Shtojca për Kulturë

“Good as Hell...” me zërin e rezistencës

Manifesta

Galeria Kombëtare e Kosovës është kthyer gati e tëra në shërbim të bienales nomade, “Manifesta 14”, përveç njërës nga hapësirat ku është e ekspozuar “Një arkiv në nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”. Në të tjerat janë varur letrat e bardha e një ekran ku shfaqen filma me tematika të ndryshme. Kornizat me punime në mur e informatorë rreth tyre, përfshirë edhe ato me tabletë që japin të dhëna për to. Hapësirën e bëjnë atraktive format e veçanta të shikimit të punës artistike. Në njërën pjesë janë vendosur dy pajisje ekrani në formë helmete që vendosen në kokë

“Manifesta 14” ka prekur gati në çdo cep të hapësirave kulturore në Prishtinë e dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës. “Good as Hell: Voicing Resistance” përmbledh nën një titull artistë vendorë e ndërkombëtarë në shfaqje filmash, ekspozita, performanca e instalacione artistike. Ato bashkohen si vepra arti që shprehin rezistencën ndaj narrativave të dhunës dhe nënshtrimit që derdhen nga sfera private në atë publike.

Galeria Kombëtare e Kosovës është kthyer gati e tëra në shërbim të bienales nomade “Manifesta 14”, përveç njërës nga hapësirat ku është e ekspozuar “Një arkiv në nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”. Në të tjerat janë varur letrat e bardha e një ekran ku shfaqen filma me tematika të ndryshme. Kornizat me punime në mur e informatorë rreth tyre, përfshirë edhe ato me tabletë që japin të dhëna për to. Hapësirën e bëjnë atraktive format e veçanta të shikimit të punës artistike. Në njërën pjesë janë vendosur dy pajisje ekrani në formë helmete që vendosen në kokë.

Tetë korniza në mur paraqesin përditshmërinë e popullit ukrainas gjatë pushtimit rus. Dy të tjera më të mëdha dhe një tavolinë ekspozimi, mbajnë lloje të ndryshme të bimëve të sjella nga Ukraina. Autorja e ekspozitës “Invasions”, Alevtina Kakhidze, e përshkruan atë si një lloj hulumtimi filozofik mbi sjelljen e bimëve në habitatet e veta dhe të huaja, duke trajtuar tema si pushtimi, dominimi dhe përkatësia. Derisa i referohet punimit, vlerëson se bimët janë më paqësoret në botë, ndërsa vetes, përveç si artiste, i referohet edhe si kopshtare. Një pjesë e madhe e hulumtimit të saj gjatë dekadës së fundit është fokusuar në vëzhgimin dhe mësimin nga bota bimore.

“Ato nuk e vrasin njëra-tjetrën në një çast; nuk ikin as në rast rreziku", kishte thënë Kakhidze. Interesimi i artistes për bimët është ndërthurur me një preokupim të pashmangshëm me politikën e pushtimit dhe të luftës. Ai është instalacion multimedial, ku përveç ekspozimit në korniza e në tavolinë ekspozuese, jepen edhe informacione për bimët e për gjendjen aktuale me luftën nga një ueb-faqe ukrainase.

Në një korridor të ngushtë brenda njërës nga hapësirat ekspozuese të Galerisë Kombëtare ka zënë vend ekrani në të cilin shfaqet filmi “Aphasia (Act Three) – A Kid from the Neighbourhood”. Ai hapet me bisedën e gruas që përshkruan burrin i cili kishte rrahur deri në vdekje një grua boshnjake. Kishte qenë interpretues i muzikës elektronike në Beograd e dhunues në Bosnjë e Kroaci kur u kishte bashkuar si vullnetar ushtrisë serbe. Filmi sillet rreth fotografisë së një paramilitari serb që ishte marrë nga një fotoreporter në vitet ‘90 midis mizorive të kryera nga “Tigrat e Arkanit”, siç njihej njësia famëkeqe paraushtarake serbe. Imazhi nuk shfaqet në film, por ai përshkruhet, interpretohet dhe kontekstualizohet përmes monologut të gazetares Barbara Matejcio. Filmi është edhe performancë e një gruaje në një objekt të braktisur përmes së cilës paraqet dhimbjet që kishte përjetuar gruaja boshnjake. Ajo shoqërohet me muzikë që ndërpritet tërë kohën, por jo edhe lëvizjet e trupit që përcjellin pa fjalë rënkimet e saj. Historia është e bazuar në vrasjen e Ajse Shabanoviq në prill të vitit 1992. Afazia është çrregullim i pjesëve specifike të trurit që e ndikon edhe të kuptuarit dhe të shprehurit vokal. Regjisorja serbe, Jelena Juresa, përdor termin mjekësor si metaforë për të dhe shërimin e traumës historike, por edhe në kryerjen dhe përjetësimin e dhunës kolektive që i paraprin.

Në kuadër të “Good as Hell: Voicing Resistance” shfaqet edhe filmi “Homage to Kafka” me regji të Valentina Bonizzi. Ajo është artiste vizuale dhe shkrimtare që kishte punuar në një agjenci qeveritare, qëllimi i së cilës ishte të mbajë të hapur për publikun derën kryesore të objektit të Zyrës së Ministrisë. Filmi i metrazhit të shkurtër hapet me skenën ku dëgjohet himni kombëtar. Një burrë kërkon të hyjë brenda Kryeministrisë dhe nuk lejohet. Aty pret për vite të tëra deri në vdekje dhe tërë kohën është në bisedë me rojën para derës. Historia e filmit që vjen në formën e narracionit bazohet në shembëlltyrën e Franz Kafkës në veprën “Para Ligjit” e cila tregon rrëfimin e një personi që mbetet në portat e ligjit, duke pritur t'i jepet qasje. Në filmin e Valentina Bonizzit rrëfimi diktohet nga një i huaj dhe shtypet me makinë shkrimi nga stenografi i kryeministrit. Një rojë ka shërbyer në atë cilësi për pesëdhjetë vjet. Bonizzi reflekton mbi zërin që njerëzit kanë përpara ligjit sa mbi shkallën në të cilën ata e përdorin atë.

“Document Missing: Broken Document Breaks out into Poetry” është projekti i cili reflekton në të drejtat e grave dhe punëtorëve. Filmi i kushtohet socialistes maqedonase, Rosa Plaveva, një nga luftëtaret e para për të drejtat e grave në Maqedoni, që vdiq në vitin 1970. Projekti vjen si pyetje se kush është Rosa. Si ndërgjegje se duhet kujtuar, por që nuk kujtohet. Historia e saj e rezistencës që ishte shfaqur, tashmë kryesisht shfaqet si e harruar dhe e fshirë. “Document Missing: Broken Documents Breaks out into Poetry” duke përvetësuar personazhin e Plavevës, artistja rikrijon situata dhe dokumente "që ishin dhe nuk ishin" në performanca, fotografi, objekte, punime tekstili, vizatime dhe tipografi. Ndërsa instalimi i Ivanoskës reflekton mbi dobësitë e kërkimit në mungesë të provave materiale, shfaqja e saj paraqet një rast konkret: tregimin prapa persekutimit politik të vajzës së Plavevës, Nadezhdas. Regjisore e filmit është Maqedonia Hristina Ivanovska. Instalacionit me video të filmit i bashkohen edhe punimet në mur me katër gdhendje druri e grafiti në dru, gdhendje në mur si dhe vendosje e tekstilit aty.

Tërësinë e intervenimeve artistike në kuadër të “Good as Hell...” e përbëjnë edhe performanca “Mercedes, Matrix” e Selma Selman, instalacioni me metal “LYNX” i Astrit Ismajlit, informatori “Secondary Archive”, instalacioni “I’m meeting a hybrid of past and noë” i Dardan Zhegrovës dhe instalacioni “Baby Blues” nga Haveit.

“Good as Hell: Voicing Resistance” analizon zërin si zgjatim të trupit njerëzor në botë dhe gjendjen e politikës. Ekspozitat sjellin vepra arti që shprehin rezistencë ndaj narrativave të dhunës dhe nënshtrimit. Ato përqendrohen në artistë bashkëkohorë nga Kosova, ish-Jugosllavia dhe fqinjët e saj ku shqyrtohen përgjigjet ndaj formave të shtypjes që vijnë nga qeveritë socialiste e patriarkale. Secili projekt trupëzon rezistencën në vetvete, arkivat dëshmojnë shtrirjen e zërit dhe të trupit si instrumente të mospajtimit dhe të kryengritjes, por edhe të kujdesit, solidaritetit e dhembshurisë.