Showbiz

Hugh Jackman ka rezultuar pozitiv me koronavirus

Foto: AP/Associated Press

Aktori 53-vjeçar, Hugh Jackman, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta konfirmuar lajmin se është testuar dhe ka rezultuar pozitiv me koronavirus, çka nënkupton se nuk do të ketë mundësi të performojë në mjuzikllin “The Music Man” në Broadway, deri sa të shërohet plotësisht.

Ylli australian e ndau një video me fansat në Twitter dhe Instagram ku shpjegoi gjithçka rreth gjendjes së tij shëndetësore, të cilin postim e shoqëroi me mbishkrimin: “Vetëm doja ta dëgjoni këtë lajm nga unë. Kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Kam simptoma të vogla të virusit dhe porsa të shërohem, mezi pres të kthehem në skenën e shfaqjes ‘The Music Man’ në Broadway”.

Në videon e postuar, aktori i njohur hollywoodian po ashtu foli për diagnozën e tij me koronavirus: “Mirëmëngjesi të gjithëve. Pra, vetëm doja ta dëgjonit lajmin nga unë që në mëngjesin e sotëm jam testuar dhe kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Simptomat i kam sigurt të një gripi të thjeshtë, vetëm kam grithje në fyt dhe po më shkojnë hundët por në përgjithësi jam mirë. Thjeshtë do të bëjë gjithçka që është e mundur që të shërohem sa më shpejtë. Dhe porsa të këshillohem nga mjekët që gjithçka është në rregull, do të rikthehem në skenë. Ju lutem, ruajeni veten, qëndroni të shëndoshë dhe të sjellshëm me njëri-tjetrin”.

Hugh e filloi punën në mjuzikllin e ri të Broadëayt më 20 dhjetor, por tani është detyruar të largohet nga ky projekt deri sa ta marrë veten nga sëmundja e cila i mori jetën miliona njerëzve në 2 vjetët e fundit.

Ndërkohë, së fundmi, Jackman i lavdëroi aktorët zëvendësues nëpër shfaqjet e tij, të cilët kanë treguar guxim dhe gatishmëri të jashtëzakonshme gjatë pandemisë. Ylli i filmave “Wolverine” i cili në mjuzikllin “The Music Man” e portretizon mashtruesin, Harold Hill, e falënderoi aktorin e tij zëvendësues për faktin se e mori përsipër rolin krejt pa pritur, gjatë kësaj kohe kur kriza shëndetësore është duke vazhduar në mbarë botën.

“Guximi, shkëlqimi, përkushtimi, talenti. Aktorët zëvendësues janë themeli i Broadwayt”.

Roli i fundit filmik i Hugh Jackmanit ishte në projektin fantastiko-shkencor, “Reminiscence”, ku e portretizoi një veteran lufte i thyer dhe i vetmuar i cili është ekspert në një profesion të rrezikshëm. Ai u ofron klientëve të tij mundësinë për t’i rijetuar çfarëdo kujtime që ata dëshirojnë. Por jeta e tij ndryshon kur ai e takon një grua misterioze të quajtur, Mae. Ajo që fillon si një raport i thjeshtë, shndërrohet në një dashuri pasiononte mes tyre. Por kur kujtimet e një klienti tjetër e përfshijnë Maen në disa krime të dhunshme, Nick detyrohet të thellohet në botën e errët të së kaluarës, për ta zbuluar të vërtetën për gruan me të cilën ka rënë në dashuri.

Së fundmi u bë publik lajmi se aktori i shumëshpërblyer hollywoodian është angazhuar në rolin e Enzo Ferrarit, themeluesi i kompanisë ikonike të veturave italiane, në një projekt të ardhshëm biografik.

Regjisori Michael Mann e ka ripërpunuar skenarin e shkruar nga, Troy Kennedy Martin, dhe e ka bazuar tregimin e tij mbi librin biografik, “Enzo Ferrari: The Man and the Machine”.