Showbiz

Drejtuesi i Universal Music premton “transparencë” për zjarrin që kaploi shiritat master

Shefi ekzekutiv i Universal Music Group premtoi "transparencë" një javë pas zbulimeve se një zjarr në studio në vitin 2008 kishte shkatërruar shumë më shumë shirita master se sa që ishte pranuar më parë.

Pas një raporti të New York Times, bendet përfshirë Nirvana, R.E.M. dhe të tjerë raportuan se kurrë nuk janë informuar plotësisht nëse apo sa prej punës së tyre ishte humbur në zjarr. Universal e kishte lëshuar një deklaratë duke thënë se raporti përmbante "pasaktësi të shumta", por pa dhënë detaje specifike.

Sugjerohet që më shumë se 500.000 regjistrime origjinale janë djegur. Derisa shumë prej tyre ishin digjitalizuar ose ri-publikuar, dhe prandaj ruheshin në formate të tjera, nuk dihej nëse versionet e panjohura jofinale, këngët e papublikuara ose versionet alternative kishin humbur me shiritat origjinal të studios.

Në një email për stafin të cilin e kishte parë BBC, shefi Lucian Grainge tha se "humbja e madje vetëm një pjese të vetme të materialit të arkivuar është zemërthyese. Ne u kemi borxh transparencë artistëve tanë. U kemi atyre borxh përgjigje", shkruan KOHA Ditore.

Ai shtoi se u ndje paksa i "lehtësuar nga raportet e hershme të ekipit se shumë nga pohimet dhe spekulimet e mëvonshme nuk janë të sakta... Edhe pse të gjitha regjistrimet e publikuara të humbura në zjarr do të jetojnë përgjithmonë, humbja e kaq shumë materialeve arkivore është gjithsesi e dhimbshme".

Grainge vuri në dukje se po formohet një ekip i dedikuar për ta hetuar dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve të artistëve rreth statusit të materialit të tyre. "Këto storie kanë nxitur spekulime, dhe fakti se artistët dhe kompozitorët tanë nuk e dinë nëse spekulimet janë të sakta, është krejtësisht i papranueshëm", tha ai. "Do të sigurohem që menaxhmenti i lartë i kësaj kompanie, duke filluar nga unë, ta qartësojë këtë".

Komentet e tij erdhën pas të paktën një kërcënimi për veprim ligjor, i cili erdhi nga avokati i Los Angeles, Howard King. Ai tha se i përfaqësonte "më shumë se 10 por më pak se 100" artistë. "Kemi shumë klientë shumë të shqetësuar," vuri në dukje ai.

Një letër ligjore e dërguar tek Grainge e kërkoi "një inventar të plotë" të të gjitha materialeve të humbura në zjarr, duke përfshirë edhe versionet jofinale.