Shtojca për Kulturë

Liridon Mulaj: Shkruaj që ta ngushëlloj veten, “Provinca” dëshmon e denoncon

Liridon Mulaj: “Shkruaj për t’i dhënë zë një morie pëshpërimash dhe ëndrrash të cilat për shumë vjet kanë qenë makthi im” (Foto: Driton Paçarada)

Për shkrimtarin Liridon Mulaj, shqiptarët si popull nuk kanë më kohë për të humbur e as të presin. Numëron disa shkaqe të ikjes së tyre prej atdheut dhe humbjes kolektive të shpresës, e vepra e tij “Provinca” – me të cilën ai mori shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë të vitit 2022 – gjëllin në këto çështje. Në fakt, “Provinca” është njëlloj kontrapunkti që godet fenomene si këto. Te lexuesi kërkon katarzisin, e te vetja atë duket sikur e gjen tek shkruan. “Shkruaj që t’i jap sadopak kuptim përkohësisë që na fshin të gjithëve. Fundja shkruaj që ta ngushëlloj veten”, thotë Mulaj në një intervistë për KOHËN, ku flet për romanin e tij, të qenit shkrimtar e përballjen me realitetin

Si shkrimtar i gjeneratës së re, ka rënë në sy për temat që trajton, njashtu sikurse edhe për stilin nëpërmjet të cilit i zbërthen ato. Liridon Mulaj me romanin e tij të dytë, “Provinca” u bë laureat i shpërblimit për romanin më të mirë shqiptar, “Rexhai Surroi” vitin e kaluar. Mulaj, i lindur më 1987 dhe i rritur në kohën kur Shqipëria u gjend para demokracisë së panjohur, thotë se shkruan për t’i dhënë zë një morie pëshpërimash dhe ëndrrash të cilat për shumë vjet kanë qenë makthi i tij.

“Shkruaj që t’i jap sadopak kuptim përkohësisë që na fshin të gjithëve. Fundja shkruaj që të ngushëlloj veten”, thotë ai midis të tjerash në një intrevistë për KOHË-n. “Provinca” – që është libri i tretë i Mulajt, i cili debutoi në letërsinë shqipe me vëllimin poetik “I pakuptuari”, i njohur edhe për romanin e tij të parë “Mos harru të më kujtosh” – së fundmi është botuar nga Botimet KOHA.

Si shumica e shkrimtarëve shqiptarë, i diplomuari për drejtësi, bën edhe punë të tjera në mënyrë që të jetojë si individ. Vepra e tij flet për një provincë ku veç shpresa nuk ekziston. Sipas tij, humbja e shpresës së pari lidhet me efekte njerëzore të drejtpërdrejta, me vendime apo mosvendime politike të cilat thuajse në tridhjetë vjet tranzicion, kanë rendur drejt një shpopullimi të provincave. Është prej shkrimtarëve që beson se edhe letërsia është reflektim i historisë politike të një vendi. I përkthyer në turqisht, italisht, rumanisht, bullgarisht, anglisht, holandisht e të tjera, duke u bazuar te raporti histori-politikë, Mulaj i cili jeton në Tiranë, thotë se letërsia e Kosovës dhe e Shqipërisë si pikëtakim kanë vetëm gjuhën shqipe.

Sipas Mulajt, shkrimtarët e rinj shqiptarë guxojnë të rrokin subjekte dhe ngjarje të mëdha. Thotë se bëhet fjalë për një brez pa mllefe dhe pa ndikime ideologjike nga e shkuara.

“Një brez që shkruan se e ndien se duhet thënë fjala e tij, dhe jo për të rrëzuar apo hedhur poshtë një brez tjetër”, thotë ai.

Image
“Jam nga ata shqiptarë të cilët idenë e ikjes e kanë si çekan mbi kokë gjatë gjithë kohës. Jo ikjes si braktisje dhe as si revoltë, por një ikjeje së pari për të reformuar veten dhe nëpërmjet kësaj edhe perceptimin tim mbi atdheun

KOHA: Në veprën tuaj “Provinca”, me të cilin keni fituar shpërblimin për romanin më të mirë shqiptar “Rexhai Surroi”, trajtoni një temë lokale që lidhet edhe me vendin prej nga vini. Si krijues, sa konsideroni se në këto anë kemi tema të shumta lokale të cilat lehtë komunikojnë me botën apo universalen?

Mulaj: Nuk mendoj se është subjekti ai që vendos universalitetin e një romani apo një letërsie në tërësi. Romani i madh “Njëqind vjet vetmi” ka lindur si një analogji fiksionale e vendlindjes së Marquez. Apo romani emblematik i absurdit njerëzor “I huaji” i cili në vetvete nuk ka një subjekt të qartë por ndërtohet i gjithi mbi një copëz kohe të një lagjeje në Algjer. Pra tema apo subjekti sipas meje, është gjithmonë një vjegë në funksion të stilit dhe gjuhës, apo mënyrës sesi shkrimtari arrin të përcjellë idenë dhe bindjen e tij fillestare. Kjo lidhet domosdoshmërisht me talentin e shkrimtarit. Romani im “Provinca” në tërësinë e tij është një nevojë për të rrëfyer kohën aktuale pra të jetë deri diku një kronikë besnike e kohës që jetojmë. Boshti i romanit ndërtohet mbi një rikthim, i cili në nisje i përngjet një rikthimi në Itakë. Personazhi im Vilmonti, ndryshe nga Uliksi e di që nuk e ka një Penelopë që e pret dhe as që ka tentuar të kthehet ndonjëherë më dëshirën e tij, pra odiseja e gjatë nuk ekziston. I gjithë boshti ndërtohet mbi një ditë të vetme përgjatë së cilës Vilmonti takon disa nga njerëzit e harruar të provincës. Ata ia shtojnë bindjen se ikja ka qenë zgjedhja e duhur. Arsyeja e kësaj bindjeje gjendet kudo në degradimin e elementeve të provincës njerëzit, godinat, rrugët apo dhe kujtimet. Pra, në vetvete unë nuk kam subjekt dhe as fabul, por i kam qëndruar strikt një realiteti të prekshëm të cilin kam dashur ta dëshmoj. Në një farë mënyre i gjithë romani është një dëshmi dhe njëkohësisht një denoncim për shoqërinë njerëzore, ose së paku për atë pjesë të shoqërisë njerëzore më të cilën identifikohem dhe që ka gjurmuar thellë në karakterin dhe vetëdijen time. Se sa universale dhe e rrokshme është kjo temë në mënyrë të veçantë, kjo nuk është në dorën time dhe as në pritshmëritë e mja. Letërsia nuk ka kode strikte dhe as hulli të përcaktuara qartë në të cilat shkohet. Di vetëm që nëse teksti letrar të jep kënaqësinë estetike dhe në fund të shkakton sadopak atë katarsisin brenda vetes, ia ka arritur qëllimit me të gjithë subjektivitetin dhe gjykimin relativ që përmban kjo zeje. Unë ndjek parimin: “Shkruaj për atë që di dhe njoh më mirë”.

“Soc-realizmi shqiptar e zhbëri shpirtin e lirë të krijuesit”

KOHA: Te vepra, personazhet i takojnë një province ku veç shpresë është vështirë të ketë. A ka humbur aq shumë shpresa e vendbanimeve të vogla?

Mulaj: Humbja e shpresës së pari lidhet me efekte njerëzore të drejtpërdrejta dhe kur them njerëzore, nënkuptoj vendime apo mosvendime politike të cilat thuajse në tridhjetë vjet tranzicion kanë rendur drejt një shpopullimi të provincave. Por kjo nuk mund t’i atribuohet vetëm një grupi njerëzish të cilët kanë në dorë fatin kolektiv të provincave. Shkaqet janë të shumta. Mentaliteti i mbyllur, i cili në ndërrimin e sistemeve krijoi një hendek të madh intelektual dhe shpirtëror. Sistemi i të jetuarit dhe doktrina soc-realiste e cila kishte diktuar për 45 vjet jetën e njerëzve, u shemb brenda një natë duke i ekspozuar lakuriq para një realiteti të cilin nuk e njihnin. Kjo jo domosdo lidhet me provincat e vogla, por efekti aty ishte më i madh, për shkak të popullsisë së paktë në numër dhe njohjes mes vete, çka i bënte ata të ekspozoheshin ndaj njëri-tjetrit e gjithashtu e shtonte përgjegjësinë e të qenit moralisht korrekt. Por kjo në të shumtën e rasteve ndodhte artificialisht, sepse në underground në fakt shoqëria ishte e kalbur moralisht dhe intelektualisht. Ky është një shpjegim shabllon i historisë politike të provincave shqiptare përgjatë viteve të mia të jetesës aty. Por mendoj se edhe në provinca ka shpresë nëse vendosmëria për t’u dhënë jetë atyre është më e fortë së dëshira për t’i braktisur.

KOHA: Te “Provinca” e fusni lexuesin nëpër kthina prej të cilave zor se mund të dilet, por si e shihni letërsinë shqipe? Si një të vetme apo ka letërsi të Shqipërisë e të Kosovës, pra dy “provinca” letrare?

Mulaj: Historia politike e dy shteteve për shumë vjet ka qenë e ndryshme. Unë jam nga ata që besoj se edhe letërsia është reflektim i historisë politike të një vendi. Nëse i referohemi kësaj mund të them se letërsia e dy vendeve si pikëtakim ka vetëm gjuhën shqipe. Soc-realizmi shqiptar e zhbëri shpirtin e lirë të krijuesit. Ideologjia komuniste ishte parimi themelor. Ata që guxuan e pësuan dhe humbën vitet e tyre më të mira, burgjeve. Pjesa e tjetër iu nënshtrua diktatit. Por kjo nuk e mohon faktin që pikërisht në mesin e asaj zymtësie politike, pati shkrimtarë si Ismail Kadare, të cilët ia dolën të shkruanin letërsi të madhe, kryesisht në prozë. Ndërsa në Kosovë ndodhte e kundërta, letërsia ishte mjet revolte, por duke qenë se dhe atje në pushtet ishin komunistët, letërsia dhe kryesisht poezia u mundua të ishte alegorike, nëntekstuale me qëllim moskapjen nga pushteti të mesazheve të dekoduara që ishin të papranueshme për ideologjinë. Pastaj rrjedha e historisë ndryshoi për të dy vendet, por pa gjetur pikëtakime. Në një anë Shqipëria, mbas rënies së komunizmit kaloi në një tranzicion të stërgjatë dhe bajat, ndërsa Kosova u trondit nga lufta e cila zgjati deri në vitin 1999. Domosdoshmërisht, qasjet letrare të mëpasshme do të ishin të ndryshme. Në dallim nga letërsia e Shqipërisë, ajo e Kosovës tregohet më e përmbajtur në trajtimin e çështjeve historike. U referohem këtu subjekteve të romaneve me në fokus luftën në Kosovë, temë për të cilën ka një vetëpërmbajtje. Ndryshe nga letërsia shqipe e cila thuajse në tridhjetë vjet, temë standarde kishte periudhën komuniste. Sigurisht është e pranueshme dhe e kuptueshme letërsia e kujtesës, për shkak se shumë shkrimtarë dhe poetë të mirë u syrgjynosen në harresë, por pati dhe abuzime. Ndërkohë, absurdi i kësaj qëndron në faktin se mbetet një periudhë ende e parehabilituar as në shoqëri dhe politikë. Në letërsi jo se jo.

Image
“Provincat shqiptare janë zhbërë, si pasojë e emigracionit masiv. Një nga to është edhe provinca e Vilmontit, djaloshit që e urren vendin ku ka lindur, sepse është i varfër, plot urrejtje dhe ku jeta është vetëm mbijetesë. E urren, edhe pse aty përherë përjashtohet i dobëti nga më i forti. E më i forti është përherë më i poshtri dhe më i ligu.Romani është rrëfim për një periudhë të historisë sonë kolektive, e cila sado e padenjë megjithatë, meriton të pasqyrohet ashtu çfarë është”, është përshkrimi që i bëhet romanit “Provinca” të Liridon Mulajt

“Teknologjia si gjithçka tjetër në Shqipëri ‘konsumohet’ pa i vënë fre”

KOHA: Në vjeshtë u mbajt Panairi i Librit në Tiranë. Një statistikë (e dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë) qe se 78 për qind e shqiptarëve nuk kanë blerë libër (nuk kanë lexuar) gjatë një viti? E frikëson kjo një shkrimtar?

Mulaj: Situata nuk është optimale sigurisht. Teknologjia si gjithçka tjetër në Shqipëri “konsumohet” pa i vënë fre. Mosleximi në vendin tonë ka të bëjë me mosdisilpinën që na karakterizon në si popull mesdhetar. Çfarë dua të them me këtë. Gjermanët, janë popull që në statistikat e vitit 2022 rezultonin me një përqindje leximi me mbi 70 për qind, pra mbajnë numrin një në botë për lexim. Nuk besoj se ata kanë mangësi në teknologji dhe mjete të tilla, por disiplina që ata kanë, u mundëson njëfarë grafiku ditor të ndarë në mënyrë proporcionale. Kanë orën e tyre të ngrënies, të sportit, të leximit dhe teknologjisë pra nëpërmjet vetëkontrollit të lartë arrijnë të organizojnë ditën dhe brenda ditës së tyre, leximi ka një vend të veçantë. Ndryshe ndodh me ne, u japim përparësi dhe shumë kohë kënaqësive dhe veseve duke e lënë veten të dominohemi prej tyre, pa e kuptuar se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Kjo pastaj reflekton gjendjen shoqërore, politike, mentale të një populli. Kjo më frikëson së pari si qytetar i këtij vendi, dhe më pas edhe si shkrimtar.

KOHA: Pastaj ishte edhe alarmi për rënie tirazhi. Një libër mezi botohet në 200 kopje. Si do të mund të shpjegohej kjo?

Mulaj: Tirazhe të tilla besoj u referohen autorëve shqiptarë. Edhe me të drejtë deri diku. Ne sapo thamë që kriza e leximit është evidente. Edhe ata pak lexues që janë, priren drejt letërsisë së huaj. Shtëpitë botuese pavarësisht misionit, mbeten biznese që shesin produkte, pra libra. Duhet menduar edhe për fitimin. Ka shtëpi botuese që i alternojnë mirë këto, por ka dhe shtëpi botuese të orientuara totalisht drejt fitimit.

“Jo çdokush e ka fatin të jetë shpirtërisht dhe fizikisht në bibliotekat e shtëpive”

KOHA: Sa është vështirë sot të jetohet si shkrimtar, ose a mund të jetohet vetëm nga shkrimi?

Mulaj: Mendoj se shkrimtarit sot i nevojitet talent, një shtëpi e mirë botuese dhe shpërndarje e librave nëpër librari. Unë këto i kam, dhe me kaq, jam i lumtur. Mandej, si shkrimtar sot jetohet shumë mirë. Pra në kuptimin thelbësor të titullit shkrimtar, mendoj se jetohet mirë. Nuk besoj se çdokush e ka fatin e talentit të të shkruarit dhe të ndikuarit mbi një grup individësh të cilët janë lexuesit. Jo çdokush e ka fatin të jetë shpirtërisht dhe fizikisht në bibliotekat e shtëpive të disa njerëzve të panjohur për ty. Ti ke qasjen e mrekullueshme dhe njohjen krejtësisht të pandikueshme me ta, njohjen nëpërmjet mendimit dhe rrëfimit tënd. Është kjo mrekulli që të lidh me njerëzit. Kjo sa i përket shkrimtarit dhe raportit të tij shpirtëror dhe intelektual me lexuesin. Por nëse më pyet sa a është e vështirë të jetohet si individ nëse je vetëm shkrimtar, atëherë do të thosha që përveçse e vështirë, është e pamundur. Shkrimtarët shqiptarë zotërojnë profesione të tjera dhe kryejnë nga dy ose tri punë për të mbajtur familjen. Unë jam një nga ata që bëj dy punë dhe krahas këtyre edhe shkrimin, botimin e të tjera. E di që në botë jetohet mirë me këtë profesion. Javier Mariasi i ndjerë thoshte se “për të shmangur dy gjërat që urrej më shumë, të zgjohem herët për në punë dhe të duroj një shef mbi kokë, zgjodha të shkruaj”. Fundja, shtonte, “paguhem dhe mirë”. Shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë këtë favor. Le ta pranojmë realitetin siç është.

KOHA: Si e sheh letërsinë shqipe sot si krijimtari? Nga po ecën ajo?

Mulaj: Shkruhet letërsi e mirë nga një brez i cili sa vjen e konsolidohet. Është ky brez të cilit i përkas dhe unë. Shkrimtarë të rinj që guxojnë të rrokin subjekte dhe ngjarje të mëdha. Synojnë të aplikojnë rryma të ndryshme letrare dhe më e rëndësishmja, e mbrojnë atë që thonë dhe në debate apo diskurse publike. Është një brez pa mllefe dhe pa ndikime ideologjike nga e shkuara. Një brez që shkruan se e ndien se duhet thënë fjala e tij, dhe jo për të rrëzuar apo hedhur poshtë një brez tjetër. Kjo ndodh njëkohësisht në Shqipëri dhe Kosovë.

“Ne si popull nuk kemi më kohë të humbim dhe as të presim”

KOHA: Për t’u kthyer prapë te vepra juaj “Provinca”... Migrimi edhe aty del në pah se e ka goditur shumë shoqërinë. Shqipëria e Kosova vazhdimisht kanë në rritja numrat e atyre që duan të ikin. Çfarë tregon kjo për një shkrimtar?

Mulaj: Të jem i sinqertë me ju dhe ata që më lexojnë, jam nga ata shqiptarë të cilët idenë e ikjes e kanë si çekan mbi kokë gjatë gjithë kohës. Jo ikjes si braktisje dhe as si revoltë, por një ikjeje së pari për të reformuar veten dhe nëpërmjet kësaj, edhe perceptimin tim mbi atdheun. Besoj se ideja masive e ikjes ka të bëjë më së shumti me një nevojë njerëzore të kuptueshme që është mirëqenia ekonomike. Evropa është e madhe, e bukur dhe si e tillë mbetet gjithmonë një tokë e premtuar. Njeriu priret nga e bukura. Pas kësaj janë dhe shumë faktorë që ndikojnë në ikjet, mungesa e shpresës, humbja e empatisë kolektive, e tolerancës dhe e solidaritetit mes nesh. Humbja e perspektivës, humbja e durimit nga tranzicioni i stërzgjatur dhe frika e humbjes së disa brezave në pritje të aspiratave dhe ëndrrave. Ne si popull nuk kemi më kohë të humbim dhe as të presim. Klasa politike që ka pasur në dorë fatet tona kolektive, ka qenë e paaftë në shumë vjet të krijojë besimin se në këtë vend mund të jetohet duke qenë i drejtë dhe i ndershëm. Atëherë kjo pjesë e shoqërisë që i sheh këto dy virtyte si parimet themelore të jetës, e ka gjetur veten të përjashtuar nga një rend shoqëror të bazuar në kaos dhe padrejtësi. Fajtorët janë të shumtë mes klasës politike, por dhe mes nesh. Nëse them më shumë druaj, se do të bie në pesimizëm, dhe s’dua t’ia lejoj vetes këtë gjë. Por ato që thashë më lart janë të prekshme nga të gjithë ne. Unë jam fëmijë i lindur në fundin e viteve ‘80 dhe i rritur në vitet ’90 e 2000 bash në zemrën e tranzicionit. Kjo në njëfarë mënyre ma legjitimon sadopak dhe trishtimin që ndiej.

KOHA: Cili është qëllimi i artit tuaj?

Mulaj: Kam menduar shpesh për këtë. Cili është qëllimi i kësaj që bëj? Kjo pyetje më mundon zakonisht kur jam në nisje të një tregimi apo një romani të ri. I bëj shumë pyetje vetes, shumë dilema rreth kotësisë së këtij akti që përsëritet e përsëritet më pasion. Mandej bëhet krejt e thjeshtë. Shkruaj për t’i dhënë zë një morie pëshpërimash dhe ëndrrash të cilat për shumë vjet kanë qenë makthi im. Shkruaj që t’i jap sadopak kuptim përkohësisë që na fshin të gjithëve. Fundja shkruaj që të ngushëlloj veten.