Shtojca për Kulturë

Restaurimi i afreskeve të Pompeit në dorë të robotëve

Mund të duken sikur po lëvizin pa qëllim, por këta prototipa robotësh kanë një detyrë shumë të rëndësishme. Gjersa skanojnë fragmentet e thyera të afreskeve, ata po riparojnë historinë.

Në Mestre, në dalje të Venecias, studiuesit kanë nisur një projekt të quajtur “Riparimi”, i cili synon të rindërtojë afresket e thyera nga Pompei me ndihmën e teknologjisë robotike dhe mësimeve të makinerive.

Ekipi planifikon të përdorë një sistem robotik inteligjent për të rindërtuar fizikisht në mënyrë autonome afreske dhe artefakte të tjera të copëtuara, me një shpejtësi shumë më të lartë sesa këtë do të mund ta bënin njerëzit.

“Njëri nga qëllimet e këtij projekti është të merret me afreske shumë të mëdha, dua të them se është e kotë që sistemi ynë të merret me afreske të vogla”, ka thënë Marcello Pelillo, koordinator i projektit “Riparimi” dhe profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin “Ca' Foscari” të Venecias.

“Nëse kemi një afresk që është i thyer dhe përmban vetëm dhjetëra ose ndoshta qindra pjesë, ndoshta mund ta zgjidhim atë me dorë, kështu që nuk kemi nevojë për një robot, nuk kemi nevojë për inteligjencë artificiale dhe gjëra të tilla, kështu që në këtë projekt ne duam të fokusohemi në afreske shumë të mëdha, afreske që asnjë ekip njerëzor nuk mund t’i riparojë e që në fakt mund të riparohen”.

Image
Ekipi planifikon të përdorë një sistem robotik inteligjent për të rindërtuar fizikisht në mënyrë autonome afreske dhe artefakte të tjera të copëtuara, me një shpejtësi shumë më të lartë sesa këtë do të mund ta bënin njerëzit

Fragmentet që po përdoren për këtë eksperiment aktualisht mbahen në depozitat e Parkut Arkeologjik të Pompeit.

Janë pjesë e afreskut të “Schola Armaturarum”, të shkatërruar nga shembja e ndërtesës në vitin 2010, dhe afresket në tavanin dhe muret e “Shtëpisë së Piktorëve në Punë” të dëmtuara gjatë shpërthimit të vitit 79 pas Krishtit që më pas u shemb si rezultat i bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore.

“Copëzat janë mjaft të mëdha, kështu që do ta bëjnë më të lehtë për ne të kuptojmë se si t’i bashkojmë ato", ka shpjeguar Arianna Travigli, koordinatore programuesve për Qendrën për Teknologji e Trashëgimi Kulturore. “Gjëja tjetër e rëndësishme është që ne e dimë se si duhet të duket imazhi përfundimtar. Është sikur të kesh kapakun e një kutie që përmban një enigmë, dhe aty tashmë i ke udhëzimet se çfarë do të marrësh. E dyta do të jetë shumë, shumë më e vështirë, sepse ne nuk e kemi kutinë dhe nuk e dimë se si dukej në të kaluarën, ne thjesht mund të përpiqemi të hamendësojmë duke ditur se si zakonisht dukeshin afresket në atë periudhë”.

Para fillimit të çdo restaurimi, studiuesit do të ndërtojnë një robot të aftë të skanojë çdo fragment të vetëm, si dhe të analizojë strukturën e tij në tri dimensione.

Image
Fragmentet që po përdoren për këtë eksperiment aktualisht mbahen në depozitat e Parkut Arkeologjik të Pompeit

Gjithashtu do të përdorin teknologjinë hiperspektrale për të “parë” atë që syri i lirë nuk mund të vëzhgojë te copat.

“Do të përdorim teknologjinë hiperspektrale për të zbuluar gjurmët e pigmenteve që nuk janë më të dukshme nga syri i njeriut dhe kjo ndoshta do të jetë në gjendje të mbështesë kërkimin tonë për pjesën e duhur që përputhet me pjesën tjetër, sepse problemi ynë më i madh për momentin është se jo të gjitha pjesët janë në gjendje të konservimit, kështu që duhet të kemi parasysh se mund të ketë pjesë të vizatimit që janë mbi afresk që nuk janë lehtësisht të dukshme, kështu që ne do të përdorim këtë lloj teknologjie për të hetuar se çfarë mund të ketë qenë atje, përpara se të ishte fshirë nga temperatura, shiu apo faktorë të tjerë që ndryshojnë vërtet strukturën e pjesëve me kalimin e kohës”, ka shpjeguar Travigli.

Projekti filloi në shtator të këtij viti dhe pritet të zgjasë katër vjet.

Mijëra fragmente, si pjesët e një enigme, do të riorganizohen me ndihmën e infrastrukturës robotike, të pajisur me krahë mekanikë të aftë për të skanuar fragmentet, për t’i njohur ato përmes një sistemi digjitalizimi 3D dhe për t'i kthyer ato në vendin e tyre të duhur.

Ndërsa fragmentet njihen dhe skanohen, krahët dhe duart mekanike do t'i lëvizin ato me ndihmën e sensorëve për të parandaluar dëmtimin më të vogël.

“Duhet të merremi me pjesë shumë delikate, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm kur bëhet fjalë për robotin që do të trajtojë këto pjesë dhe për ta bërë këtë dhe për të mos thyer këto pjesë, do të përdorim teknika nga robotika e butë, të cilat na lejojnë të trajtojmë dhe manipulojmë të gjitha pjesët në një mënyrë shumë delikate”, ka thënë Pelillo.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të “Horizon 2020”.

Universitete të ndryshme në Izrael, Portugali dhe Gjermani po bashkëpunojnë gjithashtu me Universitetin e Venecias. Sikur kjo të ketë sukses do të ndryshojë e gjithë situata.

“Në ditët e sotme ka qindra apo edhe mijëra afreske, afreske të thyera në të gjithë botën, jo vetëm në Pompei. Ne do të fokusohemi kryesisht në enigmat në Pompei, por nëse sistemi ynë funksionon, atëherë ne mund ta eksportojmë atë teknologji dhe do të jemi në gjendje të rindërtojmë afresket që sot ruhen vetëm në dhomat të veçanta, pasi që askush nuk ishte në gjendje t’i rindërtojë ato”, ka thënë ai.

Pompei u shkatërrua nga shpërthimi vullkanik i Vezuvit, i cili është afër Napolit të sotëm. Pjesa më e madhe e qytetit antik është ende e pagërmuar. Vendi është një nga atraksionet turistike më të njohura të Italisë.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu Alberina Haxhijaj