Aktori Johnny Depp do ta pranojë çmimin “Donostia Award”, në festivalin e sivjetmë të filmit në San Sebastian.
“Donostia Award” është shpërblimi më i lartë që e nderon karrierën e yjeve të filmit, dhe në uebfaqen zyrtare të festivalit të njohur të filmit, Depp është përshkruar si një prej aktorëve më të gjithanshëm dhe të talentuar në kinematografisë bashkëkohore.
Yllit të njohur hollywoodian do t’i ndahet çmimi më 22 shtator në sallën “Kursaal Auditorium”, gjatë edicionit të 69-të të festivalit të filmit në San Sebastian. Ndër personalitetet e nderuar me këtë shpërblim në të kaluarën janë, Judi Dench, Viggo Mortensen, Sigourney Weaver dhe Penelope Cruz.
Në njoftimin e nderimit të aktorit me këtë çmim special, nuk përmenden polemikat e fundit me të cilat Depp është përballur së fundmi, pasi aktori nuk arriti ta fitojë rastin kundër ish-gruas së tij, Amber Heard, e cila e akuzoi atë për dhunë.
Vendimi i gjykatës në favor të Heardit, bëri që ylli i njohur hollywoodian të detyrohet nga studioja “Warner Bros.” që të heq dorë nga roli i tij në filmin me buxhet të lartë, “Fantastic Beasts”, ku më pas u zëvendësua nga aktori Mads Mikkelsen.
Depp ka marrë pjesë në Festivalin e filmit në San Sebastian dy herë, me filmin e vitit 1998 të Terry Gilliamit, “Fear and Loathing in Las Vegas”, si dhe në vitin 2020 me projektin e regjisorit Shane McGrowan, “Crock Of Gold: A Few Rounds”.
Aktori, karrierën filmike e filloi në moshën 21-vjeçare duke luajtur në filmin, “A Nightmare On Elm Street”. Nga atëherë ai e ka krijuar një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme filmike dhe shquhet për bashkëpunimet e shpeshta me regjisorin, Tim Burton. Disa prej filmave më të njohur të Deppit janë: “Edward Scissorhands”, “Sweeney Todd”, “Ed Wood”, “Sleepy Hollow”, “Dark Shadows”, “Charlie and the Chocolate Factory”, “The Tourist”, “Secret Window” dhe filmat hit në arkat filmike, “Pirates Of The Caribbean”.
Vjetëve të fundit ai nuk ka shënuar shumë sukses me filmat në të cilët ka luajtur, të tillë si “The Lone Ranger”, “Black Mass”, “Murder On The Orient Express” dhe “Minamata”.
Besohet se së fundmi, Depp ka punuar në krijimin e muzikës së re me artistin, Jeff Beck, për albumin e tij të ardhshëm.