Aktori hollivudian, Bruce Willis, do të largohet nga aktrimi për shkak të diagnostikimit me sëmundjen e quajtur afazi.
Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën familja e aktorit, raportoi revista “People”.
Sëmundja e afazisë është një gjendje e cila largon aftësinë për të komunikuar. Ajo mund të ndikojë në aftësinë e të folurit, të shkruarit dhe të kuptuarit të gjuhës.
"Për mbështetësit e mrekullueshëm të Brucet, si familje donim të ndajmë se Bruce ynë i dashur ka përjetuar disa probleme shëndetësore dhe së fundmi u diagnostikua me afazi, e cila po ndikon në aftësitë e tij njohëse”, ka shkruar në Instagram familja e aktorit 67-vjeçar. “Si rezultat i kësaj dhe me shumë konsideratë, Bruce po largohet nga karriera që ka shumë domethënie për të”, thuhej më tej në njoftim.
Familja ka deklaruar se kjo është një kohë shumë e vështirë dhe sfiduese për të.
"Ne po e kalojmë këtë si një njësi e fortë familjare dhe kemi dashur t’i njoftojmë fansat e tij, sepse e dimë se sa shumë do të thotë ai për ju, ashtu siç bëni ju për të. Siç thotë Bruce gjithmonë, 'Jeto ashtu' dhe së bashku ne planifikojmë të bëjmë vetëm këtë”, përfundon njoftimi i familjes.
Bruce është i njohur për karrierë të gjatë e të bujshme në Hollywood, për gati pesë dekada, duke luajtur në role kryesore në filmat aksion si: “Die Hard” dhe “Armadeddon”.
Willis është shfaqur edhe në filmat ikonikë si “Pulp Fiction”, “The Fifth Element”, “The Sixth Sense”, “12 Monkeys and Sin City” etj.
Për rolet e tij, ai ka fituar një mori çmimesh, përfshirë një “Golden Globe” dhe dy “Emmy”.