Showbiz

Dua Lipa i ka ndalur ndejat e natës

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, i ka ndalur ndejat e natës, raportoi të hënën portal “Female”.

Ylli i hitit “Levitating” është duke e realizuar turneun “Future Nostalgia”, dhe në një intervistë të fundit e pranoi se mënyra e vetme për t’i përballuar koncertet që kërkojnë shumë punë dhe energji, është duke u treguar e kujdesshme me aktivitetet ditore dhe duke u siguruar që të pushojë mjaftueshëm.

“Sinqerisht, nuk ka më ndeja të natës për mua. Më duhet të tregohem e kujdesshme. Realizimi i një turneu është punë e lodhshme, prandaj më duhet të jem në formën më të mirë fizike që është e mundur. Duhet të flejë dhe pushoj mjaftueshëm. Aktualisht i kam disa ditë pushim të cilët ndoshta do të mund t’i kaloj duke u argëtuar me bendin. Më pëlqen shumë të performoj por më është dashur të mësohem ta ndërtojë një qëndrueshmëri për ta bërë këtë gjë natë pas nate”, ka deklaruar Lipa për gazetën “The Sun”.

Këngëtarja 26-vjeçare në të kaluarën e kishte pranuar se ofendimet online e kishin bërë me ankth dhe të dyshojë nëse është mjaftueshëm e mirë për të qenë yll i muzikës.

“Kam përjetuar shumë kritika dhe fjalë të rënda pas lansimit të albumit të parë, dhe definitivisht ishte diçka që më bëri të kem ankth, më mërziti jashtë mase dhe më bëri të ndihem sikur nuk isha e mirë mjaftueshëm dhe nuk e meritoja të isha në skenë. Madje edhe pas ceremonisë ‘Grammy’, disa njerëz thoshin se nuk i meritoja vlerësimet dhe famën që po e merrja. Kishte shumë gjëra që kishin për t’i thënë për mua, si për shembull më kritikonin për vallëzimin duke thënë se jam këngëtare që nuk ka prezencë skenike, përderisa asnjëherë nuk i kishin ndjekur koncertet e mia dhe nuk më kishin parë duke performuar live”, ka deklaruar këngëtarja.

Pavarësisht suksesit që e arrijnë me projektet e tyre, yjet e muzikës prapëseprapë përballen me kritika nga më të ndryshmet, qoftë për dukjen, si vallëzojnë në skenë, e deri te mënyra si e jetojnë jetën e përditshme.

Por, Dua me meritë e gëzon titullin e yllit të muzikës pop, dhe këtë e ka vërtetuar edhe turneu i saj i fundit i cili po merr vlerësime të larta nga disa prej mediave më të rëndësishme botërore.