“Ansambli hënor për dete të rrëmbyera” është titulli i veprës së Halilajt e Urbanos në kishën e Shën Lorencit në Venecie që vë në pikëpyetje kufijtë e paradigmat. “E kemi shndërruar hapësirën në një botë ku mungon foleja. Vend ku mundohemi me i bashku krijesat që janë midis ujit, tokës, qiellit...”, ka thënë Halilaj për KOHËN. Sipas tij, bëhet fjalë për njëfarë territori të ri. Në konceptim e tij është një lloj ëndrre për të ardhmen
Se Petrit Halilaj luan me botëkuptimet, provokon të menduarit e godet mendësitë brenda “kafazit”, është kaherë e njohur. Këtë e ka bërë gjithandej galerive me nam. Këtë muaj i është kthyer Venecias. Por jo vetëm. Bashkë me partnerin e tij, Álvaro Urbano, kanë ndërtuar njëfarë universi paralel ku specie të ndryshme, edhe pse bashkohen në një ambient kishtar, nuk janë brenda folesë. Përkundrazi thërrasin që qeniet të ndajnë hapësirat mes vete e t’u bëjnë vend botëkuptimeve që kanë.
Dyshja Halilaj e Urbano së bashku me artisten libanezo-amerikane Simone Fattal nëpërmjet ekspozitës “Thus Waves Come in Pairs” (Kështu dallgët në dyshe vijnë) kanë “veshur” me skulptura ambientet e Kishës së Shën Lorencit në Venecie. Ndërtesa që daton prej shekullit IX dhe është rindërtuar midis viteve 1580–1616 me stil barok, strehon ekspozitën e ndarë në dy pjesë. “Lunar Ensemble for Uprising Seas” (Ansambli hënor për dete të rrëmbyera) mban titullin instalacioni i dyshes, Halilaj e Urbano. Kurse instalacioni i Fattal titullohet “Free Man, You’ll Love the Ocean Endlessly” (Njeri i lirë, do ta duash oqeanin në pafundësi).

Bashkëjetesa e gjallesave
Ambienti kishtar që është kthyer në atë që quhet “Hapësira oqeanike” është nikoqir i ekspozitës së organizuar nga “TBA21–Academy” dhe “Audemars Piguet Contemporary”.
Janë mbi 30 skulptura ku paraqiten forma të ndryshme të specieve që kompletojnë instalacionin e Halilajt e Urbanos. Shpendë, peshq që provojnë fluturimin e specie të tjera bëhen bashkë. Bashkëjetesa në një ambient të njëjtë është emëruesi i tyre i përbashkët.
Vetë titulli i përgjithshëm i ekspozitës “Kështu dallgët në dyshe Vijnë” është një varg nga poezia “Deti dhe mjegulla” nga Etel Adnan. I referohet domosdoshmërisë së të menduarit. Mbi të gjithë, të menduarit në shumësi dhe për shkëmbime. Fokusi i krejt projektit ishte Mesdheu.
“Mesdhetarët janë një vend plural dhe policentrik i prodhimit të njohurive, ku pyetjet se kush krijon rrëfimet rreth tij dhe nga cila perspektivë dhe brigje janë qendrore”, shkruhet në sqarimet që kanë dhënë organizatorët e programit. Kuratorja Barbara Casavecchia shquhet për qasjen specifike duke thelluar angazhimin e saj me praktikat artistike dhe njohuritë ekologjike lokale. Ekspozita prek edhe ndryshimet klimatike të cilat do të sjellin realitete të reja në ekosistem. Përmendet fakti se ndryshimi i shpejtë i klimës rreth pellgut të Mesdheut po ndodh me një ritëm 20 për qind më të shpejtë se kudo tjetër në planet. Hapësirat po thahen, vapa po rritet e kufijtë e së ardhmes po bëhen çdo ditë e më të paimagjinueshëm. Me krejt këtë luajnë Halilaj dhe Urbano bashkë me kolegen Fattal.
Një botë pa fole
Përtej instalacionit statik, muzika dhe lëvizjet e shpendëve kanë shoqëruar të pranishmit në hapje të ekspozitës në ditën e 22-të të këtij muaji. Njëjtë do të veprohet edhe më 19 maj kur edhe hapet edicioni i 18-të i Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie.
“E kemi shndërruar hapësirën në një botë ku mungon foleja. Vend ku mundohemi me i bashku krijesat që janë midis ujit, tokës, qiellit...”, ka thënë Halilaj. Sipas tij, bëhet fjalë për njëfarë territori të ri. Në konceptim e tij është një lloj ëndrre për të ardhmen.
Instalacioni zë vend në krahun perëndimor të Kishës. Të dy kanë krijuar një vepër që eksploron kohezionin, si dhe rezistencën ose disharmoninë midis specieve të ndryshme.
“Skulpturat variojnë në shkallë dhe formë, pa asnjë krijesë realiste për këtë botë. Të gjithë janë në një gjendje evolucioni me një përzierje karakteristikash për mbijetesë nën ujë, në tokë, si dhe në qiell. Lëkurat metalike të skulpturave reflektojnë dritën e diellit në muret, tavanet dhe dyshemetë e Kishës, duke modifikuar perceptimin e hapësirës gjatë ditës”, shkruhet në sqarimet e organizatorëve. E veçantë është se skulpturat dyfishohen si instrumente muzikore, duke prodhuar tinguj e vetëm ndërveprimi njerëzor i bën ato të marrin jetë me zë.
“Ky instalacion eksploron dhe negocion hapësirën midis dy realiteteve: botës njerëzore dhe asaj natyrore. Të dyja praktikat e tyre mbushin elemente personale, lozonjare që punojnë për të bërë pyetje për normat shoqërore”, sqarojnë organizatorët për instilacionin.
Instalacioni ka për inspirim një këngë të njohur në Spanjë, të titulluar “Ay mi pescadito”, ku peshqit e vegjël ndjekin mësimet në një shkollë në fund të detit për të mësuar për format e mbijetesës dhe përkatësisë.
“Artistët kanë krijuar një instalacion i cili eksploron kohezionin, si dhe rezistencën apo mungesën e harmonisë mes specieve të ndryshme, si dhe mes organizmave të gjallë dhe objekteve”, shkruhet në letrën informuese të organizatorëve.

Ftesa për shumëllojshmërinë
E kuratorja Barbara Casavecchia citohet të ketë thënë se “Kështu dallgët në dyshe vijnë” shkruhet në vargun e poezisë së Etel Adnanit dhe bazuar në të është titulluar edhe ekspozita e ngritur në krahët binjakë të “Ocean Space”. Vargu bashkë me ekspozitën, sipas saj, u kujton vizitorëve se duhet menduar dhe rimenduar praktikimin e formave të bashkimit.
“Valët bartin dhe transmetojnë energji. Kur ato takojnë një pengesë, lind një reflektim. Kur takohen me njëra-tjetrën, ka ndërhyrje. Ato sjellin me një lëvizje që thyen ndarjet binare si toka dhe uji, e lagësht dhe e thatë, njerëzore dhe jonjerëzore. Ato riorganizojnë dhe shpërndajnë qëndrueshmërinë e kufijve dhe paradigmave”, ka thënë ajo, derisa ka përshkruar konceptin kuratorial. Sipas saj, ashtu si valët, siç mëson fizika bashkëkohore, të gjitha janë rezultat i ndërveprimeve të ndërsjella.
Nga oqeani mund të mësojmë se marrëdhëniet midis qenieve të gjalla dhe ekosistemeve janë të shumta, fluide dhe vazhdimisht ndryshojnë, ashtu si klima, e cila rreth pellgut të Mesdheut po ndryshon me një normë 20 për qind më shpejt se në pjesën tjetër të planetit. Në këtë pikë të nxehtë, vapa lëviz gjithashtu në valë, mbi dhe nën nivelin e detit, ku temperaturat vazhdojnë të rriten...”, ka sqaruar ajo. Më pas ka ngritur pyetje nëse njeriu dhe qeniet e tjera mund të përshtaten me këto lëvizje të vazhdueshme.
“Në punimet e tyre, të krijuara për këtë ekspozitë, Simone Fattal dhe Petrit Halilaj me Álvaro Urbanon na tregojnë histori që na bëjnë të imagjinojmë të ardhmen në të cilën kuptimi ynë është se bota është transformuar nga takimet tona me speciet e tjera. Ata na ftojnë të dëgjojmë shumëllojshmërinë e inteligjencës”, ka thënë ajo.
Petrit Halilaj i është kthyer Venecies pas vitit 2017 kur në kuadër të ekspozitës kolektive ishte paraqitur me dy instalacione: “Abetare” dhe “A e kuptoni se ekziston një ylber edhe nëse është natë?”. Asokohe kishte marrë edhe Mirënjohje Speciale nga organizatorët. E më 2013 kishte përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në këtë qytet. Pavijoni i Kosovës asokohe titullohej “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Kësaj radhe ka shkuar përtej duke pyetur për realitete të reja.