Shtojca për Kulturë

Pamfleti propagandistik i Manastirit

Në Fjalorin e shqipes, “rrek” ka kuptimin “për ta mbajtur me fjalë”, “për ta qetësuar a për të kaluar kohën”. Vëllazërisë manastirore të Manastirit të Deçanit i del shumëfish punë kur i rreket reagimit të teksteve që botohen në “Shtojcën për Kulturë” të “Kohës Ditore”. Kësaj radhe iu rrek artikullit “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale e Kosovës” të autorit Agon Rrezja, botuar më 7 janar.

Por ky qe vetëm një shkas për të shpërndarë në pamflet propagandistik jo në adresë të KOHËS, por në “X” e prej aty të shpërthejnë portalet në Serbi, që as s’e kanë lexuar artikullin, e as që do ta marrin mundin ta lexojnë ndonjëherë. Sepse në vend të tyre, ua lexon vëllazëria manastrirore, njashtu siç do ajo, njëanshëm e duke shpërndarë frikë se KOHA mori turr ta përvetësojë Kishën e Shën Premtës. Dhe reagimi i Vëllazërisë ngjan pikërisht me shkrimet e turli-mediave dhe është për keqardhje. Akuzat në adresë të Redaksisë, të turpshme.

Kur themi se u del shumëfish punë, fjala është jo për shkrimin e KOHËS, por për një mijëra artikujt të tjerë e titujt librash, jo të autorëve shqiptarë, por të autorëve serbë. Do t’i duhet t’i demantojë edhe ato. T’i fshehë edhe librat. Nëse i lexon. Ose, nëse ua lejon të tjerëve t’i lexojnë.

“Levisha e Prizrenit u ndërtua nga Millutini në vitin 1306/7, në mbetjet-themelet e Kishës së shekullit XIII, e cila po ashtu gjendej mbi themelet e Kishës bizantine të periudhës mesjetare (të shek. IX-XI), ngritur në themelet e Tempullit të Krishterimit të Hershëm. Kisha e Levishës, e ndërtuar nga Millutini në vitin 1307, u ngrit në themelet e Bazilikës bizantine në të cilën ishte e vendosur Ipeshkvia e Prizrenit. Ndërtimi i Bazilikës lidhet mes viteve 921-923, me arsyen se, në themele është gjetur monedha e Perandorit Romanos I Lekapenos (920-944). Mirëpo, shikuar se gjatë rindërtimit janë shfrytëzuar si material ndërtimor pjesë dekorative dhe shtyllat me fragmente që i takojnë shekujve V-VI, është e mundur që nën Bazilikë të kishte qenë një kishë e vjetër”, shkruan V. S. Jovanoviq, në “Arheološka istraživanja i nalazišta na Kosovu”.

Frikës së vëllazërisë prej botimit të “teksteve që nxisin urrejtje fetare dhe etnike” do t’i kundërpërgjigjemi me citat. Edhe ky, autor serb.

“Në traditën për të ruajtur së bashku (kisha dhe manastire, v.j.) tregojnë shumë fakte. Në të mirë të kësaj po përmend vetëm një dëftesë: ‘Se sa e fortë është lidhja e arnautëve (shqiptarëve v.j.) me të kaluarën e tyre shihet në veçanti raporti i tyre ndaj manastirit ‘Visoki Deçani’. Deri në Luftën Ballkanike në Manastir gjithmonë ka banuar nga një arnaut trim, nga fisi i madh (nga fiset e mëdha), me një apo dy familjarë të tij. Ky ka bartur titullin ‘vojvodë’ dhe detyra e tij ka qenë mbrojtja e manastirit, e për këtë të japë edhe jetën. Ky ishte nder i madh dhe titull, të cilin edhe perandorët turq e vlerësonin. Dihet po ashtu se edhe Patrikanën e Pejës e kanë ruajtur ‘vojvodët’ (shqiptarë v.j.) të cilët i zgjidhte fisi apo fshati. Këtë ruajtje të përmendoreve të shtetit nemanjq nuk e theksoj apo vlerësoj si një çështje të veçantë (siç bëhet), por si pasojë natyrale të historisë së përbashkët. Ndër të tjera, nuk është e ditur as ajo që shqiptarët, për dallim nga turqit, kanë shkatërruar/rrënuar ndërtimet e shtetit nemanjiq”, shkruan Branislav Krstić në “Kosovo između istorijskog i etničkog prava”, botuar më 1994.

KOHA do të vazhdojë të botojë artikuj si ai për Kishën e Shën Premtës. Vëllazëria manastirore, le të vazhdojë të lexojë!

Redaksia