Vizitorët në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë kanë mundësi të jenë më afër së kaluarës së Kosovës, arkitekturës tradicionale, veglave e mjeteve të punës, zejeve të shuara e ato në prag të shuarjes, veshjeve e lojërave tradicionale. Ekspozita “Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” nëpërmjet 91 fotografive rikthen imazhet e një kohe të kaluar në këto anë
Hapësirat e katit të dytë të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, i shërbyen prezantimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, nëpërmjet ekspozitës “Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza”. Muzeu Kombëtar i Kosovës me 91 fotografi shpalos mjedisin kulturor, veglat e punës, arkitekturën e lojërat tradicionale. Në hapje të ekspozitës, u vlerësua se barrierat kulturore mes dy shteteve, nuk ekzistojnë.
Fotografitë informuese mbi kulturën e Kosovës ofrojnë imazhe me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë së vendit, të cilat u prezantuan me këtë ngjarje, organizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë-Shqipëri.
Drejtori i këtij Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ka thënë se ekspozita sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihen. Ka vlerësuar se puna e bërë në ekspozitë ka treguar edhe një herë se kultura nuk njeh kufij. “Barrierat kulturore mes dy shteteve nuk ekzistojnë”, ka shtuar ai.
Ekspozita u bë vendtakim për drejtorët e muzeve kombëtare të të dyja shteteve, në ceremoninë e së cilës, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka thënë se secila fotografi është histori në vete.
“Fotografitë kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë kulturore, të gjitha fotografitë janë histori në vete. Ekspozita flet më tepër sesa ne mund të flasim”, ka thënë Leci.
Tregjet e organizuara në periudha të ndryshme kohore, poçaria tradicionale, mënyra e të kënduarit të vajzave nga Drenica me gisht në fyt, punët bujqësore e veshjet tradicionale, zejet e shuara e ato që janë në prag të shuarjes, kthyen në kohë Kosovën e viteve më parë.
{gallery}
Ekspozita është kuruar nga Besarta Reçica, Fahri Sheqiri, Arberina Mataj.
“Fotografitë në vete ruajnë dëshmitë përtejshekullore të objekteve me tematikë nga jeta dhe kultura. Secila fotografi përçon një mesazh nga e kaluara jonë kulturore dhe historike”, ka thënë kuratori Fahri Sheqiri në fjalën e tij në ceremoninë hapëse të ekspozitës.
Ndërsa kuratorja Besarta Reçica, ka shkruar në rrjetet sociale se ekspozita mëton që vizitorit t’i paraqesë dhe ta njoftojë me mënyrën e jetesës së paraardhësve në disa nga hapësirat e Kosovës.
“Fotot paraqesin një periudhë më se gjysmëshekullore (duke filluar nga vitet e 50-ta të shekullit XX). Vizitori ka mundësi të shohë disa dimensione të jetës si: zhvillimin ekonomik, social, artistik, kulturor, edukativ përgjatë viteve të cekura më lartë. Nuk thuhet kot sintagma ‘Një foto vlen sa 1000 fjalë’”. Këto foto në këtë ekspozitë vlejnë sa disa dimensione jetësh!”, ka shkruar ajo.
Kjo është ekspozita e dytë e hapur në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor mes dy shteteve, pasi në mars të këtij viti ishte hapur ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”. Ekspozita vazhdon të jetë e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytetin shqiptar.