Showbiz

Grupi “Coldplay” do ta hapë ceremoninë “BRIT Awards”

Foto: AP/Associated Press

Organizatorët e ngjarjes së përvitshme muzikore “BRIT Awards”, e kanë bërë të ditur lajmin se grupi i muzikës rok, “Coldplay”, do ta hapin ceremoninë me performancën e tyre.

Bendi do të interpretojë në një skenë të montuar në lumin “Thames” të Londrës, që gjendet afër arenës “O2” ku mbahet ceremonia të martën më 11 maj.

Kjo performancë vjen pas lajmit se “Coldplay” do ta publikojë këngën e re, “Higher Power”, këtë të premte. Kënga do ta shënojë debutimin live gjatë fundjavës, në kuadër të talent shout “American Idol”.

“Coldplay” i bashkëngjitet listës së performuesve të mbrëmjes të përbërë nga yjet, Olivia Rodrigo, Arlo Parks, Dua Lipa, Headie One, Rag’n’Bone Man, P!nk dhe të tjerë. Ceremonia do të prezantohet nga komediani, Jack Whitehall, kurse do të transmetohet live në kanalin “ITV” dhe në platformën “ITV Hub”.

“BRIT Awrads” do të organizohet në formë tradicionale me një publik prej 4 mijë personash në sallë, si pjesë e programit hulumtues që po testohet aktualisht nga Qeveria britanike, për ta shqyrtuar rrezikun e bartjes së COVID-19 në këtë ngjarje.

Rreth 2.500 bileta u janë ofruar falas punëtorëve shëndetësorë, që shërbyen në frontin e parë gjatë pandemisë.

Të pranishmëve në sallë nuk do t’u kërkohet të mbajnë maska apo distancë sociale, mirëpo ata do të duhet të sigurojnë vërtetim të testit negative për koronavirus, para se të hyjnë në ndërtesë.

Ndër artistët e nominuar në ceremoninë e sivjetme janë: Ariana Grande, Billie Eilish, Dua Lipa, Rina Sawayama, Lianne La Havas, Yungblud dhe The Weeknd.