Shtojca për Kulturë

Metaforat mbrojnë njerëzimin: Dy takime me Kadarenë

Ismail Kadare dhe Mirash Martinoviq në Ulqin (Foto: Arkiva private/Martinoviq)

Ismail Kadare dhe Mirash Martinoviq në Ulqin (Foto: Arkiva private/Martinoviq)

Komiteti i Nobelit, me sa duket, në historinë e tij të gjatë nuk ka bërë gabime ose e ka bërë në një numër të vogël rastesh. Në këtë rast, gaboi, nuk ia dha çmimin “Nobel” atij që e meritonte me të gjitha. Vepra e Kadaresë do të rrojë për sa kohë që ekziston njerëzimi dhe njeriu. Secili prej librave të tij është një metaforë për njerëzimin. Së bashku, janë metafora që mbrojnë njerëzimin!

Mirash Martinoviq

E kujtoj gjatë atë ditë, gati njëzet e një vjet më parë, atë 1 gusht të vitit 2004, kur takova Ismail Kadarenë në Ulqin, i cili erdhi për ta hapur Panairin e Librit, një ngjarje tradicionale që fillon çdo vit atë ditë në qytetin më jugor në Mal të Zi. Para se ta kujtoj atë ditë dhe atë takim, dua të them se e pashë për herë të parë Kadarenë, por vetëm e pashë, në vitet ‘70 e ca, kur ai erdhi në Kosovë dhe u takua me gazetarë në Shtëpinë e Shtypit në Prishtinë, midis të cilëve isha edhe unë, një gazetar fillestar në gazetën e Prishtinës, “Jedinstvo”.

Në atë kohë, vizita e Kadaresë në Prishtinë ishte një ngjarje e klasit të parë. Dukej sikur prania e tij ndihej te çdo person dhe në krejt qytetin. Sidomos midis shkrimtarëve dhe intelektualëve të asaj kohe.

Romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, përkthyer nga Esad Mekuli dhe botuar nga “Bagdala” e Krushevcit, e kam lexuar si i ri dhe më vonë dy a tre herë të tjera, botimet e Sarajevës dhe të Beogradit. Më linte një përshtypje e fortë sa herë që e lexoja atë roman me famë botërore, të cilin Kadareja i ri e shkroi kur ishte vetëm njëzet e gjashtë vjeç, dhe i cili u përkthye në gati dyzet gjuhë në vitet dhe dekadat e mëvonshme. Kjo do t’i sillte famë botërore.

Shoqërimi në Adën e Ulqinit

E, tash t’i kthehem takimit në Ulqin dhe asaj dite vere. Isha dukshëm i emocionuar. Janë emocione që është e pamundur të definohen: takimi me Kadarenë solli një emocion të tillë. Dhe sigurisht që nuk do ta takoja sikur të mos ishte Branka Bogavac, e cila ishte e afërt me Kadarenë, mikeshë, gjë që ajo e përshkroi në librat e saj dhe intervistat që bëri me të. Erdha në Budvë, ku ishte Branka, ajo zakonisht i kalon pushimet verore në atë qytet, kështu që u nisëm për në Ulqin ku Kadare kishte mbërritur tashmë. E vizituam në apartamentin në katin më të lartë të hotelit “Albatros”, ai ishte me gruan e tij Helenën. Meqë po e shkruaj këtë kujtim gati njëzet vjet pas takimit, nuk mund t’i mbaj në mend të gjitha detajet. Kujtoj se kur mbërritëm në pritoren e hotelit dhe kur Branka i tha recepsionistes se donte të vizitonte Kadarenë, recepsionisti pyeti se kush ishte ajo dhe e thirri Kadarenë, kështu që gjithçka u sqarua menjëherë, shpejt qemë para shkrimtarit të famshëm.

Të nesërmen, u organizua një shëtitje në Adën e Bunës, pata mundësinë të bisedoja me Kadarenë dhe, kur më pyetën se çfarë bëja, thashë se në librat e mi merrem me tema antike dhe peizazhe të harruara të vendit tim, ëndrrat dhe fatet e atyre që dikur jetonin në këtë vend, gjë që ishte veçanërisht interesante për të, dhe se unë kisha shkruar dhe botuar romanin “Dita e fundit e Eskilit”. E theksova këtë, duke ditur se Eskilin e kishte për zemër dhe se ai kishte shkruar një libër me ese për tragjedianin e famshëm grek.

E pranoj, ajo ditë në Adë në kujtesën time sot është e mjegullt. Ishte përtej një shoqërimi. Kujtesa nuk është përherë një dëshmitare e besueshme, por ka foto që Branka shkrepi. Po aq e zellshme sa gjithmonë në regjistrimin e të gjitha ngjarjeve, me të njëjtën shprehje: një ditë do të jetë e rëndësishme. Më bëri edhe një foto me Kadarenë, e cila është njëkohësisht e çmuar dhe e dashur për mua. Me kërkesë timen, arriti ta gjente dhe ma dërgoi së fundmi, kur u interesova për të, duke mos e ditur se do ta shkruaja këtë tekst i cili do të përfshihet në fund të librit tim “Shkruar në kohë” tekstet, esetë, të dhënat, përshtypjet e mia të krijuara për gati tre dekada dhe kryesisht të botuara në shtojcën “ART” të gazetës së “Vijesti”. Libri hapet me një tekst për Laliqin dhe kujtimin për këtë shkrimtar, dhe jo rastësisht, mbyllet me këtë tekst për Kadarenë. Kështu ngjau dhe kështu duhet të jetë. Ndonjëherë ka diçka para nesh për të cilën nuk jemi të vetëdijshëm kur fillojmë të mendojmë. Ajo që nevojitet vjen gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme. Pra, ky përkujtim dhe ky tekst erdhi në kohën e duhur.

Takimi në Podgoricë

Për herë të dytë Kadarenë e takova në Podgoricë kur romani i tij i ri “Pad kamenog grada” (“Rënia e qytetit të gurtë”, siç e ka titullin botimi në Mal të Zi i “Darkës së gabuar” v.j.) u përurua në sallën e madhe e përplot të Qendrës Kulturore Informative. Si botues të romanit u nënshkruan “Sibila”, libraria “Karver” dhe organizata joqeveritare “Prostory”, biseda me Kadarenë u zhvillua nga regjisori i famshëm i Sarajevës, Dino Mustafiq. Ishte një mbrëmje e paharrueshme, për t’u mbajtur mend gjatë. I pranishëm ishte edhe Bujar Hudhri, drejtor i shtëpisë botuese “Onufri” në Tiranë, botuesi i autorizuar i Kadaresë, dhe ai ishte ndërlidhësi për këtë ngjarje.

Jo shumë kohë pas këtij takimi me Kadarenë në Podgoricë, dhe pas atij në Ulqin kur folëm për Eskilin, Bujari më kërkoi të shkruaja një përmbledhje të romaneve të mia, gjë që e bëra dhe Smajl Smaka i cili, së bashku me Varja Gjukiqin, është përkthyesi i romanit “Rënia e qytetit gurtë”, e përktheu atë dhe ia dërgoi Bujarit. Mora një ofertë ku shprehej dëshira që “Onufri” të botonte pikërisht këtë roman. Mendova, megjithëse nuk kam ndonjë dëshmi të prekshme, se Kadare pati ndikim për këtë, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të Eskilit dhe bisedave që patëm rreth tij, kështu që romani u botua në Tiranë nga kjo shtëpi botuese në vitin 2015 me titullin “Dita e fundit e Eskilit”, përkthyer nga Qazim Muja.

Diku gjatë vizitës së tetorit, bëra një intervistë të gjerë me Kadarenë dhe e botova në shtojcën “Agora” të “Pobjedës”, të cilën e redaktoi me sukses Vera Gavriloviq. Duke e lexuar intervistën nga një distancë prej pesëmbëdhjetë vjetësh, vetëm tani e kuptoj rëndësinë e saj. Kadaresë i shtrova disa pyetje interesante, për të cilat mora përgjigje interesante me ndikim të gjerë. E pyeta përsëri për Eskilin dhe ikjen e tij, për marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, për marrëdhëniet midis popujve në Ballkan, për pikëpamjen e tij për Malin e Zi para ardhjes së tij dhe promovimit që pasoi.

Për Eskilin më tha se nuk ishte dëbuar nga autoritetet zyrtare shtetërore, por se kishte njëfarë zemërimi dhe keqkuptimi në lidhje me teatrin dhe shfaqjen e dramave të tij, dhe se ai personalisht, dikur eci në rrugën e dëbimit të Ovidit nëpër Rumani. Folëm për letrën e Bulgakovit drejtuar Stalinit, për marrëdhënien midis shkrimtarit dhe diktatorit. Ndër të tjera, ai më tha: “Unë jam nga i njëjti qytet si Enver Hoxha, madje nga e njëjta lagje. Për shumë njerëz, veçmas të huajt, kjo merret si një rrethanë e favorshme. Por ajo rrethanë mund të shndërrohet në kundërshti, me një efekt negativ. Në një rast, kur një gazetar më pyeti se shtëpia ime në Gjirokastër ndodhej pranë rrugicës ku ishte shtëpia e Enver Hoxhës, unë iu përgjigja (dhe ishte një gazetar suedez) se ai duhej të shkonte të bënte një fotografi të rrugicës dhe ta publikonte atë me shënimin se në atë rrugicë të quajtur ‘Rruga e të marrëve’, kishin shtëpitë e tyre dy nga figurat më të famshme në Shqipëri”.

Duke pohuar e pyetur nëse do të shkruheshin “Pallati i ëndrrave” dhe veprat e tij të tjera të mëdha sikur ai nuk do të kishte jetuar në një vend me liri të mohuara, Kadare u përgjigj: “Ekziston një mendim sipas të cilit thuhet se është mirë që një shkrimtar ta njohë ferrin, duke e shkelur atë lart e poshtë, kështu që ai do të shkruajë më mirë (siç tha një nga poetët tanë në vitet 1930). Një mendim tjetër është i kundërt dhe thotë: nuk ka nevojë të hapet një burg, ose një fatkeqësi për shkrimtarët, në mënyrë që ai të krijojë vepra interesante. Mendoj se s’ka një model për këtë. Në një rast, shpreha mendimin se letërsisë nuk i bëjnë hair as fatkeqësi por as lumturi të mëdha”.

Kujtimi i Kadaresë për Kishin

Do të më thoshte se e vlerësonte shumë Ernesto Sabaton dhe kishte mendimin më të mirë për të. Me shumë respekt foli për Danilo Kishin: ​​“Në vitin 1984, gjatë një forumi shkrimtarësh në Athinë, pata fatin të takohesha dhe të bisedoja për një kohë të gjatë me Danilo Kishin. Një nga gjërat që ai më shpjegoi qe se nëna e tij ishte malazeze. Dhe menjëherë pas kësaj shtoi se nëna e tij i kishte thënë diçka të mirë për shqiptarët, por ai ishte i ri në atë kohë dhe nuk e kuptonte fare se përse, pikërisht në kohën e prishjes të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, pikërisht në kohën e përkeqësimit, nëna e tij mendonte ashtu”.

E, për marrëdhëniet në Ballkan në atë kohë, ishte viti 2011, ai tha: “Pavarësisht dramave që kanë ndodhur, unë besoj në pajtim. Ballkani ka përjetuar ndërlikime të mëdha. Ata do të jenë në gjendje të durojnë misionin, ndoshta më të madhin nga të gjithë, që historia u ka vënë përpara: paqen midis tyre. Por misionet serioze nuk janë si puna vaudeville. Ato kërkojnë seriozitet. Dhe serioziteti, në këtë rast, i referohet të vërtetave të mëdha nga të cilat nuk duhet të kemi frikë. Ne jemi njerëz të artit”.

Më tej, të njëjtës pyetje, ai i përgjigjet: “Realitetin e botës nuk e përbëjnë mizoritë e krimet –  por falja e tyre. Dhe falja e tyre do të thotë të largosh mjegullën, të dalë e vërteta dhe përmes saj –  të lehtësosh vetëdijen përmes pendimit, të kërkosh falje dhe, së fundmi, pajtim. Ju jeni një popull që i përkisni familjes sllave, e ne jemi një popull i vetmuar. Familja zakonisht i pasuron njerëzit, por vetmia bën të njëjtën gjë edhe me popuj të ndryshëm. Kjo është arsyeja pse është dyfish e bukur kur popujt janë fqinjë të mirë”.

Në të njëjtin rast, e pyeta Kadarenë se përse nga korpusi i tij i gjerë dhe i larmishëm vendosi të përzgjidhte romanin “Rënia e qytetit të gurtë” (“Darka e gabuar”) për botim në Mal të Zi?: “Të them të vërtetën, dhashë pëlqimin tim pa menduar shumë. Thjesht më bëhej se lexuesit shqiptar i pëlqeu ky libër, mendova edhe lexuesit malazez do t’i pëlqente. Më lejoni të them disa fjalë këtu që duken sikur i kam të dëgjuara. Afërsinë e dy popujve, letërsinë që rrit afërsinë e tyre, besoj nuk duhet ta theksoj shumë. Megjithatë, kur më kërkuan të bëja një zgjedhje për botimin e njërit prej librave të mi në Mal të Zi, sinqerisht doja të zgjidhja më të mirin, siç bën për lexues që i vlerëson, i respekton dhe i ndien veçanërisht afër, kështu që në këtë rast e bëra pa hezitim”.

Ismail Kadare është shkrimtar i rangut dhe namit botëror, autor me famë ndërkombëtare, një shkrimtar vepra e të cilit në përgjithësi meriton epitetin botëror. Komiteti i Nobelit, me sa duket, në historinë e tij të gjatë nuk ka bërë gabime ose ka bërë në një numër të vogël rastesh. Në këtë rast, gaboi, nuk ia dha çmimin “Nobel” atij që e meritonte me të gjitha. Vepra e Kadaresë do të rrojë për sa kohë që ekziston njerëzimi dhe njeriu. Secili prej librave të tij është një metaforë për njerëzimin. Së bashku, janë metafora që mbrojnë njerëzimin! “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është një nga romanet më të mëdha të letërsisë moderne.

Marrë nga gazeta “Vijesti” e Malit të Zi. Përktheu: KOHA