Showbiz

Aktoret Schumer, Hall dhe Sykes do ta prezantojnë ceremoninë “Oscar”

Aktoret e njohura të komedisë, Amy Schumer, Regina Hall dhe Wanda Sykes, do ta prezantojnë ceremoninë e sivjetme “Oscar”.

Sipas “The Hollywood Reporter”, prezantueset e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kinematografike tashmë janë konfirmuar, dhe 3 aktoret e lartpërmendura do ta drejtojnë edicionin e 94-të të ceremonisë së ndarjes së çmimeve akademike e cila zë vend më 27 mars në teatrin “Dolby” në Los Angeles.

Të dielën mbrëma, Amy Schumer e postoi një fotografi në Instagram të cilën e shoqëroi me mbishkrimin: “Lajme të mëdha dhe argëtuese vijnë së shpejti”.

Regina Hall shquhet për rolet në filma të shumtë hollywoodian, si “Scary Movie”, “The Best Man”, “Girls Trip”, “The Hate You Give” dhe “Little”.

Ndërsa, Wanda Sykes konsiderohet një prej komedianeve më të mira amerikane. Ajo po ashtu njihet për rolet në serialet e kanalit HBO, “Curb Your Enthusiasm” dhe “Black-ish”, dhe filma të shumtë të suksesshëm në arkat filmike ku ka pasur role dytësore.

Ky vit e shënon rikthimin pas tri vjetësh të formatit tradicional të organizimit të kësaj ngjarjeje me prezantues. Ceremonia “Oscar” për herë të fundit u prezantua nga Jimmy Kimmel në vitin 2018, por organizatorët nuk kanë angazhuar ndonjë personalitet tjetër në këtë rol nga rasti i tërheqjes së komedianit Kevin Hart nga kjo detyrë, si rrjedhojë e rishfaqjes në skena të disa komenteve të kaluara ku ai kishte bërë shaka homofobike.

Nominimet e sivjetme tashmë janë bërë publike dhe filmi “The Power Of The Dog” i regjisores nga Zelanda e Re, Jane Campion, po udhëheq me më së shumti nominime, gjithsej 12. Ky projekt gjithashtu garon për shpërblimin kryesor “Filmi më i mirë” krahas projekteve tjera: “Dune”, “Belfast”, “West Side Story”, “Licorice Pizza”, “CODA”, “Don’t Look Up”, “Drive My Car”, “King Richard” dhe “Nightmare Alley”.