Lansimi i filmit të shumëpërfolur hollivudian “Barbie” është shtyrë në provincën Punjab të Pakistanit për shkak të “përmbajtjes së pakëndshme”.
Zyrtarët kanë thënë se filmi “duhet të rishikohet dhe duhet të pastrohet nga pjesët që shkelin vlerat sociale, kulturore dhe fetare të vendit”.
“Do ta rishikojmë filmin para se të lansohet në shtetin tonë”, ka thënë për “The Guardian”, Farrukh Mahmood, sekretar i bordit për censurim të filmave në Punjab. Ai s’ka specifikuar se për çfarë pjese të filmit bëhet fjalë.
Me t’u shtyrë ky lansim, në Pakistan ka pasur kritika në rrjetet sociale.
“E kam parë filmin dje. Nuk ka asgjë që duhet të hiqet. Asnjë fyerje. Asnjë zhveshje. Asnjë gjë të turpshme. As karaktere LGBTQ+. Filmi është për një grua që është në gjendje të bëjë gjithçka që do, gjë që besoj se është kërcënim i madh për strukturën e shoqërisë sonë”, ka shkruar një përdorues në Twitter.
Lëvizja vjen pasi prezantimi, i një prej filmave më të përfolur të kohës, u shty edhe në shtete të tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë Emiratet Arabe e Egjiptin. Vietnami po ashtu e ka shtyrë filmin më herët për shkak të një harte që shprehte pretendimin e Kinës për territor në Detin e Kinës Jugore.
Shteti me shumicë myslimane ka vepruar ngjashëm edhe në të kaluarën. Në nëntor, shteti ndali filmin “Joyland” për shkak se në të një burrë pakistanez kishte aferë me një grua transgjinore. Ngjashëm qe vepruar edhe më 2019, kur regjisori i filmit “Zindagi Tamasha” u akuzua për blasfemi sepse filmi përshkruante një burrë fetar që kërcente në ngjarje familjare.
“Barbie” në role kryesore ka superyjet Margot Robbien dhe Ryan Goslingun.