Kombit i ka lënë vepra, institucione e gjenerata të edukuara profesionalisht. E, kur flitet për bazën e shtetit, Fahri Beqiri do të zërë një hapësirë të madhe. Aq sa në muzikën klasike, edhe në atë popullore. Profesori, siç e quanin shumica, do të kujtohet si një prej njerëzve që vunë themele
Viteve të fundit, ata që donin ta takonin Fahri Beqirin, këtë duhej ta bënin paradite. Në “Breg të Diellit”. Në një kafehane te qendra tregtare. Aty kalonte rreth një orë për kafen e mëngjesit. Kushdo që e ka marrë në telefon i ka treguar saktë se për një orë do të jetë aty. I shoqëruar nga bashkëshortja, përshëndetej nga çdo i dyti që kalonte në atë hapësirë. Të gjithë e thërrisnin profesor. Me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë, me vete i kthente përshëndetjet. Në pranverën e vitit 2019, kur po punohej në monografinë e Nexhmije Pagarushës, një prej të intervistuarve kryesorë duhej të ishte Fahri Beqiri. Me të marrë vesh se për çfarë bëhej fjalë ai e pranoi ekipin për të biseduar. Madje, jo veç për bisedë, por për të ofruar një varg informatash për karrierën e “Bilbilit të Kosovës”.
Dashamirësia e tij për punën që po bëhej kalonte atë të shumë njerëzve të tjerë që e kishin Pagarushën edhe më të afërt. Ishte vullnetplotë sa i përket bashkëpunimit. Vetë kishte kontribuar goxha në karrierën e Pagarushës, por me krejt zellin meritat ia jepte bashkëshortit të këngëtares, kompozitorit Rexho Mulliqi.
“Ai e ka njohur mirë diapazonin e Nexhmijes. Andaj ka kompozuar këngë si ‘Baresha’, që është testament i këngës shqipe”, thoshte me bindje Beqiri. Gëzimi i tij për monografinë, epitetet që ia jepte Pagarushës, përshkrimet se si ajo u bë pishtar i civilizimit të grave shqiptare e modestia për kontributin e tij, ishin emërues i sinqeritetit dhe vetëmohimit. I sinqertë e dashamirës sa më s’ka përshkruhet Beqiri nga ish-studentët e kolegët e tij. Me vdekjen e tij – të martën e kësaj jave – vendi ka humbur jo thjesht kompozitorin e gjeneratës së dytë e të parin me shkollim profesional të përfunduar, por një prej njerëzve që kanë vënë themelet e artit në Kosovë dhe frymëzuesin përtej kufijve të sotëm administrativë të shtetit.
“Në një qytet të tërë nuk ka pasur një njeri që ka ditur ta shpjegojë një notë muzikore…”
I lindur në pranverën e vitit 1936, Fahri Beqiri në mbamendjen e tij kishte edhe sekuenca të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Si fëmijë në Mitrovicë, ishte merakli i notit, bile edhe si i moshuar habiste kolegët me kërcim në ujë. Si procesionist i artit, “kërcimet” i kishte vula më vete. Prej kompozimeve e deri te kontributi në formimin e zhvillimin e ansambleve dhe institucioneve. Edukimin e brezave e ka një kapitull në vete si profesor universitar.
Lufta e Dytë Botërore e kishte lënë Kosovën në gjendje tmerri. Mitrovica edhe asokohe ishte një lloj “molle sherri”. Si fëmijë që kishte humbur babanë herët, lidhja e Beqirit me nënën ishte e fortë. Kishte filluar ta brejë fort gjendja ekonomike. E për t’iu bërë krah nënës së tij, nisi ta përvetësonte zanatin e zdrukthëtarit.
“Prindërit i kemi pasur analfabetë. Nana ime ka pasur çarçafin si mbulojë”, do të kujtonte ai në të shtatëdhjetat e veta, derisa shikonte prapa historinë personale. Muzika kishte nisur ta tërheqë herët. Krahas të qenët zdrukthëtar, kishte nisur të luante në prim. Por, interesi i një të riu në instrumente muzikore për atë kohë mund të konsiderohej si një tip rrufeje në qiell të hapur.
“Në një qytet të tërë nuk ka pasur një njeri që ka ditur ta shpjegojë një notë muzikore”, do të rrëfente ai për televizionin publik, pasi kishte mbushur 70 vjet. Puna si zdrukthëtar e kënaqte. Motivi ishte që t’i ndihmonte nënës në financa. Por, një sëmundje do të bëhej sebep që ai ta braktiste këtë zanat. Rrëfente se ishte sëmurë rëndë sa më nuk mund ta vazhdonte zanatin.
Hapat e parë drejt shkollimit dhe historia me violonçel
“Nuk kisha çfarë të bëj. Ia mësyva Prizrenit. Isha ndër më të dobëtit aty”, tregonte ai për fillet në Shkollën e Mesme të Muzikës në qytetin jugor. Një prej mësimdhënësve ishte Rexho Mulliqi. Drejtor i shkollës – Lorenc Antoni. I pari kishte bërë pak vite në Akademinë e Muzikës në Beograd, por nuk e kishte përfunduar atë për rrethana politike. I dyti do të bëhej alamet kompozitori më shumë si autodidakt. Beqiri e përshkruante Mulliqin si një njeri me diapazon të gjerë njohurish, sidomos për muzikën. Një kompozim për Migjenin do të ishte fija e parë nëpërmjet së cilës Fahri Beqiri tërhoqi vëmendjen në shkollë. Luante në violinë, por mësimdhënësit vendosën t’ia japin një tjetër instrument.
“Vendosën të ma hiqnin violinën dhe të ma jepnin violonçelin. Në vitet ‘50 qytetet si Prizreni e Prishtina kanë pasur njëfarë formacioni orkestrash. Unë për ata isha i nevojshëm si violonçelist”, rrëfente Beqiri.
Rolin e edukimit të brezave dhe formimin e ansambleve – të cilat e kishin entuziasmuar si i ri – nuk i la prapa asnjëherë.

“Punëtor i palodhshëm në të katër anët”
“Ka qenë punëtor i palodhshëm në katër anët”, thotë Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës.
Pa menduar dy herë ai thotë se Beqiri ka filluar të ndërtojë shumë themele në të njëjtën kohë. “Ka punuar te ‘Shota’, pastaj te Orkestra e Radios në atë kohë e prej asaj pune më pas është themeluar edhe Filharmonia, sepse janë vënë baza për një institucion. Nuk është marrë me një punë. Por, ka pasur themele gjithandej”, thotë ai.
Udhëheqësi artistik i Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj, thotë se profesor Beqiri është padyshim njëri nga kolosët e kulturës muzikore mbarëshqiptare.
“Përveç veprave të tij të muzikës artistike klasike, kontribut të pamatshëm i ka dhënë edhe muzikës tradicionale të këtyre trevave”, thotë ai. Por, që të vinte në stadin e njeriut që mund të angazhohej në të gjitha anët, Beqiri me shtytjen e mësimdhënësve të tij vendosi të bëhej profesionist i plotë edhe sa i përket edukimit.
Pas Prizrenit adresë do të ishte Beogradi, ku vazhdoi studimet në Akademinë e Muzikës. Në vitin 1970 diplomoi në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”. Kjo vepër u shndërrua në debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e kompozitorit, por për krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në tërësi. Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionistë në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike, fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës, e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit, ku deri në vitin 2011 ishte i angazhuar si profesor.
Sipas biografisë së tij, Fahri Beqiri është kompozitor i veprave si “Erdh misiti”, “Kënga e rinisë”, “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, “Shkoj e vij fluturim si zogu”. Krejt këto janë edhe këngë në repertorin e zhanreve të ndryshme muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Veprat e tij si “Kuinteti frymor”, “Sonatë për klarinet” e poema simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike.
Në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Beqiri kishte transformimin kreativ artistik. Por, Beqiri nuk ndalej vetëm në krijimtari e edukim. Shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës te Radio Prishtina e Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai është themelues i festivaleve si: “Takimet e talenteve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor i Radio Prishtinës, dirigjent i Korit dhe Orkestrës Frymore në Mitrovicë. Bile në qytetin e lindjes nisi të aktivizohej edhe para diplomimit në Beograd. Vetë rrëfente se pa lejen e autoriteteve, me bashkëpunëtorë, ia kishte dalë që të themelonin shoqërinë kulturore e artistike “Qëndresa”.
“’Akordet e Kosovës’ për herë të parë janë bërë te ‘Kino Rinia’. Orkestrën nuk e kemi pasur kurrë tonën komplet. Kemi pasur huazime nga vende të ndryshme. Festivalet kanë qenë ngjarje e vitit. Popullata ushqehej dhe jetonte me to”, rrëfente në pleqëri Beqiri.
Zëri i parë kritik, autoritet i pakontestueshëm
Si njeri i sinqertë e transaprent, tregonte se asokohe nuk mashtroheshin njerëzit.
“Nëse vërtetë ka dalë të këndojë dikush, ai ose ajo ka kënduar me të vërtetë”, tregonte ai. Për sinqeritetin e tij, në ditën e vdekjes ka folur edhe dirigjenti e kompozitori Rafet Rudi.
“Në pesëdhjetë vjetët e fundit, Fahri Beqiri, me të drejtë, konsiderohet babâ shpirtëror i muzikës popullore shqipe në Kosovë, autoritet i pakontestueshëm”, ka shkruar Rudi. Sipas tij, ambienteve koncertore dhe artistëve që performonin në të, sigurisht do t’u mungojë njeriu që ishte dëgjues i pashmangshëm dhe çuditërisht i pasionuar.
“Fahri Beqiri ishte zëri i parë kritik që vërente çdo detaj të rëndësishëm në realizimin e koncertit dhe asnjëherë nuk hezitonte që ta thoshte drejtpërdrejt”, ka shkruar ai. Ka treguar se të gjithë i dëgjonin me kujdes këshillat dhe i besonin fjalës së tij, meqë e thoshte njeriu që dëgjonte jashtë mase, me aftësi absolute.
“Mbi të gjitha, e thoshte njeriu më dashamirës dhe më i sinqertë i botës sonë muzikore”, ka shkruar Rudi.
Gjithmonë aty ku kishte muzikë
Afërsia që kishte me secilin e bënte Beqirin të veçantë.
Baki Jashari do të studionte në Slloveni gjatë viteve ‘80. Në fund të asaj dekade ishte kthyer në Prishtinë, për të ikur pas pak vjetëve shkaku i gjendjes së krijuar nga regjimi serb. Ai thotë se Beqiri ishte një prej njerëzve që e ndihmoi shumë dhe i është mirënjohës për këtë.
“Me Filharmoninë kemi një storje të veçantë. Filharmonia ia ka interpretuar veprat, përfshirë poemën dramatike ‘Skënderbeu’. Ka qenë vepra qendrore në programin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Jashari. Jo rastësisht ishte zgjedhur që në ditën më të rëndësishme të shtetit të luhej ajo vepër. Beqiri me punën e tij në institucione e shoqëri kulturore e artistike kishte kontribuar shumë në ato që mund të quhen si shtylla të shtetit. E, në ditën e 17 shkurtit 2008, kur bota po bëhej me një shtet të ri, Beqiri ishte prapë aty me punën e tij. Kësaj radhe për t’ia vendosur “kulmin” festës me “Skënderbeun”.
Në xhirimet e kohës, me dorën nën mjekër, shikonte anëtarët e Filharmonisë duke luajtur. Si autor i veprës e si pjesëtar i publikut, ishte midis njerëzve më kontributdhënës të shtetësisë. Vetë, kur fliste për kontributin që ka dhënë, veçonte një periudhë.
“Kulmin e punës sime profesionale dhe patriotike e dhashë te shoqëria kulturore e artistike e studentëve ‘Ramiz Sadiku’. Ata ishin shumë të talentuar e unë vetëm i hekurosja. Sikur bari që mbin në gurë, edhe këto formacione nisën të merren me muzikën”, rrëfente vetë Beqiri. Lidhjet me institucionet i vazhdoi edhe pas pensionimit. Gjithnjë duhej rezervuar një vend për të.
“Ndërlidhja e tij me Filharmoninë ka qenë edhe përcjellja e rregullt e të gjitha koncerteve të Filharmonisë. Ka qenë shumë aktiv, jo vetëm si shikues e dëgjues, por edhe interaktiv me komente e kritika karshi programit, dirigjentëve dhe solistëve të angazhuar”, thotë Jashari. Kujton se Beqiri ka dhënë shumë sugjerime të cilat shpesh Filharmonia i ka aplikuar. Jashari e përshkruan si një kritik dashamirës që ka dhënë vlerësime profesionale që e çonin përpara Filharmoninë e Kosovës.
“Orkestra e asokohe Trupave Mbrojtëse të Kosovës është themeluar më 2003. Ai është i pari në Kosovë që në Mitrovicë ka udhëhequr orkestrën frymore në vitet ‘60. Kur është themeluar Orkestra Frymore e TMK-së ka qenë shumë i entuziasmuar. Na ka dhënë shumë sugjerime. Ndërlidhja me të ka qenë e shumëfishtë në të gjitha aspektet”, thotë Jashari. Shton se Beqiri ka qenë i pranishëm kudo ku ka pasur muzikë, me përkujdesje që të jetë muzikë artistike e mirëfilltë.
Nxjerrja nga margjinat e melosit popullor
Kujdesi i tij nuk prekte vetëm muzikën klasike. Herët kishte vërejtur se melosi popullor duhej të dilte nga margjinat e viteve ‘50 dhe ‘60. Pos punës në shoqëri kulturore e artistike, ishte përzgjedhur që të drejtonte edhe Ansamblin e këngëve dhe valleve “Shota”. Ky institucion ishte themeluar më 1950. Prej vitit 1954, për një dekadë do të pushonte së ekzistuari, për ta rinisur punën.
Gjeneratat që u bënë pjesë e këtij ansambli janë dëshmitare se shqiptarë aty kishte më së paku. Bile në fille në orkestër nuk kishte fare. Këtë e ka pohuar jo rrallë edhe Nexhmije Pagarusha.
Ylber Asllanaj, që tash është udhëheqës artistik i “Shotës”, thotë se me ardhjen e Fahri Beqirit në udhëheqje të Ansamblit gjërat kishin ndërruar për të mirë. Do të inkuadronte edhe më shumë staf shqiptar.
“Përkundër faktit që pjesëtarët e orkestrës ishin të të gjitha nacionaliteteve, nuk kishte asnjë shqiptar. Profesori arriti që ajo orkestër të fillojë të tingëllojë shqip ashtu siç duhet”, thotë ai. “Shota”, me në krye Beqirin, kishte çarë rrugë. Vendet e ish-Jugosllavisë, disa vende evropiane e Turqia, kishin marrë vesh nëpërmjet koncerteve se cili është melosi popullor shqiptar.
Kur flitet për muzikën popullore shqipe, kontribut i madh Beqirit i atribuohet edhe si udhëheqës artistik i Ansamblit akademik “Ramiz Sadiku”. “Aty muzika shqipe te ne mori një dimension tjetër”, thotë Ylber Asllanaj.
Sipas tij, Beqiri ia doli që muzikën tradicionale ta avancojë e diferencojë nga muzika e ahengut në dimension artistik para publikut të gjerë.
“Kontribut të madh ka dhënë edhe në krijimin e këngëve të bukura shqipe si ‘Mbushni gotat’, që është një prej tyre. Ka arritur ta nxjerrë melosin popullor si vlerë të një kombi”, thotë Asllanaj. Sa i përket muzikës popullore, Baki Jashari Beqirin e sheh si kontribuuesin kryesor qoftë si kompozitor, pastaj si udhëheqës e edhe aranzhues.
“Ai është doajeni e kompozitori i gjeneratës së dytë, duke llogaritur Rexho Muliqin përpara dhe autodidaktin Lorenc Antoni. Fahri Beqiri është i pari me shkollim të kompletuar”, thotë prerazi Jashari. Këshillat e tij i kujton si diçka që vinin natyrshëm.
“Shiko syn, mirë ishte, por mundet edhe pak më mirë”, citon ai kur flet për qasjen e Beqirit pas koncerteve. Vetë Beqiri gjithnjë është munduar të punojë më mirë. Në jetë vullneti e ka udhëhequr shumë. Mundohej të çonte përpara gjenerata të talenteve. Por, koha kur dha kontributin më të madh ishte goxha e turbullt.
“Diku kam punuar me vullnet, diku për inat. Në Shkup kam punuar për inat. Shkoja atje në fundjavë dhe punoja që të ecin përpara ansamblet shqiptare”, rrëfente ai. Kur kishte mbushur 70 vjet kishte marrë shumë mirënjohje e dekorata. Me një humor të hollë, derisa kishte pranuar një mirënjohje te Komunës së Prishtinës, kishte thënë se do të donte të jetonte shumë më gjatë.
“Por, edhe 70 vjet kanë qenë të mjaftueshme për atë që i kam dhënë kombit tim”, kishte thënë ai. Kombit që i takonte i ka lënë vepra, institucione e gjenerata të edukuara profesionalisht. E, kur flitet për themelet e shtetit, Beqiri do të zërë një hapësirë të madhe. Aq sa në muzikën klasike, edhe në atë popullore. Do të kujtohet si një prej njerëzve që vunë themele.