Shtojca për Kulturë

“KOHA Ditore”, 17 qershor 2014: Një koncert me dy përvjetorë freskon Sallën e Kuqe

Dirigjenti me prejardhje shqiptare, Pavle Deshpali, zgjodhi Kosovën që të festojë ditëlindjen e tij të 80-të. Me koncertin që shënoi përmbylljen e sezonit koncertal të Orkestrës së Filarmonisë, u shënua edhe 35-vjetori i veprimtarisë koncertale të violonçelistit të njohur, Antonio Gashi. E diela mbrëma bëri tok këta dy muzikantë dhe Orkestrën Simfonike në Sallë të Kuqe. Vepra e kompozitorit shqiptar, Shime Deshpali, hapi koncertin. I biri i tij, Pavle, solli “Moban” për herë të parë për publikun kosovar.

I lindur në Kroaci, Deshpali, ndoqi rrugët e babait të tij në muzikë dhe arriti goxha sukses. Që nga vitet ’60 ai do të fillonte karrierën e tij si dirigjent dhe mjeshtëria e tij s’vihet në dyshim.

“Gjithmonë më pëlqen të luaj veprat e babait tim. Po besoj se do të ishte i lumtur sikur ta shihte se e luajta veprën e tij edhe në Kosovë. E kam luajtur këtë vepër në mbarë botën dhe kjo ishte hera e parë që kjo vepër luhet edhe në Kosovë”, ka thënë Deshpali, tek ka vlerësuar interpretimin e Gashit. “Antonio Gashi është një çelist i mrekullueshëm dhe ishte kënaqësi të punoja me të. Koncerti i Antonin Dvorakut është i vështirë të interpretohet dhe Antonio bëri një punë shumë të mirë”, ka shtuar ai. Ishte pikërisht Koncerti për violonçel dhe orkestër në B - mol Op. 104 i Dvorakut që ngjiti Gashin në skenë. Nis me temp alegro për ta shpejtuar në finale. Kjo vepër për Gashin është shumë e rëndësishme. Pas interpretimit të saj, ai ka thënë se ajo duhet të jetë kryesorja në repertorin e çdo violonçelisti. “Ajo që unë luajta është një vepër monumentale për repertorin e çelistit. Pa e ekzekutuar këtë vepër çelistët nuk ndihen rehat, sepse është vepra kryesore në repertorin tonë”, ka thënë Gashi, tek ka cilësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me dirigjentin. “Është punë e madhe dhe kjo ishte një prej ëndrrave të mia. Shpejt kanë kaluar këta 35 vjet përvojë pune, e unë po mundohem ta vazhdoj karrierën. Është pak e vështirë duke i marrë parasysh kushtet në Kosovë”, ka shtuar Gashi, i cili në vitin 1991 ka marrë çmimin “Rudolf Matz”, për koncertin më të mirë të diplomës në Akademinë e Zagrebit. Gjatë karrierës së tij prej 35 vjetësh, Gashi në mesin e bashkëpunimeve që pati ishin edhe ato me dirigjentin Deshpali. Koncerti i së dielës mbrëma ishte bashkëpunimi i tretë që këta dy kanë pasur. Deshpali, përveç Zagrebit, ka udhëhequr edhe Orkestrën Simfonike të Floridës dhe Operën e Orlandos në vitin 1968. Ai njëherësh drejtoi edhe Filharmoninë e “Tokyo Geidai”. Përkundër karrierës së tij të bujshme, ai nuk dëshiron të flasë shumë për të.

“Ka shumë gjëra që do të mund të flisja tani, por nuk dua”, ka thënë Deshpali, duke qeshur. “Kam qenë në mbarë botën, por prapë më së miri është të kthehesh në shtëpi, në Zagreb. E tëra familja ime është aty, prandaj është mirë të kthehesh në shtëpi”, ka shtuar më pas dirigjenti me nam. Dy vjet më parë (në shtator të vitit 2012 v.j.) në një intervistë për gazetën, Deshpali do të thoshte se e ndiente veten kroat, por me rrënjë shqiptare.

“Familja Deshpali ka ardhur nga Shqipëria Veriore dhe ka emigruar në Zarë, Dalmaci. Kanë qenë diku rreth pesë mijë veta dhe gjithmonë janë martuar mes vete. Babai im ka qenë i pari që është martuar me një kroate”, kishte thënë Deshpali, pasi një natë më parë kishte udhëhequr koncertin e Filharmonisë së Kosovës. Vepra e fundit që përmbylli koncertin ishte “Simfonia nr. 40” e kompozitorit të njohur Mozart. Nga ventilatorët e vendosur prapa perdeve të kuqe të Sallës, që lëviznin lehtazi, kësaj vepre të lehtë i dhanë ngjyra shtesë. E publiku, i cili kishte mbushur sallën, ndonëse jo si në çdo koncert tjetër të Filharmonisë, duartrokitën fort interpretimin e tri veprave. Fakti që salla ishte e mbushur ani pse në sallë bënte vapë, e habiti Baki Jasharin, drejtorin e Filharmonisë.

“Po na gëzon fakti që përkundër vapës dhe situatës që kemi me futboll, unë u befasova që salla u mbush plot. Si duket Filharmonia i ka dëgjuesit e vet që vijnë t’i përcjellin aktivitetet tona”, ka thënë Jashari fill pas koncertit, tek ka treguar se misioni i Filharmonisë nuk përfundon me këtë koncert. Për herë të parë komplet trupa e Filharmonisë do të performojnë në Tetovë, javën që vjen. “Mund të them që ky koncert në Prishtinë shënon fundin, por ne sot një javë do të mbajmë një koncert në Tetovë. Do të shkojmë me ftesë të Komunës së Tetovës, konkretisht kryetares Teuta Arifi. Është ky një obligim moral, profesional e kombëtar që ne të prezantohemi atje edhe me vepra evropiane, por edhe me vepra të kompozitorëve shqiptarë”, ka shtuar ai.