Shtojca për Kulturë

Kongresi i Manastirit në shtypin e kohës

Në vjeshtën e vitit 1908, në një artikull mbi Kongresin e Manastirit, gazeta “Lirija” përshkruante pikëpamjet e ndryshme shqiptare për alfabetin me fjalët: “Sikundër që kemi thënë dhe më parë, gjer më sot në Shqipëri përdoren një shumicë abece. Më e përhapura është abeceja e Stambollit, e shoqërisë ‘Bashkimi’ dhe ajo e shoqërisë ‘Agimi’. Por mos pandehet se veç këtyre abeceve nuk ka tjetër. Jo, mos u gënjeni. Se shqiptarët që kanë qenë kaq shterpë për vepra literare, kanë qenë shumë pjellorë dhe të zotët në të shpikurit abece. Thonë se më i madhi shpikës amerikan, Edisoni, ka shpikur gjer më sot 300 vegla dhe maqina. Ashtu dhe shqiptarët! Më i dobëti i shkronjave, më i gjori i fjalëve kujtonte se do të linte një emër të pavdekur duke ngrehur një palë shkronja të reja, duke nderuar zën’ e shkronjave. Edhe këtu ditë më ditë po na dilte një abetare, si këpurdhat pas shiut”

Periudha e Dytë Kushtetuese shënoi fillimin e një faze të re në marrëdhëniet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane. Duke ndjekur modelin romantik evropian dhe duke besuar thellë në rolin modernizues dhe emancipues të Kushtetutës osmane, elita shqiptare i shtoi përpjekjet për hapjen e klubeve, shoqërive dhe shkollave në gjuhën shqipe. Një shembull tjetër i këtij vetorganizimi të brendshëm është Kongresi i Manastirit, si model kërkimi i unitetit dhe identitit kulturor shqiptar.

Gazeta “Lirija” dhe Kongresi i Abecesë

Kongresi i Manastirit dhe diskutimet e shqiptarëve për alfabetin patën mbulim të gjerë në shtypin shqiptar dhe osman të kohës. Në këtë drejtim paraprinte gazeta shqiptare “Lirija”, e cila dilte çdo të shtunë në Selanik dhe shtypej me shkronjat e Alfabetit të Stambollit. Kështu, disa ditë para hapjes së Kongresit, gazeta “Lirija” në artikullin e saj të emërtuar “Kongres i abecesë” paralajmëronte mbajtjen e një kongresi me qëllim që t’i jepej fund nevojës së madhe për bashkimin e të gjithë shqiptarëve të vendit. Në artikullin tjetër të gazetës publikohej thirrja e bërë më 27 gusht të vitit 1908 nga ana e klubit “Bashkimi” në Manastir, i cili mori nismën për organizimin e këtij kongresi, duke bërë dhe ftesat e para. “Shoqëria e klubit Bashkimi me anë të Pleqësisë së saj merr nderë t’u ftonjë të urdhëroni e të ndodhi në Kongren’ e Përgjithshme, e cila do të hapet më 1 të Vjeshtësë III-të, ditën e shtunë në Manastir në Klubin Bashkimi”, shkruhej në thirrjen e klubit shqiptar.

Image
Gazeta osmane “Sabah” për Kongresin e Manastirit

Konica dhe një ftesë e vonuar

Elita intelektuale shqiptare do t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së klubit “Bashkimi”. Ndërkohë që “Bashkimi” i Shkodrës njoftonte se në Kongres do të përfaqësohej nga Atë Gjergj Fishta, Noli nga Bostoni, nëpërmjet një letre njoftonte me keqardhje mbi pamundësinë e pjesëmarrjes. “E mora grishimin e shoqërisë s’uaj dhe ju përhiroj tepër për mirësinë që patët për të më ftuar si delegat i shqiptarëve të Amerikës. Por, sikurse e kuptoni mirë, s’munt t’vinja pa lënë një tjetër prift në vent t’im”, shkruante Noli në përgjigjen e tij për klubin “Bashkimi”. “Kombi do t’jua dijë për të mirë këtë që po bëni dhe Zoti ju faltë shëndet dhe mbarësi për të mirën e vendit tonë”, shkruante me fjalët më të mira në një pjesë të letrës. Në të kundërtën e Nolit, intelektuali tjetër shqiptar Faik Konica, në përgjigjen e tij për klubin, refuzoi ftesën duke shpalosur më pak argumente gjuhësore dhe duke shfaqur më shumë pakënaqësitë e tij mbi mënyrën e organizimit dhe mbi ftesën që sipas tij ishte e vonuar. Madje, në kopjen e letrës të publikuar në revistën “Albania”, Konica me një fodullëk të paparë i quante pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit çobanë dhe vetë Kongresin e Manastirit kongres të shqiptarëve xhonturk në Maqedoni. “Një kongres për abenë do të mblidhet, mos kini frikë. Po the right Congress, by the right man, in the right time, at the right place”, shkruante Konica me një ton përqeshës. I njëjti nuk dënjoi të marrë pjesë as në Kongresin e Elbasanit, me gjithë ftesën që iu bë.

Image
Anëtarët e Kongresit të Manastirit

Shtypi osman: “Gegë dhe toskë janë bërë bashkë”

Kongresi i hapi punimet më 14 nëntor të vitit 1908, dhe siç raportonte gazeta osmane “Sabah”, në Kongres ishin të pranishëm të gjithë shqiptarët, gegë dhe toskë, pa dallim. E njëjta gazetë në numrat paraprakë shkruante mbi qëllimin e Kongresit për një alfabet të vetëm, duke njoftuar se në Manastir po vinin shqiptarë nga qyteza të ndryshme si Shkupi, Shkodra dhe Janina. Në fakt, shtypi osman bëri një raportim të drejtë mbi pjesëmarrjen në Kongres. Gazeta tjetër “Ikdam” në numrin e saj të publikuar më 22 nëntor, dhe të titulluar “Kuvendi shqiptar” shkruante: “Në kongres morën pjesë 51 anëtarë myslimanë dhe të krishterë nga veriu dhe jugu i Shqipërisë”. Ashtu si gazeta “Sabah”, edhe “Ikdam” shkruante mbi përpjekjet e Kongresit për alfabetin e shqipes, por ndryshe nga gazetat shqiptare nuk raportonte mbi bisedimet e zhvilluara me natyrë politike në këtë kongres.

Image
Letër e Nolit drejtuar Pleqësisë së klubit “Bashkimi” në Manastir

Deklarata e Atë Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit

Punimet e Kongresit do të zgjasnin deri më 21 nëntor të vitit 1908. Pothuajse çdo mbledhje që nga dita e parë e Kongresit deri në të nëntën, u pasqyrua në detaje në të përjavshmen shqiptare “Lirija”. Atëbotë drejtuesi i gazetës “Lirija” ishte Lumo Skendo, një njeri i pakompromis në betejën për gjuhën shqipe dhe një nga figurat kyç të Kongresit të Manastirit. “Në mbledhjen e tretë do të zgjidhet Pleqësia e cila do të vendosë abecenë kombiare”, njoftonte gazeta “Lirija”. Megjithëse komisioni për caktimin e alfabetit ishte formuar që në ditën e tretë, dhe në parim ishte vendosur përdorimi i shkronjave latine, ngatërresa për alfabetin do të vazhdonte deri në ditën e shtatë të punimeve. Kjo është konfirmuar dhe në kujtimet e Atë Gjergj Fishtës për Kongresin: “Kongresi ish gati të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim. U tërbova nga inati. U çova në kambë e u fola: - O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës? Po a mendoni ndopak se çka do t’u themi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir…?”. Antagonizmi shqiptar për shkronjat ishte përshkruar disa vite më vonë edhe në një shkrim të botuar në revistën shqiptare “Përparimi”. Kështu, në numrin e dymbëdhjetë të revistës shqiptare që dilte në Nju-Jork, më 1915, shkruhej: “Një ndër veset e liga më të rrënjta të shqiptarit është pabashkimi; kështu edhe në Kuvend të Manastirit u pa pabashkimi. Jo me lyp t’mirën e t’marën e gjuhës, për arsye e pa arsye, kush u majt me Frashërin, kush me Agimin e kush me Bashkimin”.

Image
Vendimi i Komisionit mbi çështjen e Abecesë

“Rroftë abeceja!”

Diskutimet për alfabetin do të vazhdonin për disa ditë derisa pjesëmarrësit të merrnin një vendim të përbashkët në ditën e 7-të të punimeve të Kongresit. Në fjalimin që mbajti në njërën nga sallat e mbushura plot njerëz, ndërkohë që Luigj Gurakuqi zbulonte tabelën ku ishte shkruar abc-ja, Atë Gjergj Fishta shpalosi vendimin e komisionit me fjalët: “Abece e Stambollit është e mjaftueshme për nevojat e kombit, por, me qenë se shumë herë për të shtypur libra larg Shqipërisë dhe për të hequr telegraf kemi nevojë për një abc të thjeshtë latine, komisioni u shtrëngua të marrë dy abece”. Vendimi për dy alfabete më shumë sesa për arsye praktike u pa si një mundësi rehabilitimi për komunitetin shqiptar mysliman. Për një pjesë të mirë të këtij komuniteti përdorimi i shkronjave latine ishte një kafshatë që nuk kapërdihej. “Po a nuk është gjynah me shkrujt me shkronja që nisin nga e majta?!”, ishte pyetja që shtrohej në klubin shqiptar të Shkupit, sipas raportimit të korrespodentit të gazetës “Lirija” për Shqipërinë e Sipërme. Efektin e islamit në përcaktimin e shqiptarëve për alfabetin e pohonin dhe gazetat në Stamboll. Këtij diskursi në veçanti do t’i paraprinte gazeta osmane “Tanin” e cila ndiqte një politikë botuese në përputhje me misionin e komitetit xhonturk. Duke i dhënë hapësirë botimit të telegrameve të ardhura nga shqiptarë, mbështetës të shkronjave arabe, neutraliteti i shtypit osman mbi çështjen e alfabetit gradualisht do të zëvendësohej me publikime të njëanshme.

Image
“Alfabeti i gjuhës shqipe vendue prej Komisjonit të kryesuem prej At Fishtës pranë Kongresit të Manastirit 1908. – Foto ‘Marubbi’”

Shkronjat shqipe, deputetët shqiptarë dhe shtypi osman

Polemika të nxehta në shtypin shqiptar dhe në atë osman pati veçanërisht në fillim të vitit 1910. Në anën tjetër, përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin osman u ndanë në dysh. Gjersa një grup i përbërë nga trembëdhjetë deputetë nëpërmjet një letre drejtuar sadrazemit kërkonte ndërhyrje të qeverisë për t’i dhënë vend meritor përdorimit të shkronjave arabe, i menjëhershëm do të ishte reagimi i grupit tjetër shqiptar të përbërë nga Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Nexhip Draga dhe të tjerë, të cilët kërkuan neutralitet të qeverisë mbi këtë çështje. “Nuk mund të ndalohet progresi”, ishte mesazhi i dhënë në letrën me përmbajtje të gjerë dhe të përgatitur me kujdes nga ana e deputetëve shqiptarë, publikuar në gazetat osmane “Ikdam”, “Yeni Gazete” dhe “Sabah”. Vetë Hasan Prishtina, në reagimin e tij shkruante se nuk mund të monopolizohej gjuha dhe shkrimi. Pjesë e diskutimit publik u bënë dhe nxënësit shqiptarë në Stamboll, të cilët në telegramin e tyre të publikuar në “Yeni Gazete” më 23 janar 1910, shpalosën mbështetjen e tyre për shkronjat shqipe. Për telegramin e studentëve shqiptarë do të raportonte me entuziazëm dhe gazeta shqiptare “Lirija” në Selanik, ndërkohë që në numrat vijues të kësaj gazete do të shkruheshin fjalët më të mira për kontributin e Hasan Prishtinës në prezantimin e drejtë të çështjes së alfabetit. Përveç kësaj, shtypi i kohës do të raportonte në vazhdimësi dhe për tubimet pro dhe kundër alfabetit latin, të organizuara në qytete të ndryshme shqiptare.

 

Image
Faksimile e artikullit të revistës “Diturija” për Kongresin e Manastirit, botuar më 1909
Image
Faksimile të artikujve të gazetës “Lirija” për Kongresin e Manastirit