Shtojca për Kulturë

Hebrenjtë si rivalë dhe model i serbëve

Serbët shpesh qahen se janë djallëzuar e janë shkulur prej familjes së kombeve dhe e shohin këtë urrejtje universale si justifikim a posteriori të luftës së tyre. Kanë të drejtë, sepse janë të vetëm kundër botës. Por, të mos harrojmë se qysh prej vitit 1986 propaganda e Beogradit i është kushtuar njollosjes sistematike të popujve që ua kishin mësyrë t’i mposhtnin: para së gjithash, të gjithë shqiptarëve të Kosovës

Bash si antisemitizmi që ia mori për pak anën synimit të vet me judaizimin e “johebrenjve” në vendet ku ishin zhdukur të gjitha gjurmët e pranisë hebraike, ose ku ishin reduktuar në një grusht njerëzish – qysh ka ndodhur me shumë popuj dhe grupe – dëshira për të qenë hebrenj në vend të hebrenjve shndërrohet përnjëherë në diçka konkurruese, derisa njerëzit luftojnë të marrin privilegjin e të qenët popull i zgjedhur.

Në përgjithësi mund të shquhen dy soje të mëdha të antisemitizmit: fetar, me frymëzim të krishterë, që akuzon popullin e Moisiut për vrasjen e Krishtit dhe që ngulmon në gabimin e tyre pas shpalljes evangjelike; dhe ai nacionalist, që denoncon pakicat e pashtet si burim të mosndëshkimit, që në fakt është paragjykuese për qenien e kombit. Një i tretë, trend më befasues, antisemitizmi u është shtuar këtyre kundërshtimeve tradicionale në gjysmën e dytë të shekullit njëzet: zilia ndaj hebreut si viktimë, modeli i përkryer i fatit të keq.

Kështu, hebreu shndërrohet në model dhe pengesë njëherazi, uzurpon pozicionin e popullit që meriton të gjitha të drejtat që u atribuohen zezakëve, palestinezëve, serbëve, rusëve, polakëve – ato të drejta që burojnë prej revolucionit francez e të tjera.

“Serbia është krijesë e Zotit”

Tradicionalisht, pansllavizmi dhe pangjermanizmi (që janë imituar në këtë aspekt prej shumë nacionalizmave periferikë), ia atribuojnë vetes prejardhjen hyjnore, njëfarë lidhjeje speciale me Providencën, të vulosur prej provave dhe vuajtjeve; kjo zakonisht dizajnohet si mënyrë për shquarjen e vetes nga hebrenjtë.

Duke e konsideruar veten popull i zgjedhur, i mundësohet një grupi të paqëndrueshëm ose të shpronësuar ta transformojë syrgjynosjen në bazë për madhështi, për t’ia bërë vetes qejfin e investimit në vokacionin mesianik. Andaj Dostoyevsky, në sllavofilinë e tij militante, e bëri përkohësisht Rusinë e Shenjtë Krisht të kombeve, me qëllim që të mund t’ia ringjallte të nesërmen madhështinë. Dhe ngjashëm e shpjegon sot Radovan Karaxhiqi: “Serbia është krijesë e Zotit. Madhështia e saj matet me urrejtjen e armiqve të saj” (mars, 1994).

Nuk ka rëndësi që kjo mistikë fisnore i ka rrënjët në një gabim në Bibël, ku zgjedhja është barrë që Zoti ua transmeton Moisiut dhe popullit të tij – për ta rrënjosur humanizmin, meqë judaizmi ka “sovranitet moral”, “përgjegjësi që një komb të mos devijojë”, ndërkaq në këto ideologji është shndërruar në variant të ri të mendimit racist, mjet afirmimi i epërsisë së një grupi etnik kundrejt një tjetri.

“Serbët”, thekson Radovan Karaxhiqi, “janë popull superior në Ballkan”. Nëse populli ia mbush mendjen vetes që është i dalluar dhe i shquar prej Zotit, afërmendsh se e konsideron veten si racën më të mirë dhe i sheh fqinjët si popuj inferiorë, që qenkan ndryshe prej tyre, të tjerët doemos se janë më të ulët. Por, në ekzaltimin e tyre metafizik, këto lëvizje nacionaliste pandryshueshëm “turren drejt pretendimit shekullar të hebrenjve në pretendimin e tyre” (Hannah Arendt).

Në njërën anë, pretendimi i tyre i përzgjedhjes hyjnore i sheh “hebrenjtë si rivalin e vetëm të tyre serioz”, “rivalët e tyre më fatlum, më fatbardhët, sepse prej këndvështrimit të tyre hebrenjtë gjetën mjetet e ndërtimit të një shoqërie të sojit të ri, një shoqëri ndaj së cilës as përfaqësimi i dukshëm e as konteksti politik normal nuk mund të shndërrohen në zëvendësim për kombin”. Përveç kësaj, ky pretendim u fuqizua prej “qasjes besëtyte, një frike se mbi të gjitha mbase ishin hebrenjtë dhe jo vetë ata që i zgjodhi Zoti dhe të cilëve u ishte garantuar suksesi prej Providencës hyjnore. Kishte një element të pakënaqësisë absurde kundër një populli, i cili, druhej, kishte marrë garancinë e pakuptueshme arsyeshmërisht se do të shfaqej një ditë, pavarësisht të gjitha pengesave, si fitues përfundimtar në historinë e botës”.

Dhe asgjë nuk e ilustron më mirë këtë formë të urrejtjes ziliqare sesa deklarata e famshme e Hitlerit dhënë Hermann Rauschningut: “Nuk mund të ketë dy popuj të zgjedhur. Jemi ne populli i Zotit. Dhe s’ka tjetër”.

Por, prej Luftës së Dytë Botërore ka një tjetër arsye të madhe për kombet ose pakicat në vështirësi që të dëshirojnë ta marrin vendin e hebrenjve: vuajtja hebraike është shndërruar në standard reference dhe Shoah në ngjarje kyç me të cilën ne gjykojmë dhe dënojmë krimet kundër njerëzimit.

“Viktimat e Auschwitzit”, theksonte Paul Rcoeur, “janë përfaqësuesit më të denjë në kujtesën tonë të të gjitha viktimave të historisë”. Por, nëpërmjet një keqinterpretimi themelor, ata që duan të jenë bartësit e rinj të yllit të verdhë nuk e shohin gjenocidin si kulmin e egërsisë, “që terron diellin” (Claude Lanzmann), por rastin e veçimit nëpërmjet fatkeqësisë, shquarjes, potencialit për të fituar imunitet ose papërgjegjësi të padiskutueshme.

Dhe kjo është arsyeja pse shprehja “holokaust” është keqpërdorur në mënyrë goditëse dhe tronditëse prej vitit 1945: duke qenë në gjendje të thuash se je objekt i një holokausti të ri, nënkupton kryesisht se po vë në pah qartësisht rastin tënd; gjithashtu nënkupton vjedhjen e fatkeqësisë maksimale dhe shpalljen e vetes si pronarin e vetëm legjitim, duke i hequr qafe të gjithë pretenduesit e tjerë.

Në vend se të jetë katastrofë dhe paralajmërim për krejt njerëzimin, gjenocidi pastaj shndërrohet nëpërmjet procesit të konfiskimit në burim të përparësive të pakufizuara morale dhe politike, njëfarë çelësi magjik që jua lejon të gjitha format e abuzimit dhe jua fal edhe gabimet më të rënda.

Ta judaizosh veten, qysh kanë bërë ekstremistët serbë (nëse ka qenë e nevojshme edhe me deklarimin e vetes më hebrenj se hebrenjtë, të cilët nuk janë të vlefshëm si rol), ua siguron një situatë të pafavorshme për fitore, njëfarë vijueshmërie të përjetshme nderi për imoralitet. Kjo shpie drejt dykuptimësisë së teologjisë etnike që bazohet në identifikim, në pasionin judeofil se duke brendësuar hebreun në vetvete mund ta nxirrnin veten në anën tjetër, si puna e dorashkave të kthyera mbrapsht.

Të gjithë kundër serbëve

Serbët shpesh qahen se janë djallëzuar e janë shkulur prej familjes së kombeve dhe e shohin këtë urrejtje universale si justifikim a posteriori të luftës së tyre. Kanë të drejtë, sepse janë të vetëm kundër botës. Por, të mos harrojmë se qysh prej vitit 1986 propaganda e Beogradit i është kushtuar njollosjes sistematike të popujve që ua kishin mësyrë t’i mposhtnin: para së gjithash, të gjithë shqiptarëve e Kosovës, këtyre “fashistëve të neveritshëm”, thënë me shprehjet e përdorura në memorandum, dhe “terroristë të egër”, përdhunues të grave serbe.

Duke folur për luftën e zhvilluar prej shqiptarëve të Kosovës kundër serbëve që nga viti 1981, autorët e memorandumit specifikojnë: “Kryengritja në Kosovë dhe Metohi pak para përfundimit të luftës, organizuar me bashkëpunim të njësiteve naziste më 1944-45, u shtyp ushtarakisht, por doli se nuk ishte shkelur edhe politikisht. Nën frymën e tanishme, maskuar me përmbajtje të re, zhvillohet me sukses të madh dhe është afër triumfit. Ne përfundimisht nuk kemi kryer njëherë e përgjithmonë punë me agresionin fashist, masat e gjertanishme kanë hequr vetëm shenjat e jashtme të këtij agresioni, ndërkohë që qëllimet e tij finale, të frymëzuara prej racizmit, janë fuqizuar përsëri” (cituar nga “Dialogues”).

V.K. Stojanoviq, kryetar i Shoqatës së Shkencëtarëve dhe Profesorëve Universitarë të Serbisë, shkruante në një letër të hapur në numrin e 8 shkurtit 1990 në të përditshmen “Politika”: “Sot, terroristët e egër shqiptarë po vlojnë në Kosovë dhe në Metohi, duke sulmuar dhe shkatërruar gjithçka serbe, duke djegur shtëpi serbe dhe terrorizuar ata pak njerëz që kanë mbetur atje”. (Cituar në “Le nettoyage ethnique”, Fayard 1993, fq. 286 të Mirko Grmeckut, Neven Simacut dhe Mark Djidaras.)

E sa për kroatët, ata kanë qenë popull gjenocidal qe katër shekuj, pretendon historiani serb Basilje Krestiq. Popull “i kalbur”, sipas fjalëve të liderit ultranacionalist serb, Sheshel, i cili rekomandonte në një televizion serb që t’u priteshin kokat “jo me thikë, por me lugë të ndryshkur”, sugjerim që thuhet se ua kishte kërkuar nëpërmjet një letre milicisë së tij në Bosnjë dhe Kroaci. Fundja, myslimanët e Bosnjës dhe Sanxhakut janë “viktima të frustrimeve të zorrës së trashë, që i inkurajojnë të plaçkitin pasuritë dhe të prehen në sjelljet e tyre fanatike”, janë fjalët e fuqishme të doktorit të psikiatrisë, Jovan Rashkoviq, një tjetër teoricien i nacionalizmit serb. Përveç kësaj, islami nuk është asgjë më shumë se “terror seksual” me themel “trashëgueshëm gjenocidal” dhe përdhunues, pretendon Biljana Plavshiq, muzë e regjimit serb të Bosnjës.

“Përdhunimi, mjerisht, është strategji lufte e myslimanëve dhe kroatëve të caktuar kundër serbëve. Islami e konsideron normal, meqë ky religjion lejon poligaminë. Historikisht, gjatë 500 vjetëve të pushtimit turk, ka qenë krejtësisht normale për myslimanët e hierarkisë së lartë të ushtronin të drejtën e përdhunimit të grave të krishtera. Duhet të theksohet se religjioni islamik konsideron se identiteti kombëtar i fëmijës përcaktohet prej babait... Ky terror seksual ushtrohet edhe ndaj burrave dhe merr karakter gjenocidal”. (“Borba”, 8 shtator 1993). Është për t’u shquar se kjo serbe e njohur akuzon myslimanët për keqtrajtim të njëjtë që serbët e ushtrojnë në përmasa të gjera ndaj boshnjakëve dhe kroatëve, sidomos përdhunimin masiv si mjet të purifikimit racor!

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Ky artikull – i botuar në Shtojcën për kulturë edhe në shkurt-mars të vitit 2018 – është pjesë nga kapitulli i gjashtë “Pafajësia e torturuesit: Viktima, në propagandën serbe” i librit “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, botuar më 2000 në New York nga “Algora Publishing”.

Përktheu: Rexhep Maloku