Showbiz

Blerina Arbana: Jeta ime me baletin

Ende edhe sot i kujton lojërat, që ka bërë gjatë fëmijërisë në shtëpinë private, te “Rruga e Kavajës”.

Ka qenë një fëmijë çapkën, që përherë luante në bahçen e shtëpisë me lepuj dhe qengja, por jo vetëm kaq. Ka bërë sakrifica të panumërta për të qenë pjesë e baletit! Bëhet fjalë për koreografen dhe pedagogen Blerina Arbana, e cila për më shumë se 12 vite drejton Shkollën e Baletit.

Në një rrëfim për gazetën “Shekulli”, Arbana na tregon se baleti, fillimisht ka nisur si shtysë e të atit, i cili dëshironte të trashëgonte tek e bija, një pasion të kahershëm të vetin. E kështu gradualisht ajo nisi ta donte baletin, sepse i ati ia kishte “rrënjosur” aq thellë “në gjak”, saqë edhe ajo vet nuk bënte dot pa të.

Pasi fitoi Shkollën e Baletit nisi të “vidhte” çdo ditë diçka të re nga mësueset profesioniste, që ende dhe sot e kësaj dite për të mbeten shembujt më të mirë.

Gjatë intervistës Arbana na tregon me detaje për gjithë këtë rrugëtim 37-vjeçar në fushën e baletit ( nga mosha 10 vjeçe), deri te objektivat dhe pritshmërit e saj, sot në 60-vjetorin e Themelimit të Shkollës së Baletit.

Mesazhi më i fortë, që ajo kërkon të përcjellë gjatë kësaj bisede është se, në jetë duhet që të dish të sillesh me njerëzit që ke pranë vetes, duke ruajtur liderin, në mënyrë që pritshmëritë të të plotësohen! Një gjë të tillë, e ka bërë për kaq vite me radhë, si drejtuese dhe jo vetëm, edhe si bashkëpunëtore në projekte të ndryshme artistike.

Fëmijëria dhe stërvitjet e vështira

Unë mbaj mend që kam pasur një fëmijëri shumë të bukur, por dhe shumë të vështirë për hir të profesionit. Në moshën 7-vjeçare kam qenë një gjimnaste. Kam qenë në klubin “17 Nëntori” dhe kisha fituar të gjitha kategoritë (të dytën dhe të parën), më vonë do të bëhesha “Mjeshtre Sporti”. Kam qenë në Elbasan, kur im atë erdhi dhe më tha: “Do të kthehemi në Tiranë, sepse zhvillohet kursi i baletit”. Mbaj mend se gjithë rrugës kam qarë. Kisha kaluar shumë barriera për t’u bërë “Mjeshtre Sporti” dhe ky kapërcim nuk ishte e lehtë! Por pas konkursit që bëra më kishin regjistruar në Shkollën e Baletit.

Kujtoj profesorët Petrit Vorbësi, Zoica Haxhon e mrekullueshme, Luan Shtinon dhe zysh Pitin. Ata kanë qenë pedagogët më të mirë që kam pasur. Unë, si gjimnaste që isha lëvizjet nuk i kisha problem, por kam qenë shtatshkurtër! Më vonë na kanë treguar se zysh Zocia Haxho për mua ka thënë: “Kjo vajzë do të më zëvendësojë mua. Është si djalë dhe shumë çapkëne”.

Mbaj mend, që im atë në bahçe kishte varur në pemën e dardhës unaza. Unë edhe sot e kësaj dite duart i kam plagë, sepse çdo mëngjes varesha te unazat, për t’u zgjatur. Edhe përpos kësaj im atë më kishte bërë një dërrasë, që sipër kishte gozhda. Duket e pabesueshme sot, por unë duhet të varesha derisa im atë të qëndronte aty, sepse nëse ulesha do të bija mbi gozhda.

Mësuesit e parë

Sot edhe kësaj dite e kuptoj edhe më shumë, sesa im atë ka bërë për mua! Vazhdova Shkollën e Baletit, mora kulturë të përgjithshme edhe artistike. ABC-n e kam bërë me ish-nxënësen e profesor Agron Aliajt, zysh Arianën, e cila ka qenë një nënë e dytë për mua. Më vonë do të punoja me zysh Pitin. Kanë qenë katër vite të tjera të mrekullueshme, të arta, sepse kam parë tek ajo femër anën e medaljes së rreptësisë, edhe të butësisë (qan).

Gjatësia e penalizoi për të punuar në TKOB

Për fatin tim të keq, edhe të shumë vajzave të asaj periudhe balerinat në TKOB duheshin mbi 1.67 cm të gjata, ndërsa unë isha 1.61 cm. Fatmirësisht sot kjo tabu është thyer.

Për këtë arsye nuk konkurrova në Teatrin e Operës dhe Baletit. Por ime më dëshironte, që unë të vazhdoja shkollën. Akademia e Arteve sapo u hap dhe së bashku me disa shoqe nisëm studimet e larta në degën e koreografisë. Atë periudhë nuk do ta harrojë asnjëherë, sepse profesorët Skëndër Selimi, Agon Aliaj etj., na kanë mësuar shumë gjatë leksioneve që bënim me ta.

Pas Akademisë së Arteve, në Itali me Ilir Shaqirin

Pas studimeve fillimisht m’u dha e drejta për të punuar, si pedagoge e brendshme në Akademi. Por në vitin 1992 u largova nga Shqipëria në Itali, nëpërmjet një kontrate pune1-vjeçare në cirkun “Androfe”, me artistët Ilir Shaqiri, Rezarta dhe Albi Nako.

Çdo gjë në fillim ka qenë sakrificë për ne! Derisa pas një viti u shpërndamë dhe gjetëm veten në pozicione të ndryshme.

Rikthimi në Shqipëri në 1994

Kur u ktheva trokita në derën e Shkollës së Baletit. Mbaj mend se i kam thënë zysh Pitit: “U ktheva nga Italia dhe kam shumë dëshirë që të mësoj!”. Fraza që më ka thënë është: “Hajde moj gocë, patjetër, përse jo”. Në fillim më dhanë dy klasa për të dhënë mësim, ku ishte Eno Peçi, Tendal Zaçe, Olti Shaqiri etj. Më vonë pata nxënëse Hegla Saraçin, Brunilda Kosovën etj.

Ndarjet me nxënësit kanë lënë shenjë

Ndarjet me nxënësit kanë qenë përherë të vështira. Unë qaja! Zyshat më thoshin: “Kjo gjë të bën edhe më të fortë”. Kam pasur supervajza të mira, si Isida Mollaymeri, Elvira Arizaj, Olta Ahmetaj etj., me të cilat krenohesha që i kisha. Pas tyre mora klasën e Ledia Sulës, Almenda Beharit etj. Nxënëset e mia aktivizoheshin në të gjitha aktivitetet që bëheshin. Për këtë ndihesha mirë!

12 vjet drejtoreshë në Shkollën e Baletit

E kujtoj ende dhe sot se si jam përzgjedhur. Dorëzova dosjen, pasi kisha 10 vjet eksperiencë, si mësuese dhe kisha kualifikimet që duheshin. Kërkoja ende nga vetja. Mendova, që edhe unë mund të jem një lider (gjë që e kisha vetëm brenda vetes), sepse kam qenë paksa e mbyllur! Emërimin, si drejtoreshë e kam marrë në datë 21 nëntor. Një datë me datëlindjen time. Por, pas katër ditësh më thërrasin sërish në drejtori, ku më thanë: “Më vjen keq, por ka ardhur edhe një dosje tjetër, që dëshiron të konkurrojë. Ishte profesor Ramazan Këllezi (ish-drejtues)”. Ai dëshiroi që konkursi të bëhej brenda shkollës. Zgjedhjet ishin te shkolla “Migjeni”. Erdhën të gjithë mësuesit dhe unë dola jashtë. Me anë të votave të stafit fitova unë. Nisa punën dhe të them të drejtën, përherë kam dëshiruar që të kem një klimë të ngrohtë. Prandaj përherë kam bërë ballafaqime, sepse mendoj se kjo është gjëja më e mirë, që mund të bësh në jetë edhe kudo.

Risitë si drejtuese

Gjatë kësaj kohe i kam mëshuar shumë baletit klasik. Puna me puante nuk është e lehtë. Kam dëshiruar që në skenë të ballafaqohen të gjithë, si nxënësit e mirë edhe të dobëtit. Sot çdokush arrin, që të bëjë më të mirën, nëse pedagogu i bën gjetjen e duhur. Nëse një fëmijë duhet të lërë një ditë baletin këtë e kupton shumë mirë vet. Prandaj mendoj se tabuja që ka pasur dikur Shkolla e Baletit tashmë është thyer.

60-vjetori i themelimit të Shkollës së Baletit

Gjatë punës sonë kemi punuar në kushte jashtëzakonisht shumë të këqija, kemi punuar edhe duke mbledhur me kova shiun. Kemi rrezikuar jetët e nxënësve dhe tonën. Një mësuese ka thyer këmbën në gropat që ishin krijuar në ambientet e shkollës. Nuk është se unë nuk kam kërkuar, që shkolla të rikonstruktohej, por fatmirësisht, më në fund, bashkia ktheu sytë nga ne. Kujtoj se binte shumë shi, kur erdhën për të parë se çfarë ndodhte në shkollën tonë. Asgjë nuk kishim “fryrë”! Pasi e panë se në çfarë kushtesh ne punojmë u vendos që të niste menjëherë rikonstruksioni i saj.

Në datë 15 shtator ne kemi inaugurimin e rikonstruksionit dhe 60-vjetorin e themelimit të Shkollës së Baletit. Për këtë jemi duke organizuar një mbrëmje gala, te Akademia e Arteve, ose te Qendra Kulturore e Kishës Ortodokse. Unë kam bërë një propozim, që profesorët që themeluan Shkollën e Baletit të trajtohen me pension të posaçëm. Vetëm tre kanë mbetur prej tyre, ata janë Petrit Vorbsi, Zoica Haxho, Ganimete Vendresha. Ndërsa, Agron Aliaj dhe Xhemil Simixhiu nuk jetojnë më! Është e vetmja mënyrë që t’u shprehim mirënjohjen që kemi.

Pritshmëritë

Dëshirojmë që në të ardhmen baletmaestrat e TOB-it dhe jo vetëm, të bashkëpunojnë me nxënësit në shkollën tonë. Dëshira është që këto soliste të perfomojnë jo vetëm në mbrëmjen gala të 60-vjetorit, por edhe në vazhdim.

Enkel Zhuti është një nga koreografët edhe menaxherët më të mirë që ne kemi, ai organizon 92 faqe në vit. Me të dëshirojmë të realizojmë “Tirana Qendër Ballkani” në balet, të zhvillojmë festivale, ku të aderojnë të gjithë vendet përreth.

Hapja e një shkolle verore për balet, një balet imi 1.30 min, kthimi i motiveve popullore në balet kontemporanë, së bashku me Klea Golikën etj., janë vetëm disa nga qëllimet kryesore, që kam për të ardhmen.

Momentet më të bukura gjatë gjithë këtij rrugëtimi profesional

U bënë 37 vite, që unë merrem me këtë gjë, sepse kam nisur që dhjetë vjeç Shkollën e Baletit. Janë nxënësit, mësuesit, me të cilët kam punuar edhe me qirinj. Janë aktivitetet e veçanta, si brenda edhe jashtë vendit që kemi bërë. Mësimet, që kam dhënë brenda dhe jashtë vendit. Janë emocione e pafundme, që kam marrë nga buqetat me lule, që më kanë dhuruar etj. Por kujtoj edhe momentet, që kam qenë shtatzënë dhe vija për të dhënë shfaqje, apo kur merrja fëmijët me vete në shkollë etj. Është një vetëflijim, që e kam bërë mbi veten.

Familja

Mbështetja më e madhe gjatë gjithë këtij rrugëtimi, që unë kam bërë ka qenë familja ime! Im atë nuk jeton më prej dy vitesh, por më ka dhënë shumë. Vjehrra, e cila është ndarë nga jeta, më ka rritur djalin e madh. Bashkëshorti im, i cili edhe pse nuk është në të njëjtin profesion, më ka ndihmuar shumë, si shokë dhe kritizer. Ndërsa, fëmijët edhe kur nuk u kam dhënë maksimumin më kanë kuptuar.

Image