Shtojca për Kulturë

Karakteristikat timbrike në shfaqjet e Bekim Lumit

Zëri i njeriut konsiderohet mjeti (instrumenti) më i gjithanshëm, më kompleks dhe i vetëm i cili përçon mesazhin dhe mundëson shprehjen. Në rastin e Bekës, vërejmë shfrytëzimin e vokalit me qëllim të shtyrjes së kufijve të ndërtimit estetik me anë të përfitimit të efekteve jokonvencionale zanore

Përveç aspektit dramaturgjik, qasjes regjisoriale dhe aktrimit, aspekti tingullor konsiderohet si një element thelbësor i cili mundëson krijimin e disponimeve, krijimin e tensionit apo rritjen e emocioneve të personazheve në skenë. Aspekti sonor është i përdorshëm edhe për të krijuar ndjenjën e vendndodhjes, ambientit dhe të kohës.

Kur flitet për këtë çështje, fillimisht aludohet në elemente si muzika dhe audio-efektet, të cilat gjithsesi e luajnë funksionin më të rëndësishëm në përfitimin e situatave dhe emocioneve të kërkuara gjatë shfaqjes teatrore.

Përveç elementeve të lartcekura si mjete ndihmëse të shprehjes artistike, kur flitet për qasjen e Bekim Lumit, veçojmë fokusin e tij më të madh te zëri, si mjet thelbësor i aktorëve për të sjellë performancën e tyre në skenë dhe për të përçuar emocionet e kërkuara. Zëri i njeriut konsiderohet mjeti (instrumenti) më i gjithanshëm, më kompleks dhe i vetëm i cili përçon mesazhin dhe mundëson shprehjen. Në rastin e Bekës, vërejmë shfrytëzimin e vokalit me qëllim të shtyrjes së kufijve të ndërtimit estetik me anë të përfitimit të efekteve jokonvencionale zanore.

Elementet bazë të tingullit si fuqia dhe lartësia e zërit, nuk i japin mundësinë e mjaftueshme të përfitimit të kërkesave të tij, me ç’rast i duhet t’i tejkalojë ato duke hulumtuar shumë më thellësisht aspektin e teknikave vokale si: artikulimi, theksi, diksioni, variacionet vokale, ngjyra e zërit dhe projeksioni i tij.

Me gjithë pasionin e tij për rëndësinë dhe fuqinë e zërit, aspekti muzikor është i pashmangshëm në shfaqjet që i realizonte. Pavarësisht idesë fillestare, formulimi muzikor adaptohej në bashkërrugëtim me krijimin e shfaqjes. Listimi i shfaqjeve të realizuara, ilustron qartë kahen muzikore e njehësh edhe vetëkontrollin që e kishte mbi këtë element.

“Mësimi” – editimi muzikor: Artan Cernaveri

“Galani” – formulimi muzikor: Bekim Lumi

“Arushani dhe fejesa” – muzika: Artan Cernaveri

“Shtëpia e Bernarda Albës” – muzika: Bekim Lumi dhe Artan Cernaveri

“Çifti Martin” – harmonikist: Agon Xharra

“Këmisha e gjakut” – përzgjedhja e muzikës: Bekim Lumi, vokali: Riad Ymeri (tenor) dhe Besa Llugiqi (soprano)

“Dilerat” – përzgjedhja Bekim Lumi

“Nana dhe fëmija” – muzika: Visar Kasa, Pianist: Alzan Gashi

“John Cage's Hamlet” – koncepti muzikor: Bekim Lumi, Adorel Haxhiaj (violonçel), Luan Durmishi (vokal)

“Arturo Ui” – muzika: Dren Soldashi, Dren Soldashi (kitarë)

Nga lista e sipërme mund të konstatojmë se në shumicën e shfaqjeve, formulimin apo konceptin muzikor e ka trajtuar vetë, duke e shtjelluar atë gjithmonë në funksion të përfitimit të efektit të kërkuar. Marrë parasysh edhe mënyrën e përpiktë dhe të prerë gjatë punës, nuk do mend se edhe në rastet kur është angazhuar autori i muzikës, ai duhej përshtatur me kujdes të posaçëm kërkesave të tija tingullore dhe konceptuale, shpesh duke kërkuar dhe hulumtuar instrumente dhe tinguj jokonvencional.

Mbaj mend interesimin dhe konsultimet kolegiale rreth përdorimit të kontrabasit apo fagotit si ide fillestare për shfrytëzim në shfaqjen “Këmisha e gjakut”. Që të dy instrumentet të përzgjedhura nga timbri i tyre dhe tingujt e regjistrit të ulët. Për shkak të pamundësisë së gjetjes së instrumentistit adekuat, të gatshëm për prova të shumta dhe pjesëmarrje në shfaqje, ky synim u transformua në idenë e përdorimit të një instrumentariumi të përshtatshëm për interpretim nga vetë aktorët. Gjatë shfaqjes u inkorporuan kambanat, daullja si dhe efekte të fishkëllimës metalike të draprit, të cilat e mbajtën tensionin gjatë shfaqjes i cili i jepte shfaqjes edhe përmasa mistike. Edhe pse në fund mund të pritej një kulminacion muzikor (për nga zhvillimi i mëtejshëm apo rritja e instrumentariumit), aspekti muzikor transformohet në këndim dyzërash “a capella”, pra pa përcjellje instrumentale, si një lloj stilizimi i muzikës vokale së Renesancës , i cili konceptualisht lidhet me vetë trajtimin e shfaqjes – gërshetimin e motiveve shekspiriane me ato të kodit zakonor shqiptar.

Jo rastësisht ky trajtim etno-muzikor dhe inovativ, në shprehjen teatrore bashkëkohore, sjell në vitin 2012 edhe shpërblimin “Zëri i MESS-it” në edicionit të 52-të të festivalit MESS në Sarajevë në një konkurrencë prej 33 shfaqjesh. Ky shpërblim ndahet edhe për arsyeshmërinë “e përdorimit më të mirë të muzikës dhe të tingullit në teatër, për auditivitetin e skenës, muzikalizimin e shprehjes teatrore, apo për shfaqjen e gjeneruar përmes muzikës”.

Kompleksitetin dhe laramaninë e kërkesave tingullore, përveç trajtimit të zërit dhe përdorimit të muzikës në formën standarde teatrore, ai e zhvillon edhe përmes përdorimit të mikrofonit në skenë, përforcuesve të instrumenteve si edhe përmes prezencës direkte të muzicientëve në skenë. Në këtë mënyrë, regjisori Bekim Lumi, me mjeshtri në mënyrë anakronike trajton teatrin antik dhe atë kontemporan, gjithnjë me qëllim të argumentimit të përhershëm për vlerën dhe domethënien e muzikës dhe të tingullit në teatrin bashkëkohor.

Teksti i kompozitorit Valton Beqiri, i shkruar enkas për manifestimin përkujtues “Dita e Bekim Lumit”, e i cili është përfshirë edhe në librin “Loja e Bekim Lumit”, që promovohet pikërisht në këtë takim në pesëvjetorin e vdekjes së regjisorit të shquar.