Këtë vit gjimnazi “Sami Frashëri” shënon 80-vjetorin e tij. Duket e dhimbshme se si të përhumbura nga përditshmëria e interesave e preokupimeve tona ditore, të gjitha institucionet arsimore, kulturore e politike të Kosovës e harrojnë këtë përvjetor kaq domethënës për historinë e Kosovës. Pavarësisht kësaj, ky gjimnaz mbetet një ndër bërthamat e institucioneve arsimore të Kosovës
Historiku i gjimnazit “Sami Frashëri” është domethënës se shënon rritën e Kosovës si shoqëri moderne dhe, më në fund, edhe si shtet modern. Sivjet ky gjimnaz shënon 80-vjetorin e lindjes; 80 vjet nga viti 1941 kur Ernest Koliqi vuri themelet e këtij gjimnazi. Krahasuar me moshën njerëzore, gjimnazi ka mbushur moshën e një plaku, i cili për vendin kishte edhe rolin e një kryeplaku që njohu gjithë peripecitë e periudhave të ndryshme të jetës, duke u bërë një barometër i ngritjeve e rënieve, si dhe i dramës arsimore, kulturore e politike të shekullit XX dhe fillimeve të shekullit XXI. Ky gjimnaz, është një ndër institucionet paraprijëse të Universitetit të Prishtinës dhe mbetet edhe sot një nga resurset cilësore të shkollimit të lartë në Kosovë.
Lindja e këtij gjimnazi u bë në rrethana shumë të rënda historike të Luftës së Dytë Botërore kur u krijuan kushtet që mundësuan themelimin e tij.
Të kujtojmë se, pavarësisht përpjekjeve për gjuhë dhe shkollë shqipe që nga gjysma e dytë e shek.. XIX, sundimi osman dhe pastaj ai serb pamundësoi realizimin e tyre. Si pasojë e Luftës së Parë Ballkanike të vitit 1912, sundimin shumëshekullor osman e zëvendësoi sundimi shumë më i egër serb. Krahas luftës për marrjen e zotërimeve osmane, ushtria serbe përdori vrasjet, dhunën, ndjekjen dhe terrorin. Sipas raportimit të Leon Trockit, “për të përmirësuar shifrat statistikore, etnografike, [Serbia] i hyri një shfarosjeje sistematike të popullit shqiptar”.
Por, një politikë e tillë nuk u ndoq vetëm gjatë luftërave, por edhe në kohë paqeje. Sipas elaboratit të Çubrilloviqit, “pyka shqiptare ndante tokat e vjetra të Rashkës me ato të Serbisë Jugore (Maqedonisë) dhe pengonte vendosjen e lidhjeve të forta kulturore, edukative dhe ekonomike ndërmjet tokave tona të veriut dhe atyre të jugut. Prandaj, për të shporrur njëherë e mirë shqiptarët, i vetmi mjet, është forca brutale e një shteti të organizuar dhe masat e egra me të cilat shqiptarëve do t’u bëhet i padurueshëm qëndrimi në vendin tonë”.
Për Mbretërinë serbe e pastaj edhe atë serbo-kroato-sllovene ose jugosllave (si quhej nga viti 1929), shqiptarët nuk kishin status të qytetarëve të zakonshëm, madje në ato troje, “nuk kishte pakica kombëtare”. Ndalimi i gjuhës shqipe dhe mohimi i ekzistencës së “pakicës kombëtare”, masakrat dhe terrori, nuk ishin format e vetme të presionit; ekzistonte një program i gjerë i kolonizimit dhe i shpërnguljes për spastrimin etnik të Kosovës.
Shikuar nga perspektiva e historisë së arsimit në Kosovë, duhet kujtuar se në vitin 1913, Mbretëria serbe kishte hapur një gjimnaz në Prishtinë, në gjuhën serbe, që shërbente vetëm për shkollimin e fëmijëve të sunduesit. Meqë shqiptarëve nuk u lejohej asnjë formë e shkollimit dhe e përdorimit të gjuhës shqipe, ky gjimnaz ishte jashtë realitetit dhe si i tillë ishte i huaj për shqiptarët.
Paradoksalisht, këtë gjendje të padurueshme e ndërpreu Lufta e Dytë Botërore. Në pranverë të vitit 1941, forcat e boshtit e sulmuan dhe e shpartalluan Mbretërinë Jugosllave. Kosova u pushtua dhe u nda në tri zona: italiane, gjermane dhe bullgare. Pjesa më e madhe e Kosovës dhe e Maqedonisë Veriperëndimore iu bashkua Shqipërisë, e cila ishte okupuar nga Italia që nga viti 1939. Këto ndryshime krijuan rrethana të reja në Kosovë dhe më gjerë. Me përjashtim të zonës okupuese bullgare, në zonat e tjera, dhe sidomos në atë italiane, në administratën që u vendos përdorej gjuha shqipe. U hapën shkolla në gjuhën shqipe dhe u mundësua shprehja e identitetit kombëtar. Në territoret të cilat u vunë nën administrimin civil të “Mbretërisë së Shqipërisë”, u ndërmorën veprime të nevojshme për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Siç thoshte Martin Camaj: “Ernest Koliqi, në cilësinë e Ministrit të Arsimit dhe në kushte të vështira të L2B, la gjurmë të pashlyeshme në arsimin kombëtar (...); mori guximin me përgjegjësi personale të themelojë shkolla shqipe në Kosovë”.

Në mesin e këtyre shkollave, e një rëndësie të veçantë është Shkolla Normale - Gjimnazi, “Sami Frashëri” në Prishtinë. Kjo shkollë u hap me Vendimin Nr. 31 të dt. 12 nëntor 1941 të Ministrisë së Arsimit, si shkollë e parë e mesme e plotë e këtij lloji në gjuhën shqipe në Kosovë. Shkolla Normale me degën Liceale, “Sami Frashëri” filloi së punuari më 17 dhjetor 1941. Shkolla kishte ciklin e ulët (klasat I, II, III, IV dhe V) dhe ciklin e lartë (klasat VI, VII dhe VIII) dhe veproi gjatë viteve 1941, 1942, 1943 dhe 1944. Ajo kishte edhe internatin që bënte të mundur përfshirjen e nxënësve nga troje të gjera shqiptare (nga Maqedonia Perëndimore, nga Kosova Lindore, nga Sanxhaku e nga Mali i Zi). Pra, ishte shkollë mbarëkombëtare. Për rëndësinë e kësaj shkolle, një nga nxënësit e saj të ditëve të para, Hasan Mekuli, thoshte: “Fara që u hodh në truallin arsimdashës të Kosovës dha fryte të jashtëzakonshme, jo vetëm për kohën e L2B, por edhe për më vonë, se nxënësit e kësaj shkolle, vazhduan shkollimin në qendrat e tjera të Jugosllavisë dhe u bënë kuadro bartëse të zhvillimit të Kosovës”.
Për shkak të luftës, shkolla ndërpreu punën në vjeshtë të vitit 1944, për të vazhduar në pranverë të vitit 1945 me emrin Gjimnazi Real Shqiptar, krahas me rifillimin e Gjimnazit Shtetëror Real Serb. Këto dy gjimnaze paralele vazhduan deri më 1955 kur u bë fuzionimi i drejtorive. Nga kjo kohë e deri më 1990 gjimnazi funksionoi nën një drejtori. Gjimnazi punoi në shqip e serbisht dhe nga viti 1960 edhe në gjuhën turke. Të shtojmë se nga viti 1957 u quajt me emrin “Ivo Llola Ribar”.

Në fillim të viteve ‘90 kur dhuna serbe ndaj shkollës shqipe kulmoi me përzënien e arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë nga objektet shkollore, gjimnazi, ashtu si dhe shkollat e tjera, mbijetoi duke vazhduar punën nëpër shtëpitë që ofruan qytetarët. Ishte kjo periudha 1991-1999 që shënon kohën e “shtëpive shkolla”. Në qershor të 1992-s, gjimnazit iu rikthye emri “Sami Frashëri”, emër që e kishte në zanafillë dhe të cilin e mban edhe sot. Më 1999, nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë u kthyen në objektin shkollor nga i cili ishin përzënë me dhunë në vitin 1991.
Nga sot, duke parë peshën historike e arsimore të këtij gjimnazi për shoqërinë e Kosovës, është e pakuptueshme që institucionet tona (së paku deri më tash) nuk kanë ndërmarrë asnjë aktivitet për shënimin e këtij përvjetori. Për më tepër, duket e dhimbshme se si të përhumbur nga përditshmëria e interesave e preokupimeve tona ditore, institucionet arsimore, kulturore e politike të Kosovës e harrojnë këtë përvjetor kaq domethënës për historinë e arsimit dhe për kontributin në shtetformimin e Kosovës.
Autori ka qenë drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri” prej vitit 1991 deri më 2003