Showbiz

Jane Fonda ndihet e gatshme që të vdesë

Jane Fonda ka folur së fundmi rreth vdekshmërisë, duke thënë se ajo “është e gatshme” për të vdekur.

Aktorja dhe aktivistja 84-vjeçare ka deklaruar se njerëzit e moshës së saj duhet të bëhen “realistë” dhe se duhet të jenë të vetëdijshëm për sasinë e kohës që është pas tyre, në krahasim me kohën që kanë përpara.

Duke folur për “Entertainment Tonight”, fituesja e dyfishtë e çmimit “Oscar” është shprehur se është e vetëdijshme se ajo “nuk do të jetë në jetë edhe për një kohë të gjatë”, duke shtuar se është e gatshme për fundin e saj dhe se ajo është e lumtur për jetën që ka kaluar, raportoi The Independent të mërkurën.

“Jo që dua të shkoj, por jam e vetëdijshme se kjo do të ndodh me shumë gjasë së shpejti. Kjo është diçka realiste”, ka thënë Fonda.

Në shtator ajo ka njoftuar se është diagnostikuar me sëmundjen Limfoma Non-Hodgkin’s.

Limfoma Non-Hodgkin’s është një lloj i kancerit i cili fillon në sistemin limfatik, që është një pjesë e sistemit imunitar të trupit i dedikuar për të luftuar mikrobet.

“Ky është një kancer i trajtueshëm. 80 për qind e njerëzve mbijetojnë, kështu që ndihem me fat. Jam po ashtu me fat sepse kam sigurim shëndetësor dhe qasje në mjekët dhe trajtimet më të mira”, pati shkruar Fonda në Instagram me të bërë të ditur lajmin.

Më pas ajo pati njoftuar se do t’i nënshtrohej kimioterapisë gjashtë mujore.

Aktorja e cila është vajza e aktorit Henry Fonda, ka qenë e nominuar gjatë karrierës së saj për shtatë çmime “Oscar”, duke fituar dy prej tyre, në vitin 1971 për rolin kryesor në filmin “Klute” dhe në vitin 1977 për rolin kryesor në filmin “Julia”.

Image