Showbiz

Cate Blanchett do të nderohet për arritje jetësore nga Akademia Franceze e Filmit

Ylli 52-vjeçar i kinematografisë, Cate Blanchett, do ta pranojë një çmim special për arritje jetësore të cilin ia ndanë Akademia Franceze e Filmit.

Aktorja e famshme hollywoodiane është përzgjedhur si fituese e shpërblimit, “César d’Honneur”, i cili i ndahet në Paris më 25 shkurt të vitit 2022, si pjesë e edicionit të 47-të të ceremonisë “César Awards”.

Në një deklaratë të publikuar nga organizatorët e kësaj ngjarjeje shkruhej: “Aktorja dhe producentja australiane me famë ndërkombëtare e cila është fituese e dyfishtë e çmimit prestigjioz ‘Oscar’, Cate Blanchett, do ta pranojë shpërblimin special për arritje jetësore ‘César d’Honneur’ në ceremoninë e vitit të ardhshëm. Ajo shquhet si një artiste e talentuar dhe multidimensionale e cila punon në fusha të ndryshme si kinematografia, televizioni dhe teatri. Blanchett e mahnit publikun mbarëbotëror me rolet e ndryshme dhe perfomancat gjithnjë të mrekullueshme. Jashtë sheshit të xhirimeve, Cate shquhet edhe për përfshirjen aktive në fushën e bamirësisë me theks të veçantë luftën e vazhdueshme për të drejtat e grave. Ajo po ashtu shërben si ambasadore e vullnetit të mirë për organizatën UNHCR, agjencinë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e refugjatëve dhe ndër vite është nderuar me çmime të shumta për punën dhe përkushtimin e saj në bamirësi. Me admirimin më të thellë ne do ta mirëpresim në skenën e teatrit ‘Olympia’, për t’ia ndarë çmimin special ‘César d‘Honneur’ që e nderon karrierën dhe personaliteti e saj të jashtëzakonshëm”.

Nga debutimi i saj si aktore, karriera e Blanchettit ka lulëzuar me fitimin e disa çmimeve të rëndësishme. Në vitin 1999 ajo u nderua me çmimin “Globi i Artë” si aktorja më e mirë në dramë për portretizimin e mbretëreshës Elizabeth, në vitin 2005 e fitoi shpërblimin e parë “Oscar” në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për portretizimin e ikonës Katharine Hepburn në filmin e regjisorit Martin Scorsese, “Aviator”, në vitin 2007 u nderua me çmimin “Volpi Cup” në Festivalin e filmit në Venecie për portretizimin e shkëlqyer të këngëtarit Bob Dylan në filmin “I’m Not There”, në vitin 2014 e fitoi çmimin e dytë “Oscar” por kësaj radhe në kategorinë “Aktorja më e mirë”, për rolin e saj në fimin “Blue Jasmine” dhe në vitin 2018 e fitoi shpërblimin, “Stanley Kubrick Award”, për kontributin e jashtëzakonshëm në kinematografi.

Cate Blanchett gjithmonë e mahnitë publikun me çdo paraqitje të saj filmike, qoftë nëse e portretizon mbrëtreshën magjistare në filmat e Peter Jacksonit, “Lord of the Rings” dhe “Hobbit”, perëndeshën e ligë në fimin e regjisorit Taika Waititi, “Thor: Ragnarok”, gruan e dashuruar marrëzisht në filmin e David Fincherit, “The Curious Case of Benjamin Button” apo rolin e mrekullueshëm në dramën e regjisorit Todd Haynes, “Carol”, ku personazhi i saj e krijon një lidhje dashurie me një grua.