Janë lodra fëmijësh që zbërthejnë histori prapa. U takojnë fëmijëve që ose e kanë përjetuar luftën ose janë vrarë. “Muzeu i Fëmijërisë së Luftës” është titulli i ekspozitës – njësoj sikurse ai i institucionit të njohur, muzeut me seli bazë në Sarajavë – i cili është “zhvendosur” edhe në Prishtinë. Aty u janë bashkuar edhe shenjat e fëmijëve të Kosovës
Këpucë të humbura, kapele me vrima, pantallona të arnuara, libra të shpuar, bluza, kukulla, arka, topa e lloj-lloj objektesh të ndryshme... Janë shenjat e luftës, të fëmijërisë së luftës. Sot janë në muze, shënjojnë të kaluarën, bëjnë thirrje të mos harrohet lufta. Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, me selinë kryesore në Sarajevë, është “zhvendosur” edhe në Kosovë. Objektet e tij dhe të tjera – në mesin e tyre edhe fëmijësh nga Kosova – kanë mbushur Galerinë Kombëtare të Kosovës. Në shikim të parë duken si lodra fëmijësh, por kanë një të përbashkët: vijnë nga fëmijë që e kanë përjetuar luftën ose janë vrarë në luftë.
Një fanellë ngjyrë e kuqe dhe kaltër, e varur diku në mes të Galerisë, është bluza e Edonit, djalit tre vjeç e gjysmë që u vra një fund të prillit gjatë luftës në Kosovë. Historinë e tij e tregon Blinori, kushëriri tashmë i rritur i Edonit.
“Ishte fundi i prillit. Atë mëngjes, si gjithë të tjerët, u zgjova me padurim për të dalë dhe për t’u bashkuar me miqtë e mi në lojë. Nëntë prej nesh u mblodhëm. Gjatë lojës në fushë hasëm në një objekt të pazakontë që në fillim mendua se ishte shishe interesante. U rreshtuam rreth objektit dhe vështronim me kureshtje: për çfarë shërben?”, është rrëfimi i Blinorit, i vetmi i mbijetuar i asaj dite.

Ndërsa qëndruan aty, një nga djemtë e grupit, në fakt, kushëriri i madh, i tha të vrapojë te kafshët dhe t’i kontrollojë. Për një moment hezitoi sepse nuk donte të humbiste asgjë, por pastaj u pajtua.
Ndërsa po kthehej, 50 metra më larg pjesës tjetër të grupit, shpërtheu një eksploziv. I pa miqtë e tij të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluara e gjak.
“Më kujtohet frika dhe një ndjenjë çorientimi. Nuk dija si të kthehesha në shtëpi, por gjithsesi fillova të ecja. Rrugës takova një kushëri timin. U përpoqa t’i tregoja se kishim gjetur një objekt të çuditshëm, se nga ajo gjë ishte dëgjuar një ‘bum’ dhe se i kishte vrarë të gjithë, por nuk mund të flisja. Unë isha në lidhje familjare me shumë fëmijë që vdiqën atë ditë. Fisniku ishte 9 vjeç, Burimi dhe Osmani 13 vjeç dhe Valdeti 15 vjeç. Edoni i vogël ishte vetëm 3 vjeç e gjysmë. Ai ishte djali i xhaxhait tim, kushëriri im i parë. Kjo është bluza e tij”, është rrëfimi i Blinorit, përshkrimi poshtë “artefaktit” atrocitar që emërzohet “Bluza e Edonit”.
Jo larg saj gjendet një lepur i kaltër me një bluzë të bardhë e me syze dielli. Lepuri qëndron ulur me krah të hapur e duket sikur pret përqafimin e dikujt. I bukur, i larë e sikur ta ishte marrë sot nga ndonjë dyqan duket lepuri i kaltër i vendosur brenda katër mureve prej xhami në ekspozitë. Por është lodra e Melihas nga Bosnjë e Hercegovina, së cilës duket sikur ia kishte mbushur boshllëkun që ia kishte lënë vëllai i saj i madh, tashmë i vdekur.
“Nuk e mbaj mend vëllain tim. Ai ishte pak më i madh se unë. E morën nga krahu i nënës dhe e vranë. U larguam nga shtëpia dhe nuk patëm mundësi as ta mbyllnim. Jetonim në mërgim. Lepuri blu ishte gëzimi im i vetëm”, është përshkrimi që i bëhet.
Një vizatim fëmijësh, i pikturuar me ngjyra druri, i cili paraqet një shtëpi të marrë nga flakët, një nënë me djalin e saj të vdekur me trupat plot gjak e të shtrirë para oborrit, është piktura e Aishas së vogël nga Palestina.
Ishte vetëm tetë vjeçe kur, e frikësuar, kishe ikur me familje nga lufta që po zhvillohej në Rripin e Gazës. Për t’ia larguar mendjen nga lufta, nëna e saj i sillte lapsa e ngjyra për të pikturuar, por ajo çfarë Aisha dinte të pikturonte ishin vetëm skena të ndryshme lufte e tmerre që ajo si fëmijë lufte i kishte përjetuar.
“Vizatimi më ndihmoi ta harroj frikën. Ky është një nga vizatimet e para që kam bërë dhe përfaqëson fillimin e ushtrimit artistik”, shkruan Aisha nga Palestina më 2006.
Lodrat janë miqtë më të mirë e më të dashur të fëmijëve. Secili ka një lodër e cila ngërthen në vetvete një histori herë gëzimi e herë-herë edhe pikëllimi. Një histori lodre sot nuk do të mund ta tregojë Sabahudini, i cili ishte vetëm 11 vjeç kur një aeroplan i shkatërruar ra mbi të e ia mori jetën. Por, lodra e tij e preferuar, topi, sot gjendet brenda Muzeut të Fëmijërisë së Luftës dhe tregon historinë e tij. Këtë top të vogël fëmijësh e ka ruajtur Jasmina, motra e Sabahudinit
“Po të ishte gjallë vëllai im, Sabahudin Semaniq, do të tregonte për aventurat e ndryshme me këtë top. Ai ishte 11-vjeç kur loja e tij u ndërpre përgjithmonë. Në momentin kur ai shkoi të merrte mjetet me të cilat po bënte diçka vazhdimisht, një aeroplan u përplas në ndërtesën tonë. Në zjarrin e shkaktuar, ai pësoi djegie të rënda – babi nuk e njohu... Një i vdekur dhe një familje e plagosur për jetë”, shkuan Jasmina.
Këto objekte, që të gjitha, tregojnë një histori të një fëmije lufte janë pjesë e ekspozitës së Muzeut të Fëmijërisë së Luftës.

Në hapje ishte e pranishme edhe drejtoresha ekzekutive e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, Amina Krvavac, e cila ka treguar për misionin e këtij muzeu, si dhe shndërrimin nga një platformë në muze.
“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës ka filluar së pari si një platformë në të cilën fëmijët e luftës kanë mundur t’i shprehin ndjenjat e tyre dhe janë ndier të sigurt të tregojnë atë çka kanë përjetuar. Gjithë ekipi i muzeut që ka ardhur në Kosovë janë vetë fëmijë lufte dhe meqenëse kjo platformë, me kalimin e viteve, është rritur, ata kanë marrë një iniciative për ta shndërruar në muze. Gjithashtu me bashkëpunimin e profesorit të Universitetit të Prishtinës, Atdhe Hetemi, kemi marrë edhe disa histori të fëmijëve të kohës së luftës së Kosovës në mënyrë që t’i tregojmë ngjarjet dhe ndodhitë e viteve të 90-a në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, tek ka parë ekspozitën ka thënë folur edhe për synimet në krijimin e një institucioni ku muzealizohet fëmijëria e luftës në Kosovë.
“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është njëra ndër ekspozitat më të veçanta të hapura sivjet në Galerinë e Arteve të Kosovës. Ky muze është një shembull i rrallë i muzealizimit të vuajtjeve të fëmijëve të luftës. Ne, së bashku me fëmijët e Bosnjës, ndajmë shumë ngjashmëri, prandaj bashkëpunimi me Muzeun e Fëmijërisë së Luftës është një mundësi për ne, për të përfituar nga kjo përvojë”, ka thënë ministri Çeku.
Profesori i Fakultetit Filozofik, Atdhe Hetemi, ka qenë ai që ka bërë mbledhjen dhe seleksionimin e dëshmive të fëmijëve të Kosovës, që në ekspozitë u janë bashkuar atyre të fëmijëve të Bosnjës dhe Hercegovinës e vendeve të tjera në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës.
“Fatkeqësisht është e pamundur t’i përfshijmë të gjithë ata që kanë ndonjë trashëgimi të errët të luftës së Kosovës, sepse numri i tyre është shumë i madh. Ne jemi munduar që këto dëshmi t’i marrin nga secili rajon. Realisht deri tani Muzeut të Fëmijërisë së Luftës ia kemi dhuruar 8 intervista dhe disa objekte”, ka thënë Hetemi.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës u themelua në Sarajevë, në maj të vitin 2015, nga Jasninko Haliloviq, i cili kishte qenë vetë fëmijë kur kishte filluar lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, më 1992 e që zgjati deri më 1995. Nisi të mbledhë histori të ndryshme të fëmijëve të luftës së Bosnjës, të cilat në janar të vitit 2013 i kishte botuar në librin e quajtur “War children” (Fëmijët e luftës). Gjatë grumbullimit të këtyre historive ai kishte gjetur edhe shumë dëshmi të luftës së Bosnjës me të cilat kishte vendosur të hapte muzeun tashmë të njohur botërisht.
“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës” do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Kombëtare të Kosovës. Muzeu, emrin e të cilit mban ekspozita më 2018, ka fituar Çmimin e Muzeut të Këshillit të Evropës, njëri prej çmimeve më prestigjioze në fushën e muzeve që nga viti 1977. “Koleksioni i Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, zgjerohet përditë e më shumë”, do të shkruante prestigjiozja “The Times”, për këtë muze unik në botë. Me ekspozitën – e realizuar në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, ForuminZFD Kosovë dhe BE-në në Kosovë – u zgjerua edhe me dëshmitë e luftës në Kosovë.