Edicioni i sivjetmë i ceremonisë prestigjioze “Oscar” do të ketë prezantues pas 3 vjetësh mungesë.
Craig Erwich nga “ABC Entertainment” e ka bërë të ditur se mbrëmja kur do të ndahen çmimet akademike e cila mbahet në muajin mars, do ta rikthejë pas tri vjetësh formatin tradicional të organizimit të ceremonisë me prezantues, ani pse nuk e zbuloi se kush do të jetë personi që do ta ketë nderin ta drejtojë këtë shou.
Ceremonia “Oscar” për herë të fundit u prezantua nga Jimmy Kimmel në vitin 2018, por organizatorët nuk kanë angazhuar ndonjë personalitet tjetër në këtë rol nga rasti i tërheqjes së komedianit Kevin Hart nga kjo detyrë, si rrjedhojë e rishfaqjes në skena të disa komenteve të kaluara ku ai kishte bërë shaka homofobike.
Edicioni i sivjetmë i ngjarjes glamuroze do të mbahet më 27 mars në teatrin “Dolby” në Hollywood. Vitin e kaluar ceremonia u organizua në stacionin historik të trenit në Los Angeles, “Union Station”, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Producenti i filmit “Ride Along”, Will Packer, është emëruar producent ekzekutiv i ceremonisë.
Edhe nuk janë bërë të ditura nominimet e sivjetme për çmimin më të rëndësishëm kinematografik “Oscar”, por besohet se do të ketë diversitet në mesin e filmave dhe filmbërësve të nominuar, kjo pasi vjetëve të fundit ceremonitë shpërblyese në përgjithësi janë kritikuar ashpër nga publiku për anashkalimin e artistëve meritor për shkaqe gjinore apo racore.
Kosova i ka mundësitë më të mëdha se kurrë për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme me filmin e jashtëzakonshëm të Blerta Bashollit, “Zgjoi”. Drama e metrazhit të gjatë e bazuar në ngjarje të vërtetë, konkurron për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” dhe deri më tani ka marrë vlerësime të larta nga kritikët anembanë botës, që e kanë konsideruar projekt favorit për t’ia siguruar vendit tonë një nominim e pse jo edhe shpërblimin e parë akademik.
Përktheu: Edona Binaku