Shtojca për Kulturë

Mirë se vini në Kubin e Bardhë

Hyrja, në çdo galeri e ka përjetimin e spitalit, kjo ndoshta sepse muret e bardha dhe simetria në formë shoku i mbyllin horizontet dhe të qenët limitohet nga kalustrofobia e kubeve që janë të ndërtuara galeritë.

Të qenët duket se lirohet nga kjo ndjenjë paniku kur ndeshet me veprat e artit që janë të ekspozuara në ekspozitë. Prapë artdashësi si e hap katalogun e ekspozitës në formë të anamnesis (rikujtesës) ndeshet me titullin e ri përbrenda ligjërimit të ri të botëartit e që është kuratori që prapë e mbanë në agoni, sepse ia rikujton mjekun që na kuron.

Në spital, ne kurohemi nga mjeku për patologjitë dhe sëmundjet e ndryshme, por në rastin e ekspozitës, maestro/kurator dëshiron të kurojë ekscentrin që e karakterizon çdo vepër të artit. Të kthehemi te pyetja fondamentale e këtij dëftimi teoriko-estetik; pse është e rëndësishme ekspozita për “epifanin kreative” dhe objektin e dëshirës që është vepra e artit? E kësaj pyetjeje më së miri do t’i përgjigjej filozofi gjerman, Peter Sloterdijk, se “ekspozita përfaqëson deklaratën vullnetare të fuqisë kreative”. Kjo ngase vepra e artit, nëse dëshiron ta shohë dritën dhe të konsiderohet si e tillë (vepër e artit), ajo duhet të ekspozohet.

Ekspozita si manifestim e bën të mundshëm vizibilitetin e veprës së artit dhe vetëkremten e artistit. Aty, për një moment vepra e artit përmes shkëmbimit kuptimor dhe emocional ingranohet në interpretimin e eksperiencës njerëzore në botë. Kjo eksperiencë njerëzore, që manifestohet në ekspozitë e ravijëzon të qenët si ekzistencë dhe përjetimin e kësaj ekzistence si vepër e artit. Andaj, ekspozita, edhe pse viteve të fundit jemi duke ia parë muzgun, mbetet një ishull ku artisti dhe vepra e tij e arrijnë homeostazën e tyre.

Ekspozita e sivjetshme në Prishtinë, e organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës, është një përpjekje që artistët tanë lokalë, nëpërmjet fuqisë kreative dhe gjestit virtuoz të tyre ta arrijnë këtë homeostazë. Ekspozita tanimë tradicionale e që mbahet çdo vit është busull që valorizon punët e artistëve për dy vjetët e fundit. Kjo ekspozitë nuk ka ndonjë temë specifike, andaj as maestro kurator nuk ka nevojë që ta shërojë veprën. Këtu në këtë ekspozitë, veprat e arrijnë një lloj parrhesia (flasin lirshëm). Ato manifestojnë format e jetës të secilit artist individualisht, duke ia përshkruar udhëtimin momental të secilit gjest kreativ, që në formë epifanie emanon në tablonë e çdo artisti, e rrjedhimisht konkretizohet si vepër.

Këtë ekspozitë e karakterizon një lloj poli-stilizmi që e bën atë jo montonte dhe njëdimensionale, por përkundrazi muret e bardha i bën më të durueshme dhe aty hyjmë në një lojë erotike me veprat. Duke mos iu nënshtruar ndonjë hierarkie specifike, qoftë vlerore apo stilistike, ekspozitën e karakterizon një heterarki, sepse punimet paraqesin formën e dispersuar ku mungon ndonjë bosht. Kjo mungesë e boshtit, kjo lojë rizomatike, e bën ekspozitën e sivjetshme një lloj ishulli, ku vepra artistike, artisti dhe artdashësi ko-ekzistojnë në hapësirën e bardhë në formë katërkëndëshi.