ndaj krijimit, pastaj merrem me atë që unë e shoh të arsyeshme, por asnjëherë i orientuar në parimet e tregut apo faktorëve të tjerë që më rrethojnë”, thotë ai. Tregon se si shumë krijues ka kapërcyer në tema të ndryshme, ku një kohë të gjatë është marrë me refugjatët, ngase edhe vetë ishte i tillë.
“Shumë kritikë dhe gazetarë që përcjellin veprimtarinë time krahasojnë secilën vepër me prejardhjen time, duke vlerësuar se nuk dal dot nga ajo egoja e të qenët i lidhur ngushtë me vendlindjen”, thotë ai. Shpjegon se aktualiteti dhe disa pjesë të errëta të shoqërisë e ngacmojnë përherë dhe se ambienti dhe historia e popullit shqiptar e përcjellin edhe jashtë vetëdijes. “Sensibilizimi i masës është një prej motiveve të mia në krijimtari. Hulumtimi dhe analizimi i jetës urbane po ashtu”, thotë piktori, teksa shton se zakonisht nuk e mundon fare realizimi teknik apo teknikat e mediumit dhe se është më shumë i dhënë nga ideja e punës sesa nga realizimi.
“Arti nuk mund ta ndryshojë botën, por mund ta sensibilizojë atë”, thotë Ejupi.