Shtojca për Kulturë

Kongresi i Drejtshkrimit - Një varietet për të gjithë shqiptarët

Proceset komplekse të zhvilluara paralelisht me angazhimin e shumë dijetarëve në realizimin e ëndrrës për gjuhë të përbashkët, përbëjnë fakt domethënës lidhur me idealin e fortë që i shtyu shqiptarët të luftonin ndershëm për bashkim në aspekte socio-politike e kulturore shumë kohë para arritjes së shtetësisë. E njëkohësisht, ato japin ndjesi krenarie lidhur me dëshirën dhe punën e palodhshme për pavarësi, të cilën e kemi borxh për ta kultivuar e zhvilluar edhe sot

 

Rruga e unifikimit të shqipes së shkruar përbën një histori procesesh e sfidash të njëpasnjëshme në aspektin kulturor, politik e social. Qysh nga rezistenca për liri në kohën e Skënderbeut, pas shtypjes e përballjes shumëshekullore të Perandorisë Osmane nga masat e gjera popullore e shumë heronj të shquar, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare, vrullshëm filloi të krijohej ndjenja e vetëdijes kombëtare. Represioni i ashpër nuk i ndaloi atdhedashësit t’u bënin ballë sfidave e mjeteve të shumta që ishin barriera për ta ruajtur zellshëm ‘zjarrin’ shqiptar e ndërgjegjen kombëtare në të gjithë lëmenjtë, në veçanti njësimin e bashkëvarianteve gjuhësore.

Dashuria e popullit ndaj kombit dhe puna cilësore e shumë personaliteteve të shquara brez pas brezi u kurorëzua suksesshëm para 49 vjetësh, më 1972, kur edhe u njësua zyrtarisht varieteti standard në të gjithë shqiptarinë, që e garantoi një kahe të sigurt për funksionimin praktik të tij si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e më gjerë.

Proceset komplekse të zhvilluara paralelisht me angazhimin e shumë dijetarëve, përbëjnë fakt domethënës lidhur me idealin e fortë që i shtyu shqiptarët të luftonin ndershëm për bashkim në aspekte socio-politike e kulturore shumë kohë para arritjes së shtetësisë. E njëkohësisht, ato japin ndjesi krenarie lidhur me dëshirën dhe punën e palodhshme për pavarësi, të cilën e kemi borxh për ta kultivuar e zhvilluar edhe sot.

Iniciativat e para konkrete

Lëvizjet frytdhënëse nga shumë dijetarë të devotshëm, dëshira për dituri e shkollim përmbanin më vete konotacionin rreth vlerave që u synua të shtyheshin përpara, e që dolën fitimtare në fund te shqiptarët. Hap atdhedashës përbënte edhe pavarësia e të shkruarit shqip, e cila filloi me tentimet konkrete për njësim alfabeti në një periudhë përballjeje me kushte jo të favorshme, kur është dënuar me propaganda të zhurmshme rreptësisht çdo shkrim shqip.

Më 1825, Naum Veqilharxhi e përpiloi një alfabet të gjuhës shqipe, ndërsa abetaren e parë (Ëvetarin) e botoi më 1844. Kjo ndërmarrje është konsideruar si një shprehje origjinale për t’i dhënë frymë një politike gjithëkombëtare përmes gjuhës dhe si zanafillë e aktiviteteve për të vënë bazat e shkrimit unik shqip. Më pas, Konstandin Kristoforidhi me anë shkrimesh kultivoi dhe promovoi idenë kombëtare, duke e pastruar shqipen nga orientalizmat, sllavizmat me anë të farkimit të neologjizmave nga gjuha e popullit; e Faik Konica me revistën e tij “Albania”, e cila shoqërizohej me artikuj që bënin hapa para në alfabetimin e shqipes.

Ngjarje kulmore më 1878 ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e në të njëjtën kohë, në Stamboll u formua “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” drejtuar nga Sami Frashëri, Paso Vasha, Jani Vreto, e cila përpunoi alfabetin e Stambollit – që nënkupton lidhje të ngushtë e të shumanshme të ndërmarrjeve të tilla me kushtet historiko-shoqërore. Munishi me të drejtë thotë se me alfabetin e Stambollit iu vunë bazat gjuhës së shkruar unike shqipe, e cila gjithashtu i hapi rrugën standardizimit të saj, sepse ky alfabet u mbështet mbi bazën fonemore të toskërishtes: nuk kishte shenja grafike për zanoret hundore e as për kuantitetin. Më 1881, Sami Frashëri i drejtoi një letër De Radës, i cili veçse e kishte shfaqur mendimin për një gjuhë unitare me bazë arbërishten. Aty thuhet: “nuk me gjuhëra shumë, por vetëm me gjuhën shqipe të pandame e të njëjtë, si kundrë duhet të jetë edhe Shqipëria, se shumë gjuhë dhe djalekta sjellin ndarje e mërgim”. Pra, theksohej nevoja për ta përqafuar një varietet të përbashkët. Këto reforma cilësore të asaj kohe formuan bazë të përshtatshme e të shëndoshë drejt ndërmarrjeve e organizimeve serioze me karakter ringjallës e kryengritës ndaj përpjekjeve për asimilim të shqiptarëve.

Kongresi i Manastirit dhe i Lushnjës

Akti më përparimtar në njësimin e shkrimit qe Kongresi i Manastirit, që u mblodh më 14 deri më 22 nëntor 1908, e si qëllim kishte zgjidhjen e çështjes së një alfabeti unik për t’iu përgjigjur nevojës praktike për funksionimin e shtypit shqip. Ndër pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit qenë: At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami, Sotir Peci.

Idealet atdhetare u theksuan nga udhëheqësi Gjergj Fishta, i cili shpjegoi qartë se ky tubim s’ishte vetëm për abece-në , por si rrugë që shërben për bashkim të përgjithshëm. Alfabetet që u shqyrtuan ishin: ai i shoqërisë “Agimi”, ai i “Bashkimit”, arab, si dhe alfabeti i Stambollit, nga të cilët u modifikuan ai i “Agimit” dhe i Stambollit, me qëllim që të vendosej alfabeti latin, për të nënkuptuar mosnënshtrim ndaj atyre që pa mëshirë e luftonin përparimin e shqiptarëve.

Kështu u plotësua haptazi edhe një parakusht për njësimin shkrimor, duke arritur që të mënjanoheshin shumë mospajtime e polemika rreth vendimeve që mund ta kenë përjashtuar ndonjë strukturë të përhapur.

Kongreset pasuese: ai i Elbasanit dhe i Lushnjës shqyrtuan një varg çështjesh që përmbanin edhe kërkesa për kompromise në zgjedhjen e drejtshkrimit të përbashkët. Kjo vërehet në propozimin te Kongresi i Lushnjës që bazë dialektore të jetë elbasanishtja, e cila kishte tipare të të dyja kryedialekteve, me implikimin e shuarjes së heterogjenitetit me ritme më të shpejta dhe krijimin e simetrisë në nënsistemet e gjuhës.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, natyrisht se i shërbeu volitshëm edhe jetës kulturore, ftoi ndjekjen e traditës së hershme e për ta çliruar edhe institucionalisht shqipen nga ndikimet e huaja.

Vijimi i përpjekjeve pas Luftës së Dytë Botërore

Personalitete të shumta shkencore kontribuuan hovshëm në vazhdimin e ëndrrës rreth një gjuhe të përbashkët si element i fuqishëm identitar. Selman Riza, si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë, te vepra “Tri monografina”, duke e parë diversitetin e gegërishtes, shfaq idenë e formimit të një pangegnishteje, për shkak të dallimeve që veç thelloheshin brenda saj. Megjithatë, shkrimi i tij se “shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte” qe pretekst për t’u sulmuar për përpjekje që të ndahen të folmet, megjithëse sipas Munishit dhe Ismaljit, nëse shihet kujdesshëm, synimi i tij ishte që ta nxiste konvergjencën mes dialekteve.

Tubimet shkencore, sesionet e 1952-s në Tiranë, Konferenca kombëtare për shkrimin shqip më 1953, mbledhjet në Kosovë, botimet e fjalorëve shënojnë kthesa të mëdha dhe udhëhiqeshin nga parimi kundër përçarjes gjuhësore.

Komisionet me përgatitje solide shkencore, përbërë nga Aleksandër Xhuvani, Kristaq Cipo, Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Mahir Domi etj., ishin katalizatorë të një procesi iluminist e kombëtar dhe reagimi të përbashkët kundër ndarjes ndërshqiptare. Jeta kulturore ishte gjithsesi e ndërlidhur me atë politike dhe pati ndikime afatgjate në procesin e normëzimit të shqipes.

Baza dialektore e shqipes

Gjatë standardizimit të një gjuhe, nëse marrim parasysh kushtet e Einar Haugenit, (përzgjedhje, kodifikim, elaborim, pranim), nënkuptohet se edhe në shqipe duhej paracaktuar njëri dialekt si udhëheqës. Megjithatë, normëzimi synon që të afrojë dialektet, e jo të thellojë dallimet në mes të gjuhës së folur dhe të shkruar. Megjithëse në mënyrë të shkathët Androkli Kostallari e shumë të tjerë bënë përpjekje e u kujdesën për të imponuar mendimin se të dyja dialektet e përbëjnë këtë bazë, miratimi apo futja në normë e elementeve bazë që e dallojnë gegërishten nga toskërishtja në favor të kësaj të fundit si: ã-ë (duke e zgjedhur ë-në), mungesa e hundorësisë, prania e rotacizmit, formanti –ur te pjesoret, mosfutja e paskajores gege me+shkue, përjashtojnë pikëpamjen e establishmentit të atëhershëm politik se kinse shqipja duhet të pikëvështrohet se ka bazë mbidialektore. Plotësimet anësore nga gegërishtja nuk e ndryshojnë këtë realitet. E sipas Janet Byronit, karakteristikë e planifikimit të gjuhës shqipe ishte se përzgjedhja e normës ishte zgjedhje politike, ndërsa zhvillimi dhe kodifikimi i saj u krye nga planifikuesit e gjuhës.

Natyrisht se në fondin leksikor janë ndërfutur mjaft fjalë të popullit dhe inventari vazhdon të zgjerohet, me ligjet fjalëformuese e mekanizmat themelorë për pasurimin e saj me ngjyrime stilistike, shprehëse-emocionale. Por, përzgjedhja në mënyrë indirekte e toskërishtes si bazë për standardizim dhe karakteri ideologjik i përcaktimit të saj, është bërë shkas edhe për ndeshjen me kritika të njëpasnjëshme dhe tregon se ky miratim përbën shfaqje të kompromisit për shkaqe uniteti kombëtar.

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës

Pas hartimit dhe miratimit të Projektit të Rregullave të drejtshkrimit të 1967-s, një hap të madh historik padyshim shënon Konsulta Gjuhësore, që u aktivizua më 22 e 23 prill 1968, me praninë e 150 delegatëve nga të gjitha viset shqiptare. Me fjalën hyrëse të prof. Fehmi Aganit, i cili tha se “detyra që kemi asht e madhe, misioni ynë asht i randsishëm”, u theksua përparimi dhe bashkëpunimi në përgatitjen e projektit të madh për një varietet të përbashkët.

Ideja themelore për njësimin e varietetit paraqet progresin më të lartë në definimin/zyrtarizimin e zgjidhjes me peshë historike. Natyrisht se ka pasur hapësirë për mospajtime e dilema, porse udhëhequr nga vetëdija e lartë kombëtare, ato u tejkaluan suksesshëm në tërësi me stabilizimin konkret të një varianti në të gjitha institucionet.

Fjalën kryesore e kishte prof.Idriz Ajeti, si ndër protagonistët e diskutimeve, vërejtjeve parimore, si dhe çështjeve të shumta në mbështetjen e këtij projekti, me referatin: “Rruga e njësimit të gjuhës letrare shqipe dhe ortografisë së re”.

Pra, parashihej që edhe në Kosovë të zbatoheshin rregullat drejtshkrimore të hartuara në Tiranë. Sipas Rexhep Ismajlit, kishte një apel të studentëve për ta përkrahur Projektin e Rregullave të drejtshkrimit edhe në Kosovë, duke e krijuar atmosferën për të prodhuar një bashkëpunim dhe varietet të përbashkët.

Vetë motoja e kësaj Konsulte “një komb - një gjuhë” tregon qëllimin parësor, vlerën e paçmueshme të kësaj ndërmarrjeje. Kjo Konsultë i rekomandoi dhe autorizoi institucionet shkencore, arsimore e botuese për zbatimin e Projekt-Ortografisë të 1967-s, duke ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe në hapjen e rrugës në forcimin e integritetit shqiptar.

Kongresi që do të pasonte, qe vetëm promovim me karakter ceremonial i tërë kësaj pune të kahershme, derisa peshën kryesore e bartën të gjitha këto tubime frytdhënëse. Më këtë Konsultë, u përcaktua fati i shqipes së njësuar dhe u shënua një fazë e re në historinë gjithëkombëtare.

Krejt këto mundësuan kompaktësimin e mundimeve të panumërta, jo vetëm për unifikim gjuhësor, por edhe zgjerim dhe mbrojtje të identitetit shqiptar.

Kongresi i Drejtshkrimit

49 vjet më parë, me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, më 20-25 nëntor 1972 në Tiranë u zhvilluan intensivisht punimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke u paraprirë me ndërmarrjen e shumë nismave shkencore e intelektuale. Në këtë Kongres morën pjesë përfaqësues të lartë të shkencës, kulturës e arsimit, përfshirë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e arbëreshë nga Italia. Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte kristalizimi i hallkave gjuhësore drejt njësimit të një norme letrare.

pajtimin e arritur në këtë kongres, kombi ynë arriti të nderonte punën, kontributin e vyer për ta përfaqësuar denjësisht kombin përmes gjuhës si dhe u dha peshë patriotike përpjekjeve të rilindësve për një variant të vetëm pa degëzime. Me ndihmën e tyre, gjuha u qëndroi stoikisht rrebesheve, tentimeve përçarëse, vetjakësive puro politike, të cilat do të mund të pasonin me një ndarje të shkallëshkallshme.

Megjithëse pati pakënaqësi, vërejtje e kritika në kohë të pafavorshme sa i përket kontekstit politik e shoqëror, sidomos te folësit e gegërishtes për mospërfshirjen e një morie veçantish (mosshenjimi i variacioneve sintaksore e leksiko-semantike karakteristike për gegët), ato nuk e mundën interesin kombëtar. Shqiptarët pa dallim u treguan largpamës, duke e vënë në radhë të parë elementin më të rëndësishëm identitar e unitar: gjuhën e përbashkët. Lidhur me këtë ideal, Ndre Mjeda pati shkruar:

“Geg’ e tosk’ malci, jallia,

Jan’ nji komb, me u da s’duron,

Fund e maj nji a Shqypnia,

E nji gjuh’ t’gjith na bashkon!

Kjo ecuri e zhvillimit të përbashkët gjuhësor e ka garantuar një rrugë të sigurt dhe vendimtare për të ardhmen, si përgjigje e interesit të përgjithshëm kombëtar. Ndërkohë, zotërimi mjeshtëror i saj nuk nënkupton njëtrajtshmëri rrënjësore e të përjetshme në zbatimin e saj në të folur. Përpjekjet për ta zhvilluar natyrisht se nuk e ndrydhin atë. Gjuha vazhdimisht duhet t’i nënshtrohet vlerësimit, të rishikohet e t’u përgjigjet tendencave të kohës, forcave shoqërore që pandërprerë e pasurojnë atë, në mënyrë që t’i kryejë me sukses funksionet e saj.